Kriza nuk do ta vërë poshtë Shqipërinë!
Fakti që banka jonë qendrore (Banka e Shqipërisë) priti pesë muaj që nga shtatori 2008 për të ulur normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes (interesi me të cilin kjo bankë u huan para në tregun e brendshëm ndërbankar bankave tregtare) me gjysmë për qind - nga 6.25 në 5.75 - është kuptimplotë për të dalluar shëndetin tërësor të ekonomisë sonë. Sigurisht që do të prekemi nga kriza e përbotshme ekonomike dhe kemi filluar të prekemi. Por çështja qëndron se sa do të jenë përmasat e kësaj prekjeje. Do të na e ndalë ajo rritjen ekonomike? Sigurisht që jo! Do të na e pakësojë ajo në minimum këtë rritje? Institucionet ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka për Rindërtim dhe Zhvillim thonë jo. Ato shprehen se rritja do të jetë e qëndrueshme në nivele 3.5-4.5 për qind. Do të ishte një sukses në rajon, duke parë parashikimet shumë pesimiste për ekonomitë e vendeve më të përparuara të Evropës. Megjithatë, ekonomia jonë dhe veprimtarët e saj duhet të pretendojnë për më shumë. Jo vetëm pse institucione të tilla si FMN apo bankat e zhvillimit zakonisht tregohen konservatore (të frenuara) në vlerësimet e tyre. Por para së gjithash, nga fakti që bankat tek ne nuk e kanë ndalur kreditimin (në të kundërt, fushata e tyre nëpër media dhe ambiente publike vijon agresive për llojet e kredive që ofrojnë) është domethënës. Tregon se bankat nuk kanë mungesë parash të thata dhe mund të japin pa frikë kredi. Tregon se pavarësisht nga presionet e faktorëve të jashtëm, sistemi ynë bankar është i shëndetshëm dhe mund të vijojë të funksionojë (kreditojë, japë para) rregullisht. Është jetësore për ne që bankat të vijojnë punën të qeta. Ka pasur disa tërheqje depozitash në muajt shtator-tetor të vitit të kaluar, të shtyra nga një frikë e kotë për kataklizëm financiar. Asgjë nuk ndodhi dhe shumica e depozituesve i kthyen paratë tek depozitat bankare. Megjithatë, një pjesë jo e vogël e tyre preferuan investim të sigurt të kursimeve të tyre, duke i kaluar paratë në lekë dhe duke blerë bono thesari. Kjo bëri që bankat tregtare të shtrenjtojnë disi kreditin e tyre. Vetë e kemi në dorë ta mbajmë në këmbë sistemin financiar të vendit, duke u besuar bankave. Ato janë po aq të sigurta sa kanë qenë përpara krizës. Çdo fjalnajë për rreziqet e dukshme, të padukshme, imagjinare apo jo të tyre është e kotë. Bankat janë të sigurta këtu dhe kudo në botë, pse është bërë një aleancë e hekurt e bankave qendrore më të fuqishme të globit, e Rezervës Federale (Federal Reserve) amerikane me Bankën Qendrore të Bashkimit Evropian, me atë të Japonisë, Kinës, Indisë, Australisë etj. Të gjitha këto institucione që kontrollojnë shëndetin financiar praktikisht të të gjithë botës janë betuar për të mos lënë asnjë bankë, sado e vogël apo periferike që të jetë, që të falimentojë. Në emër të ruajtjes së të gjithë sistemit. Bankat me probleme janë përpirë nga bankat e tjera të stërmëdha, madje shtetet si SHBA, Gjermani, Francë etj., kanë ndërhyrë me të shpejtë dhe blerë asetet e lëkundura të tyre. Rritja jonë mund të jetë edhe më shumë se 4.5 për qind, nëse nuk do të kemi frikë dhe të luajmë tellallin dhe parashikuesin e së keqes çdo ditë, sikurse mund të dëshironte ndonjë forcë politike. Industria me materiale porositësi është në probleme. Kanë rënë shumë porositë nga jashtë. Por kjo po ndodh kudo në botë. Ajo nuk do të falimentojë tek ne. Do të pakësojë disi prodhimin, do të përshtatet, në pritje të ditëve më të mira. Dhe ato do të vijnë, madje shpejt. Parashikohet që në gjysmën e dytë të këtij viti, në sajë të politikave agresive të bankave qendrore (Rezerva Federale amerikane e ka ulur përqindjen e interesit gati në zero, për t’u mundësuar bankave të japin kredi sa më të lira) dhe të planeve të ndihmës dhe injektimit të parave në sistemin bankar (si p.sh. plani “Obama” me 700 miliardë dollarë), ekonomia botërore të rimarrë ritmet e rritjes dhe të ecë deri në fund të vitit deri diku normalisht. Prej këtej do të vijë dita që edhe eksportet tona të marrin sërish frymë. Në pritje të kësaj dite, qeveria dhe të gjithë ne duhet ta kemi mendjen tek prodhimi vendas. Sidomos ai bujqësor. Ai duhet mbështetur dhe inkurajuar të shtohet sa më shumë, pse kështu jo vetëm shtojmë relativisht eksportet, por ulim peshën e vështirësive në sektorë si nxjerrja e mineraleve apo prodhimi i hekurit e çelikut. Ja përse ia vlen të jemi optimistë dhe të synojmë një rritje ekonomike të vendit pse jo dhe në kufijtë 5-6 për qind për këtë vit. Edhe pse kemi zgjedhjet e përgjithshme në mes të vitit dhe tensioni politik do të rritet fort. Kriza duhet parë si një “dem i tërbuar” që me brirët e tij synon të na shkëpusë nga toka. Por ne mund të mbahemi tek prodhimi “Made in Albania” dhe mund ta shmangim demin, pa e lejuar të na vërë poshtë.