E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza përçohet në Strasburg, acarohet klima politike në TiranëNga Tema UPDATE- Opozita ka reaguar pas sulmit të kryetares së Kuvendit me anë të deputetes Mimi Kodheli. Ajo bëri publike letrën që u quajt tradhti kombëtare nga Topalli e tha s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kriza përçohet në Strasburg, acarohet klima politike në TiranëNga Tema
UPDATE- Opozita ka reaguar pas sulmit të kryetares së Kuvendit me anë të deputetes Mimi Kodheli. Ajo bëri publike letrën që u quajt tradhti kombëtare nga Topalli e tha se opozita ka kërkuar të drejtat e saj që janë nëpërkëmbur nga Topalli.
“Sot të gjithë shqiptarët kuptuan edhe një herë se Kuvendi i Shqipërisë drejtohet nga sharlatanë politikë të cilët njësoj si ne kohen e diktaturës, shpikin armiq të brendshëm që sabotojnë punët e Shqipërisë. Mjaft më me gënjeshtra!
Ndryshe nga Jozefina Topalli, që tund letra përpara kamerave, por nuk guxon t’i lexojë ato, ne jemi transparentë. Kjo është letra që Partia Socialiste i ka dërguar Këshillit të Europës, ku kërkojmë asgjë më tepër sesa zbatimin e përpiktë të rregullores që Topalli e shkel me të dy këmbët.
Ne letër shprehemi si më poshtë:
Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 7, pika 3, Kryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend. Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por dhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një. Opozita e drejtuar nga socialistet ka patur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme megjithëse ka patur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. E njëjta gjë ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist. Ky akt dhunon gjithashtu Nenin 6 – Kredencialet – të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Kryetarja e Parlamentit, është ajo që po e bën Shqipërinë gazin e botës, duke mos respektuar dhe duke shkelur të gjitha të drejtat që i takojnë opozitës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në përfaqësimin e saj jashtë. Ky është një turp që duhet të marrë fund, sepse koston e këtyre veprimeve i paguajnë shqiptarët dhe imazhi i vendit tonë. Letra është në dispozicionin tuaj.

Z. Mateo Sorinas
Sekretar i Përgjithshëm
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës

I dashur zoti Sorinas,
Më lejoni t’ju informoj në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, në cilësinë time si person përgjegjës i opozitës për politikën e jashtme në Kuvend dhe si Sekretare Ndërkombëtare e PSSh-së që delegacioni i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është emëruar nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, në shkelje të rënda të rregullores së Kuvendit dhe të rregullores së AP-së së KE-së.

Opozita e kryesuar nga Partia Socialiste ka 65 vende nga 140 vende që janë gjithsej në parlament. Siç mund të jeni informuar për krizen politike, pas zgjedhjeve 28 qershorit opozita ka bërë kërkesë për të ngritur një komision parlamentar për të hetuar parregullsitë që kanë shoqëruar procesin elektoral. Kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga maxhoranca qeverisëse dhe si rrjedhojë opozita nuk do të jetë në Kuvend deri sa të plotësohet kjo kërkesë.

Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, neni 7, pika 3, Kryetarja e Kuvendit emëron anëtarët e delegacioneve në bazë të konsultimeve me kryetareët e grupeve parlamentare dhe përfaqësimi duhet të reflektojë përbërjen e Parlamentit. Në rast mosmarrëveshjesh duhet të votohet në Kuvend. Emërimi është bërë në mënyrë arbitrare jo vetëm se nuk është respektuar rregullorja, por dhe vendet që i takojnë opozitës janë reduktuar vetëm në një. Opozita e drejtuar nga socialistet ka patur dy anëtarë në delegacionet e mëparshme megjithëse ka patur më pak vende në krahasim me vendet që ka sot. E njëjta gjë ka ndodhur me anëtarët zëvendësues, të cilët janë emëruar pa u konsultuar me autoritetet e grupit parlamentar socialist, që gjithnjë është përballur me dhunimin dhe margjinalizimin nga ana e Kryetares së Kuvendit. Ky akt dhunon gjithashtu Nenin 6 – Kredencialet – të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Bazuar në Nenin 7 të Rregullores së AP-së së KE-së, ne sfidojmë një nga anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë për arsyet e sipërpërmendura dhe ju kërkojmë juve, zoti Sekretar i Përgjithshëm, që duke ushtruar autoritetin tuaj të respektohet rregullorja e AP-së së KE-së dhe të ndërmjetësoni që Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë të ndalojë së provokuari opozitën në Shqipëri nëpërmjet diversionit që bie ndesh me projekt raportin dhe projekt rezolutën e publikuar nga Komisioni i Monitorimit të kësaj Asambleje të nderuar, që i bëjnë thirrje të gjitha palëve për t’i dhënë fund krizës politike dhe institucionale nëpërmjet dialogut.

