E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi, Kushtetuesja rrëzon të përndjekurit

 
Të burgosurit dhe internuarit politikë: Ligji për dëmshpërblimin financiar është antikushtetues, bën diferencime dhe nuk përcakton kritere dhe kushte të qarta për marrjen e parave
 
Leonard Bakillari
TRIANë - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje kërkesat e Shoqatës së të Burgosurve dhe Internuarve Politikë, të cilët kanë kundërshtuar ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Duke argumentuar se ligji që parashikon kompensimin dhe dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve nga sistemi i komunist, Kushtetuesja ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e shoqatave, ndërsa vendosi pushimin e çështjes për pikën e parë, në të cilën kërkohej të përfshiheshin në listën e kompensimeve edhe familjarët e të ekzekutuarve pa gjyq. Meqenëse kjo kërkesë është shtuar së fundmi në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, gjatë procesit gjyqësor, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, 6 prej të cilëve janë në përfundim të mandatit, janë fokusuar në pajtueshmërinë ose jo të këtij ligji me Kushtetutën e Shqipërisë. Në analizë ligjore janë marrë dy pikat e kërkesës së shoqatave, ku janë renditur një sërë çështjesh që, sipas paditësve, bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe privojnë pasardhësit e të përndjekurve apo të dënuarve politikë nga përfitimi i dëmshpërblimit.
Kërkesat
Sipas vendimit që Gjykata Kushtetuese ka marrë ditën e djeshme, bëhet me dije se në pikën 2 të kërkesës së shoqatave të të burgosurve dhe internuarve politikë, thuhet se ligji bën diferencime në mënyrën e trajtimit financiar të kategorisë së të internuarve dhe të dëbuarve, pasi personat që kanë vuajtur internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954 përfitojnë dëmshpërblim 1 mijë lekë në ditë, ndërsa për personat e internuar ose të dëbuar pas vitit 1954 parashikohet një skemë pensioni që do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Por ky pretendim është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka argumentuar se “përcaktimi i masës së dëmshpërblimit të të internuarve dhe të dëbuarve politikë i takon sferës së rezervës relative të ligjit, prandaj Kuvendi nuk ka pengesë kushtetuese që këtë problem t’ia delegojë për rregullim Këshillit të Ministrave. Gjykata vëren se neni 6, për efekt të dëmshpërblimit, i ndan të internuarit në dy grupe: personat që kanë vuajtur internimin në kamp me rrethim me tela me gjemba, deri në vitin 1954, dhe të internuarit ose të dëbuarit e tjerë. Nga formulimi i normës ligjore rezulton se kriteri dallues i kategorive të mësipërme është lloji i kampeve të vuajtjes së internimit. Nisur nga ky fakt dhe në vështrim të parimit të barazisë përpara ligjit, gjykata rithekson se, kur individët e grupet nuk ndodhen në kushte të njëjta a të ngjashme, mund të bëhen trajtime të ndryshme”, - thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Kriteret
Një tjetër çështje e rëndësishme që është trajtuar në kërkesën e dy shoqatave, kanë qenë kriteret dhe kushtet e përfitimit të dëmshpërblimit financiar nga kategoritë që përfitojnë. Sipas paditësve, kriteret dhe kushtet që parashikohen në ligj sjellin mospërfitimin e dëmshpërblimit, për një sërë arsyesh, duke filluar nga kundërshtia që ka mes neneve të të njëjtit ligj, e deri te koha e pamjaftueshme që u është lënë përfituesve për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. “Neni 4, pika “d” është dispozitë evazive dhe lë vend për interpretime të ndryshme, pasi nuk përcaktohet qartë se cilat duhet të jenë pasojat për jetën e shtetasve të tjerë. Në veprat penale politike nuk përfshihen dekretligjet për dënimet administrative, për dëbim internimet, ndërsa paragrafi i fundit i nenit 6 është gjithashtu dispozitë evazive, që lë vend për interpretime të ndryshme, pasi nuk parashikon metodologjinë me të cilën do të përcaktohet ndikimi i dëmshpërblimit të mëparshëm në dëmshpërblimin financiar në zbatim të ligjit objekt shqyrtimi”, -thuhet në kërkesën e dy shoqatave, që mbrojnë interesat e ish-të burgosurve dhe internuarve politikë. Sipas tyre, masa e dëmshpërblimit për familjarët e të dënuarve me dënim kapital është diskriminuese, pasi vlerësimi i jetës së humbur nuk bëhet mbi baza ligjore, ndërsa kriteret për ndarjen e fondit nuk janë të qarta. Por pavarësisht këtyre argumenteve, Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i rrëzojë ato, pasi në asnjërën prej pikave të përmendura nuk ka papajtueshmëri me ligjin themeltar të shtetit.
 
 
Mungojnë avokatët e Delijorgjit, shtyhet “Gërdeci”
TIRANë - Seanca gjyqësore ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit nuk është zhvilluar paraditen e djeshme, pasi dy prej avokatëve mbrojtës nuk ishin prezentë në sallën e gjyqit. Maksim Haxhia dhe Arben Prifti, avokatët që mbrojnë interesat e të pandehurve Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, kanë refuzuar gjykatën, duke u bërë kështu shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore edhe për një javë. Por nga shtyrja e seancës, gjykata nuk mundi të pyesë as 8 ish-punëtorët e fabrikës së demontimit të predhave, që ishin thirrur nga prokuroria për të dëshmuar, si dhe nuk u shpreh rreth kërkesës së organit të akuzës për marrjen e një prove të re. Në fillim të seancës, dy prej avokatëve mbrojtës kanë debatuar me kreun e trupit gjykues për numrin e seancave gjyqësore që duhet të zhvillohen në një javë. Me vendim, trupi gjykues ka caktuar që procesi ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008 të zhvillohet dy herë në javë, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga disa prej avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan që seanca të zhvillohet vetëm ditën e hënë. Sipas tyre, angazhimi në procese të tjera gjyqësore, në shkallë më të larta se Gjykata e Tiranës, bën që disa prej avokatëve ta kenë të pamundur pjesëmarrjen në këtë proces gjyqësor, pasi detyrimisht duhet të respektojnë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, kreu i trupit gjykues, Ridvan Hado, mbeti i palëkundur në vendimin e tij, që “Gërdeci” të zhvillohet dy herë në javë, pasi numri i provave që do të administrohen dhe dëshmitarëve që do të pyeten është tepër i madh. Në tragjedinë e rëndë të 15 marsit të 2008, nga shpërthimet e fuqishme në fabrikën e demontimit të armëve në pronësi të firmës “Albademil” humbën jetën 26 persona u plagosën me qindra të tjerë. Për këtë ngjarje prokuroria ka akuzuar 29 persona, të cilët janë në proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës.
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›