E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet: Gjoba karburanteve për mospajisjen me kasa fiskale

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-02-2011 12:06

Tatimet kanë nisur në shkallë vendi monitorim të rreptë për kasat fiskale, pas tejkalimit të afatit në bazë të ligjit. Pjesë e kontrolleve janë edhe pikat e karburanteve, të cilat kundërshtojnë në mënyrë të vazhdueshme vendosjen e kasave fiskale. Ata argumentojnë “se pajisjet fiskale masin me litra, ndërsa ne me kilogram”. Gjithashtu, ata shprehen se nuk e përballojnë dot çmimin e lartë të kasave fiskale. Nga ana tjetër, tatimet angazhohen se do të vazhdojnë monitorimet në gjithë vendin, për të pajisur me kasa fiskale, deri biznesin e fundit. Në këtë mënyrë, të gjithë personat që disponojnë një mjet motorik të çfarëdolloji, nuk do kenë më probleme me abuzimin gjatë furnizimit me karburant. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka autorizuar shoqëritë për të pajisur me kasa fiskale të gjitha magazinat doganore dhe tatimore të karburanteve. Ndërsa brenda tremujorit të parë të vitit 2011, pritet që me këto kasa të pajisen edhe autobotët e shpërndarjes. Pompat furnizuese të të gjitha pikave të karburanteve në gjithë vendin do të kontrollohen nëpërmjet kasave fiskale. Ato nuk do të lejojnë mbushjen pa u printuar kuponi tatimor. Drejtuesit e shoqërive, të autorizuar nga Ministria e Financave për shpërndarjen e kasave fiskale, shpjeguan se procesi i furnizimit me karburant të automjeteve, nuk do të kontrollohet më nga pompa, por nga pajisja fiskale e lidhur me të. Procesi do të funksionojë në atë mënyrë që, vetëm pasi të jetë prodhuar kuponi për produktin e blerë, pajisja do të lejojë rrjedhjen e karburantit nga pompa. Pajisjet fiskale do të jenë të lidhura me sistemin e Drejtorisë së Tatimeve dhe të gjitha veprimet e regjistruara në to, do të raportohen çdo ditë pranë kësaj drejtorie.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›