E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u gjetën paret për paga

Është dashur që policia, mjekët dhe punonjësit e judikaturës të hallakaten dhe të kërcënojnë me greva dhe tek atëherë Qeverisë t’i bjerë ndërmend se vitin e kaluar ka premtuar rritje pagash.

Megjithatë, edhe pse jemi në muajin shkurt, asnjë nga mantelbardhët në llogaritë e tyre nuk e ka parë se rroga i është rritur për 30 për qind.

Zyrtarë të lartë nga Ministria e Financave dhe Komisioni për buxhet i Kuvendit shpjegojnë se kjo rritje është paraparë me buxhetin e vitit 2010.

Shpjegimi për këtë, sipas Bedri Hamzës, zëvendësministër në Ministrin e Financave, është se pasi buxheti të aprovohet nga Kuvendi, duhet të kalojë kohë derisa të shpallet në gazetën zyrtare.

“Ne e kemi prezantuar faktin se do të ketë rritje 30 për qind dhe kjo është parapare edhe me buxhetin për vitin 2010”, thotë Hamza.

Sipas tij, rritje do të ketë për shërbyesit civilë në tërësi, vetëm se duhet pritur disa pengesa procedurale, siç është miratimi i Ligjit për shërbyesit civilë. Njëjtë rritja prej 10 për qind është paraparë me buxhet edhe për policinë, porse edhe këtu duhet pritur derisa të miratohet Ligji për policinë.

“Në kuadër të buxhetit është ndarë edhe fondi për rritjen e pagave”, ka shtuar Hamza.

Megjithëkëtë, mbetet e paqartë se pse Ministria e Shëndetësisë ka marrë edhe një herë vendim për rritjen e pagave prej 30 për qind. Ky vendim pret nënshkrimin e kryeministrit Hashim Thaçi. Mirëpo, nëse këto mjete janë paraparë me buxhet dhe një dikaster i Qeverisë merr edhe një herë vendim, sipas Haki Shatrit, deputet i Kuvendit të Kosovës, i bie që Qeveria problemet sociale i zgjidh vetëm në bazë të presionit të rrugës.

Madje, sipas tij, kjo rritje as që figuron në buxhetin e vitit 2010.

“Nëse e shikoni buxhetin, aty për shëndetësinë janë 72 milionë euro. Kurse me rritjen prej 30 për qind duhen edhe 20 milionë të tjera”, thotë ai.

Kjo shumë e mjeteve, thotë Shatri, duhet të kalojë në Kuvend dhe të tregohet se nga do të merren ato para.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për buxhet, Gani Koci, thotë se rritja prej 30 për qind ka qenë e projektuar për buxhetin e këtij viti.

“Ka pasur pengesa për ekzekutim. Opozita duhet të flasë diçka”, thotë Koci.

Sipas tij, nuk duhet harruar përafërsisht 8 milionë të hyra vjetore që realizojnë institucionet shëndetësore. Këto mjete, ai thotë se punonjësit shëndetësorë mund t’i përdorin varësisht prej nevojave që kanë.

Megjithatë, deputeti Shatri tha se të hyrat vetanake as për së afërmi nuk mund t’i kënaqin apetitet e mantelbardhëve për paga dinjitoze. Sikurse nuk mund të kenë efekt të madh 5 milionë euro të tjera shtesë për të gjithë shërbyesit civilë të parapara me buxhet. “Por kur merret parasysh fakti se janë mbi 70 mijë punonjës, ndikimi i tyre për rritje pagash do të jetë tepër i vogël”, pohoi Shatri.

Ndërkaq për Policinë, Qeveria i ka rritur pagat vitin e kaluar 10 për qind, ndërsa rritjet eventuale, sipas Ministrisë së Brendshme, do të ndodhin vetëm për shtesa.

Qeveria e Kosovës dje në mbledhjen e saj e ka hequr nga rendi i ditës vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për rritje pagash për 30 për qind.

I bashkon greva
Greva për rritje pagash kanë paralajmëruar pothuajse të gjitha sindikatat. Vlen të përmendet ajo e punonjësve shëndetësorë, e cila i ka dhënë afat qeverisë deri më 1 mars për plotësimin e kërkesave. Pastaj, sindikata e Doganave, Policisë, burgjeve dhe judikaturës. Sipas Qeverisë së Kosovës, vonesat për ekzekutimin e 30-përqindëshit për mantelbardhët, policinë dhe rritja e pagave për shërbyesit civilë në tërësi është pasojë edhe e mungesës se ligjeve. Mungon Ligji për shërbyesit civilë dhe Ligji për Policinë e Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›