Më lejoni zoti Sekretar i Përgjithshëm që të përsëris dhe njëherë konsideratën më të lartë për punën tuaj fisnike për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, veçanërisht në demokracitë e reja si Shqipëria.

Sinqerisht,

Arta DADE,
Deputete
Sekretare Ndërkombëtare e PSSh-së

***

Para disa ditësh, në një draft rezolutë të Këshillit të Europës thuhej se vendi ynë është në krizë për shkak se opozita ka bojkotuar Kuvendin duke kërkuar hetim të zgjedhjeve. Rezoluta vijonte më tej duke thënë se kjo situatë po dëmton edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe KiE, për shkak se nuk është e mundur që të formohet delegacioni shqiptar për në Asamblenë e KiE. Kjo nuk e ka penguar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli që të formojë një delegacion. Por dje kryetarja e Kuvendit u shfaq duke fyer opozitën, e duke deklaruar se ajo po pengon integrimin e vendit. Topalli nuk pranoi pyetje nga gazetarët.
Kryetarja e Kuvendit tha se opozita përmes një letre ka kërkuar përjashtimin e Shqipërisë nga KiE.
“Jam sot këtu, për të informuar opinionin publik për një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë, të cilën do ta konsideroja si një atentat të qëllimshëm ndaj imazhit politik të Shqipërisë.
Dy dite më parë, pra, më datë 24 Janar, Partia Socialiste, nëpërmjet kësaj letre, që mban stemën dhe vulën e Partisë Socialiste, e firmosur nga Arta Dade, i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Europës, heqjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare. De facto, përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm europian.
Në mënyrë të qëllimshme, zyrtarisht, Partia Socialiste mashtron Këshillin e Europës, kur thotë se, citoj, “Kryetarja e Parlamentit ka shkelur rregulloren, duke mos respektuar proporcionalitetin në përbërjen e delegacionit”.
Kësaj gënjeshtre nuk po i përgjigjem me fjalët e mia, por me vendimin e Komitetit për Rregulloren, Manadatet dhe Imunitetet në Strasburg. Pas verifikimit, sot ky komitet vendosi se, po citoj, “Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e Rregullores së Asamblesë Parlamentare. Për këtë arsye u vendos unanimisht, siç thuhet në raport, se “kredencialet e delegacionit të Shqipërisë të ratifikohen”.
Për asnjë moment nuk kam dyshuar se Këshilli i Europës do të merrte këtë vendim për Shqipërinë. Se besueshmëria e vendit nuk rrezikohej. Kam pritur zyrtarisht këtë vendim, që zyrtarisht të përgjigjem me fjalët e Europës dhe jo me fjalët e mija. Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet dhe mashtrimet e autorëve të këtyre trakteve kundra Shqipërisë, të përcjella në Strasburg me letër dhe me telefon. Kam ndjekur me durim të gjithë ata që, në media, triumfalisht dhe me kënaqësi, deklaronin se kjo ishte hera e dyte që po i shkaktonin Shqipërisë një atentat të tillë në Strasburg.
Në fakt përsëri gënjejnë! Kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë. 15 vjet më parë, zyrtarisht, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Namik Dokle, deklaroi në seancën ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës se, po citoj sërish “Molla nuk është pjekur ende”, duke votuar kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, në vitin 1995.
Në cilësinë e Kryetares së Kuvendit, nuk i garantoj dot shqiptaret se të njëjtët shokë dhe shoqe në Partinë Socialiste apo jashtë saj, nuk do të bashkohen për t’i bërë Shqipërisë të njëjtin atentat për herë të katërt, të pestë apo të gjashtë. Ajo për të cilën unë garantoj shqiptarët është se besueshmëria e vendit, kredencialet e tij në cdo organizëm, ku ne marrim pjesë, do të ratifikohen gjithnjë, po me votë unanime. Si sot.
Sot, në këtë moment, besoj se të gjithë shqiptarët bashkohen me mua në ndjesinë e përçmimit dhe neverisë ndaj këtij akti të denjë per kohën më të errët të ekzistencës së Partisë së Punës, të cilën, dikush, sot, pas 20 vjetësh, na e rikthen po aq të përbuzshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg. Dhe ky njeri ka një emër. Edvin Kristaq Rama.
Ata shqiptarë, që më 28 qershor votuan Partinë Socialiste, nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama, të kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Europës dhe as të pengojë liberalizimin e vizave.
Përkundrazi! Çdo shqiptar, pavarësisht për cilën parti ka votuar, ka aspiruar dhe aspiron për ribashkimin e Shqipërisë me Europën.
Turpi është zgjedhje e Edvin Kristaq Ramës. Dështimi, si gjithnjë, është fati i tij. Europa është zgjedhja dhe fati ynë dhe i gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata që votojnë Partinë Socialiste…jo Partinë e Punës,” tha Topalli.
Edhe kryetari i LSI, Ilir Meta tha se nuk është shkelur asnjë ligj me mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve.
Megjithatë, në rregulloren e funksionimit të Asamblesë së KiE, thuhet se delegacioni duhet të përfaqësojë një frymë të ndershme politike e përfaqësimi. Është pikërisht kjo ajo që quhet vlerë europiane e demokratike.

