Sherri për cigaren, plagoset oficeri
Sherri për bishtin e cigares së hedhur përtokë për pak sa nuk i mori jetën shefit të Krimeve të Lushnjës. Altin Hadëri, 31 vjeç, u qëllua me një plumb në bark mëngjesin e djeshëm, pasi kishte pirë kafen e mëngjesit pranë shtëpisë. Ngjarja ndodhi në lagjen "Apolonia" të Fierit, ndërsa është identifikuar si autor i saj 32-vjeçari Robert Gjenica, banor i Dërmenasit. Ai është shpallur në kërkim nga policia, menjëherë pas zbardhjes së emrit. Provë e plagosjes së oficerit Hadëri ka mbetur një gëzhojë dhe arma me të cilën u qëllua. Policia e Fierit konfirmoi dje se plagosja erdhi pas një sherri të çastit për motive të dobëta, duke mohuar lidhjen e saj me detyrën e Hadërit. PlagosjaBurimet zyrtare të policisë thanë dje, se ka qenë ora 06:55 e mëngjesit kur një person, fillimisht i paidentifikuar, ka qëlluar Hadërin, duke e lënë atë të plagosur rëndë. Sipas burimeve policore, plagosja e shefit të Policisë Kriminale ka ardhur pas një konflikti të çastit mes këtij të fundit dhe personit tjetër, të ndodhur në ambientet e lokalit të lagjes "Apolonia". Menjëherë sapo ka qëlluar mbi Hadërin, autori është larguar, ndërsa janë njoftuar menjëherë edhe punonjës të policisë dhe spitalit të Fierit. Hadëri është shoqëruar menjëherë për në urgjencën e spitalit, ku pas një ekzaminimi ka rezultuar se plumbi i ka depërtuar në bark. Pikërisht për këtë fakt, mjekët e spitalit të Fierit, kanë vendosur që mbi Hadërin të kryhet një operacion, i cili ka zgjatur më shumë se tre orë. Pasi ka dalë nga salla e operacionit, Hadëri është shtruar në reanimacion dhe sipas mjekëve nuk ka rrezik për jetën. Nga ana e tyre, punonjës të kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier kanë filluar punën për të zbardhur shkaqet dhe motivet që çuan në plagosjen e shefit të të njëjtit sektor në Lushnje. Në kuadër të hetimeve janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë dhe pistoleta me të cilën është qëlluar Hadëri.Hetimet Nga grumbullimi i këtyre të dhënave, ka filluar edhe puna për zbardhjen e të gjitha pistave të mundshme që mund të kenë çuar në debatin e nxehtë mes dy personave, me pasojë plagosjen e njërit prej tyre. E ndërsa është duke u punuar në disa pista, dëshmia kryesore për këtë ngjarje, pritet të dalë nga vetë i plagosuri. Burime nga polica e Fierit bëjnë të ditur se Altin Hadëri ka njohur personin, prandaj edhe identifikimi i autorit është bërë sapo ai është përmendur pas operacionit. Ndonëse nuk bëhet i njohur zyrtarisht shkaku i sherrit, policia e Fierit konfirmon se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën që mban oficeri i policisë. Dyshohet se Hadëri ka debatuar me Gjenicën, pasi kishte pirë kafen e mëngjesit. Një bisht cigareje i hedhur përtokë nga Hadëri duket se ka qenë shkak i grindjes me Gjenicën, i cili ndodhej i ulur në një tavolinë tjetër të lokalit. Policia pohoi dje se që nga momenti i identifikimit, Robert Gjenica, banues i fshatit Dërmenas, është shpallur në kërkim. Një vëlla i Gjenicës mësohet se është arrestuar në tetor të vitit 2008, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Milanos në Itali me 23 vite burg, për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike". Pavarësisht këtij precedenti në familjen Gjenica, vetë i kërkuari për ngjarjen e djeshme nuk rezulton të ketë dosje në policinë e Fierit. Zyrtarisht pohohet se ndaj 32-vjeçarit Robert Gjenica nuk është iniciuar ndonjë hetim, ndërsa prej ditës së djeshme ndaj tij rëndon akuza e "vrasjes së mbetur në tentativë". Altin Hadëri, nga Antitrafiku tek KrimetVetëm 3 javë më parë, Hadëri ishte komanduar në detyrën e shefit të Policisë Kriminale në komisariatin e Lushnjës. Ky emërim erdhi pas 6 muajsh në sektorin e Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku 31-vjeçari kishte punuar si inspektor. Altin Hadëri jetonte në lagjen "Apolonia" në qytetin e Fierit, me familjen e tij. Babai i dy fëmijëve u shtrua me urgjencë në spitalin e Fierit, por ndërhyrja e shpejtë mjekësore e shpëtoi atë. Mjekët konfirmuan mbrëmë se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Në dhomën ku qëndronte shefi i Krimeve, vizitat kanë qenë të shpeshta, jo vetëm nga të afërm të tij, por dhe nga drejtues të policisë e kolegë. Disa orë pas ngjarjes së rëndë, familjarët e Hadërit kanë shmangur deklarimet, duke mos lejuar as komunikimin me 31-vjeçarin. Të vetmet fjalë që ai ka thënë dje mbi ngjarjen, i janë drejtuar grupit hetimor, i cili ka kryer veprimet për të identifikuar autorin dhe zbardhur shkaqet e plagosjes. Prej disa vitesh, Hadëri ka qenë pjesë e policisë së Fierit, duke arritur të ecte përpara deri në komandimin e tij në krye të Policisë Kriminale të Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, gjatë kësaj periudhe Hadëri nuk ka pasur ndonjë konflikt ose incident të ndodhur për shkak të detyrës