E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me armë në lokal, vritet shqiptari në Itali

 ITALI - Një shqiptar 37-vjeçar është vrarë me armë zjarri dje në Milano, Itali, pas një sherri të dhunshëm mes disa personash në një lokal nate. Motiv i grindjes masive mësohet të ketë qenë fjalët "një koment i pavend" për një vajzë, ndërsa gjatë përleshjes u plagosën edhe dy persona të tjerë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e vendit fqinj. Sipas burimeve, shqiptari Artin Avrami është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt në pjesën e parme të trupit dhe ka pësuar vdekje të menjëhershme. Ngjarja është shënuar pak pas mesnatës të së dielës, në një pub në rrugën "Taveçhia 18". Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet policore italiane, në lokalin ku u bë më pas grindja ishin rreth 50 klientë. Pak pas mesnatës, mes dy grupeve shqiptarësh dhe italianësh, të vendosur në dy tavolina të ndryshme, ka nisur një grindje me fjalë. Grindja ka vijuar në konfrontim fizik dhe më pas një nga italianët dhe një nga shqiptarët kanë drejtuar pistoletat ndaj njëri-tjetrit. Armët janë shkrehur disa herë në drejtime të ndryshme dhe për pasojë është vrarë emigranti shqiptar Avrami. Gjithashtu nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur një tjetër emigrant shqiptar i moshës 36-vjeç, si edhe një italian, plagët e të cilëve nuk përbënin rrezik për jetën. Sipas burimeve, shkak që ka "ndezur" konfliktin mes palëve kanë qenë komentet rreth një vajze në një nga tavolinat. Mediat italiane nuk bënin të ditur dje emra të personave të arrestuar për ngjarjen, ndërsa mësohet se prokurorët kanë marrë dëshmitë e të pranishmëve në ngjarje.                  a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›