***

Deputetë të mazhorancës kanë deklaruar në mënyrë entuziaste se kredencialet e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë shkrirë. Sipas tyre Komisioni i Rregullores ka vendosur që delegacioni të vazhdojë punë normalisht. Ata kanë sulmuar ashpër opozitën dhe kreun e saj, duke e përçuar kështu krizën politike dhe në Strasburg. Ndërkohë, në rezolutën që është përgatitur për Shqipërinë theksohej në pikat e para se kriza politike në Shqipëri ka dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Këshillit të Europës, për shkak se nuk mund të ketë një delegacion të rregullt për në Asamblenë Parlamentare të KiE.
Megjithatë, në një kohë kur KiE deklaron se Shqipëria është në krizë politike, demokracia nuk është konsoliduar dhe angazhohet fuqishëm për të zgjidhur krizën, mazhoranca dërgon atje një delegacion me përbërje anti-demokratike. Vetë presidenti në largim i Asamblesë Parlamentare të KiE, Lluís Maria de Puig tha se është për të ardhur keq që Shqipëria është në krizë dhe nuk ka konsoliduar demokracinë e saj pas kaq shumë kohësh.
Deputetja Lajla Përnaska ka deklaruar madje se edhe vetë propozuesi për ngrirjen e kredencialeve, Andreas Gross, ka ndryshuar mendje. Megjithate burimet nga Strasburgu thonë se KiE, e cila është e gatshmë të vijojë ndihmën për të zgjidhur krizën e rëndë politike në vend, nuk ka preferuar që të acarojë situatën duke mbajtur qëndrim dhe për delegacionin tonë. Ata kanë dhënë një leksion duke e quajtur atë në kundërshtim me vlerat evropiane dhe tashmë do marrin në dorë rekomandimet për të dalë nga kriza.
Pas bërjes publike të draft-rezolutës së KiE, palët nuk qëndruan ndryshim.

