Kriza nuk ndal rritjen e çmimeve, në 2009 shtëpitë shtrenjtohen 18 %
Në Shqipëri kriza ekonomike vazhdon që të mos pengojë rritjen e çmimeve të banesave, të cilat edhe gjatë vitit 2009 kanë pësuar një rritje jo të vogël, që shkon në rreth 18 për qind
Rritja e çmimeve të banesave ka qenë një fenomen që ka vazhduar edhe gjatë vitit 2009 në tregun vendas. Për industrinë e ndërtimit një fakt i tillë është shpresë për zhvillim, në një kohë që në pjesën dërrmuese të vendeve të rajonit, por edhe më gjerë kriza ka ndikuar në rënien e çmimeve, duke e futur industrinë e ndërtimit në krizë. Në buletinin ekonomik të botuar së fundmi, Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se efektet kryesore të rritjes së çmimeve të banesave kanë ardhur sërish nga kërkesa e lartë për strehim në kushtet kur ka një ofertë të kufizuar. Sipas raportit, çmimet e banesave kanë pësuar një rritje me 18 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2009, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kjo ecuri konfirmoi pikën e kthesës drejt rritjes graduale, të nisur që prej tremujorit të parë të vitit 2009. Të dhënat nga vrojtimet e besimit të bizneseve të ndërtimit tregojnë për një prirje në rënie të çmimeve të prodhimit, e cila nuk është reflektuar në çmimet e transaksioneve gjatë shitblerjes në dy tremujorët e fundit.
Efektet e kursit
Rritja vjetore e çmimit të banesave, duke përjashtuar efektin e nënçmimit vjetor të lekut ndaj euros, do të rezultonte vetëm 10 për qind (18 për qind me këtë efekt). Bazuar në të dhëna të tërthorta, gjykohet se zhvillimet në çmimet e banesave do të ndikohen si nga rritja e pritur e ofertës, e shprehur në vlerësime më pozitive të prodhimit në ndërtim, ashtu edhe nga një rënie e inventarëve të bizneseve të ndërtimit gjatë dy tremujorëve të fundit. Në tremujorin e tretë të vitit 2009, indeksi i qirasë së banesave (IQB) ra me rreth 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, indeksi i qirasë paraqitet në pothuaj të njëjtin nivel. Raporti i çmimit të shitjes së banesave (grafik 19) ndaj qirasë së tyre ka pësuar rritje në tremujorin e tretë të vitit 2009. Niveli i tij aktualisht qëndron më lart prirjes historike të këtij raporti, ndikuar si nga rritja e çmimit, ashtu edhe nga rënia e qirave të banesave në tremujorin e tretë të vitit 2009.
Industria më fitimprurëse
Tregu i ndërtimi ka vazhduar që të pësojë rritje gjatë gjithë viteve të fundit, duke i orientuar një pjesë të mirë të kapitaleve drejt vetes. Viti 2009 edhe për këtë sektor duket se ka pasur efekte domino, që kanë fshikulluar nga të dyja anët ndërtimin. Nga njëra anë kredia e dhënë për ndërtuesit ka pësuar një rënie të fortë, pasi sistemi bankar duke parë çka ndodhi në vendet e tjera, e kryqëzoi sektorin më vital në vend, duke i ndërprerë në mënyrë drastike financimet. Por ky nuk ishte i vetmi faktor që ka ndikuar në rrudhjen e ndërtimit. Duke qenë se blerjet e banesave nuk mund të financohen me të ardhurat korrente, për shkak të vlerës së tyre të konsiderueshme, rënia e kreditimit edhe për qytetarët që kërkojnë strehim solli lënin në stok të një numri të madh të tyre. Por sipas analizave të BSH-së, edhe në këto kushte çmimet e larta kanë vazhduar që të mbizotërojnë në treg, çka tregon edhe njëherë se tregu konsiderohet nga një ofertë e ulët dhe një kërkesë sërish e lartë. Ngurtësia e çmimeve dhe ngrirja e tyre në sektorin e ndërtimit shpeshherë vjen edhe për shkaqe që lidhen me borxhet e shumta që kanë sipërmarrësit e këtij sektori me bizneset që janë në linja të ndryshme prodhimi. Kriza ekonomike që ka infektuar vendin, pranuar tashmë edhe nga qeveria, ka bërë që blerjet me klering të vazhdojnë të rriten.
Stoqet në banesa
Nën efektet psikologjike të krizës financiare, bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të hezitojnë për të kredituar si biznesin e ndërtimit, ashtu dhe individët që kërkojnë të kreditohen për konsum apo për banesa. “Mungesa e likuiditeteve ka ardhur edhe nga rënia e remintancave të emigrantëve, si burim i rëndësishëm financimi për tregun shqiptar, me veprim të drejtpërdrejtë në nivelin e kërkesës konsumatore në ekonomi. Rënia e remintancave lidhet me faktin se ato burojnë nga ekonomitë e vendeve, të cilat tashmë kanë shpallur qartë hyrjen në fazë recesioni ekonomik. Padyshim, të gjithë këta janë faktorë që do të çojnë në rënien e mëtejshme të konsumit, me të gjithë pasojat e tjera zinxhirë në vijim”, - bëjnë të ditur ndërtuesit. Por mungesa e këtyre burimeve ka bllokuar këtë treg kaq të rëndësishëm në vend. “Në këtë atmosferë të përgjithshme, sektori i ndërtimit dhe tregu imobiliar po ballafaqohen me probleme e vështirësi të ndjeshme, ku për shkak të rënies së kërkesës konsumatore vihet re një rënie e theksuar e shitjeve. Sipas të dhënave, është më i madh se 4 mijë numri i banesave të ndërtuara që akoma janë të pashitura”, sqarojnë burime nga Shoqata e Ndërtuesve.