E Diel, 1 Nëntor 2026

Pedagogji e specializuar për fëmijët me aftësi të kufizuara



Me mbështetjen e zyrës zvicerane për bashkëpunim e zhvillim në Shqipëri, prej 6 vitesh pranë Universitetit të Vlorës funksionon dega e pedagogjisë së specializuar sociale. Në këtë degë përgatiten mësues të specializuar kryesisht për fëmijë me aftësi të kufizuara. Deri tanimë janë diplomuar 45 studentë dhe aktualisht studiojnë afro 30 të tjerë nga rrethe të ndryshme të vendit. Pas diplomimit bazë, ata mbrojnë dhe master në këtë fushë. Lidhur me këtë projekt të shtetit zviceran biseduan me Anne Rodi, mësuese zvicerane e specializuar, që prej disa vitesh punon e jeton në Shqipëri për fëmijët me nevoja speciale. Aktualisht është lektore në Universitetin e Vlorës

Ju jeni themeluesja e degës së pedagogjisë së specializuar sociale, pse e zgjodhët këtë profesion?

E porsadiplomuar, nuk e kisha menduar se do të punoja me këtë kategori fëmijësh. Dhe nuk e kam pasur të lehtë në fillim. Humanizmi i trashëguar nga familja ime tradicionale fshatare i erdhi në ndihmë formimit tim profesional. Gjyshja ime jetonte në Rromon, në afërsi të Friburgut, në një si fermë e vogël. Kishte katër fëmijë dhe për katër fëmijë të tjerë në nevojë përkujdesej si t’i kishte të sajtë. Po ashtu, prindërit e mi krahas dy fëmijëve të tyre rritën dhe edukuan dhe një djalë Olivjen, të adoptuar nga Koreja, apo edhe një të afërmen tonë, Mireja, që e mitur mbeti jetime nga vdekja e dy prindërve. Sot shtëpia e gjyshes në Rromon kthehet në “hotel” për studentët shqiptarë të pedagogjisë speciale, që vijnë për praktikë e shkëmbim përvojash në Zvicër.

Duket se bëni pjesë ndër ata të huaj që nuk ndihen të huaj në Shqipëri. E familjarizuar kaq natyrshëm me realitetin dhe psikologjinë shqiptare, me një shqipe kaq të saktë. Si u lidhët fillimisht me Shqipërinë?

Një bashkëstudente me mua, Miriam, lektonte në Universitetin e Friburgut. Tek dëgjonte për udhëtimet e mia në vende të ndryshme në zhvillim, ku përpiqesha të eksploroja lidhur me nevojat sociale që kishin shoqëritë e tyre, më flet për studentë zviceranë që praktikat e tyre i bënin në dy qytete shqiptare, në Korçë e Berat. Për Shqipërinë nuk kisha njohje, dija vetëm që kryeqyteti i saj ishte Tirana. Bisedat me z. Jan Pol Mulin, ish-drejtor i Universitetit të Friburgut, që nga viti 1996 kishte punuar në qendrën e fëmijëve me probleme në qytetin e Beratit, më ndihmuan të kisha më shumë informacion për Shqipërinë. Fillova në mënyrë intensive të mësoj shqip në auditorët e universitetit zviceran, ku jepen edhe leksione të gjuhës shqipe. Në shkurt të vitit 2000 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, direkt në qendrën e zhvillimit të fëmijëve në Korçë. Ishin ditë të ftohta me borë, në atë qendër kishte shumë mangësi, por kishte një atmosferë njerëzore që më jepte shpresë. U riktheva shpejt në këtë vend, duke bashkëpunuar për dy vite me ASED, shoqatë zvicerane që punonte me fëmijët me aftësi të kufizuara. Tanimë duke njohur mirë realitetin shqiptar për këtë problem social, mendova se kishte ardhur koha që shërbimi ndaj kësaj kategori fëmijësh të kishte mësues të specializuar. Në bashkëpunim me Jan Pol Mulin, Clod Lavan, me karrierë në drejtimin e degës së pedagogjisë së specializuar në Universitetet e Friburgut dhe të Lozanës, e që kishin njohjen e duhur për gjendjen e fëmijëve me zhvillim të ngadaltë në Shqipëri, hartuam një projekt, emërtuar SPS, që u mbështet nga shteti zviceran. Projekti sikurse thamë më lart ka gjetur zbatim me ngritjen e seksionit të pedagogjisë speciale në Universitetin e Vlorës, ku janë diplomuar dhe vazhdojnë të diplomohen me dhjetëra studentë.

Pas diplomimit, a janë punësuar këta studentë?

Ka prej tyre që janë punësuar në qendra dhe poliklinika ku trajtohet kategoria e fëmijëve në fjalë. Por jo të gjithë. Duhet pranuar se nuk ka ende një traditë në sistemin arsimor për të kuptuar nevojën për këta kuadro të specializuar. Ka edhe koncepte frenuese. Si çdo e re dhe kjo do kohën e vet për t’u pranuar natyrshëm. Ajo që më bën të ndihem mirë është pasioni dhe vullneti i mirë i të diplomuarve në këtë fushë, që nuk ndalen duke promovuar vlerën e pedagogjisë speciale për efekte sa më rezultateve për përmirësimin e fëmijëve me probleme dhe integrimin e tyre në jetë. Kështu p.sh., një i diplomuar nga Kukësi ka bashkëpunuar me bashkinë e këtij qyteti për të ngritur një qendër të re për këtë kategori fëmijësh. Një tjetër në Lezhë po ashtu. Të tjerë punojnë edhe privatisht pranë familjeve që kanë fëmijë me probleme. Duke mos lënë pa përmendur dhe rastet e vullnetarizmit të tyre rinor, sidomos në zonat e thella të rrethit të Gramshit, ku krahas varfërisë rëndon dhe mungesa e qendrave për trajtimin e fëmijëve në nevojë. Përvojat e fituara gjatë praktikave në poliklinika apo qendra të trajtimit të këtyre fëmijëve në rrethe të ndryshme të vendit u kanë shërbyer si realitete të gjalla në mbrojtjen e diplomës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›