***

Tema zbardh disa detaje të skandalit të rëndë me delegacionin shqiptar që na përfaqëson në Këshillin e Europës, tempullin e demokracisë.
Është ndoshta një ngjarje, ndër më të rëndat në historinë e Asamblesë. Delegacioni shqiptar nuk reflekton përbërjen e parlamentit shqiptar, ashtu siç parashikohet në rregulloren e Asamblesë së Këshillit të Europës.
Ka qenë fillimisht zoti Andreas Gross, i Zvicrës që ka ngritur këtë çështje. Ai ka deklaruar se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson përbërjen e Kuvendit. Gross ka qenë dhe drejtues i Komisionit të Mandateve.
Gross i është referuar rregullit 6.2a të rregullores që parashikon se delegacioni duhet të jetë i kompozuar, në mënyrë që të jetë në përputhje të ndershme me përfaqësimin politik. Kërkesa e Gross është pranuar për shkak se atë e kanë mbështetur, sipas rregullores, së paku dhjetë deputetë që vijnë nga pesë delegacione të shteteve të ndryshme.
Tashmë do të vendoset përfundimisht për çështjen e sfidimit të kredencialeve të paratifikuara. Kjo mund të ndodhë edhe me anë të një raporti të Komitetit për Detyrimet dhe Angazhimet (Komiteti Monitorues), ose nga të paktën 30 anëtarë të Asamblesë, të mbledhur nga pesë delegacione të shteteve të ndryshme.
Por ajo që e bën më të rëndë situatën është se në rregullore parashikohet se çdo anëtar duhet të bëjë një deklaratë në formë betimi, të nënshkruar prej tij. Në rregullin me numër gjashtë, pika 2b, thuhet se çdo anëtar në mënyrë individuale bën deklaratën, e cila citohet më poshtë dhe që është një angazhim për t’iu përmbajtur principeve kryesore të Këshillit të Europës. Këtu duket se nis pikërisht problemi i thellë i delegacionit tonë. Kastriot Islami nuk ka deklaruar ende nëse ka nënshkruar një deklaratë të tillë, por ka thënë se është në Tiranë, në pritje të betimit për të bërë betimin e më pas për tu bërë deputet. Ai nuk njihet si i tillë. Ndërkohë Jozefina Topalli ka anuluar dje një aktivitet ku duhej të ishte e pranishme, për të shmangur përballjen me median. Ajo është mjaftuar me një deklaratë të zëdhënëses ku sulmohej opozita, e cila po i bën dëm imazhit të vendit. Ajo nuk ka përmendur se ngrirja e të drejtës së votës është bërë me kërkesë të disa anëtarëve të rëndësishëm të asamblesë, si zoti Gross, që kanë drejtuar dhe Komisionin e Mandateve, dhe që e njeh mirë këtë situatë.

***

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, pas një propozimi të Komisionit të Monitorimit pranë tij, ka vendosur që të pezullojë të drejtën e delegacionit shqiptar për të votuar. Bashkë me Shqipërinë është dënuar dhe Armenia. Parlamentarët kanë argumentuar se “delegacioni shqiptar shkon në kundërshtim me vlerat evropiane”, ndërsa për delegacionin armen është theksuar se “është zgjedhur pas manipulimeve të parlamentit me rregulloren”. Vendimi do të diskutohet të enjten më tej.
Këshilli i Europës i jep një goditje të rëndë imazhit të vendit tonë. Pas deklaratës së një grupi brenda të majtës së ka vendosur që të hyjë në Kuvend, kryetarja e Kuvendit ka vendosur të japë shpërblimin e parë. Ajo ka vendosur në delegacion një deputet të majtë, edhe pse nuk i njeh si të tillë pasi nuk kanë bërë betimin dhe nuk u jep asnjë pagë. Topalli ka bërë një koment qesharak kur ka thënë se ai ka qenë anëtar i këtij delegacioni në mandatin e kaluar, duke e bërë të trashëgueshëm këtë funksion.
Ndërkohë dje Topalli ia ka atribuuar opozitës këtë ngjarje të rëndë, edhe pse kanë qenë parlamentarët që kanë bërë cilësimin e turpshëm se delegacioni është në kundërshtim me vlerat europiane.

Dade: Skandali me Këshillin e Europës, një arsye më shumë për të protestuar

Deputetja socialiste, Arta Dade tha dje se do të vijojnë protestat, që tashmë kanë dhe një shkak tjetër, skandalin me delegacionin shqiptar në Këshillin e Europës.
“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës edhe njëherë na jep leksione demokracie për maxhorancën shqiptare. Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli mëse njëherë e ka kryer këtë detyrë më së miri dukë dëmtuar imazhin e vendit. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Konstatimi sipas medias se delegacioni shqiptar nuk përfaqëson vlerat e Europës është një mësim tjetër që mazhoranca duhet ta marrë.
Për këtë arsye, ne do të vazhdojmë protestat në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të vlerave europiane që shqiptarët aspirojnë.
Gjithashtu ajo çka zonja Topalli ka bërë ditët e fundit, bie ndesh me sugjerimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë prestigjiozë, të cilët i bëjnë thirrje politikës shqiptare që të zgjidhin krizën funksionale, politike dhe institucionale përmes dialogut. Ajo çfarë ka ndodhur në Strasburg, përveçse i përkeqëson gjërat, nuk sjell asgjë në dobi të zgjidhjes së krizës,” tha Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›