E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturisti i OSSH-së, "vjedh" 26 mln lekë

 TIRANE - Një faturist i energjisë elektrike pranë OSSH-së së Degës Tiranë, është ndaluar dje nga oficerët e seksionit Kundër Korrupsionit. Policia tha se ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila më 22 janar 2010 ka vendosur ndaj ish-faturistit masën e sigurisë "arrest shtëpie", me akuzën "shpërdorim detyre". Burime nga policia thanë se është ndaluar 37-vjeçari Lirjan Qirici, për të cilin Operatori i Shpërndarjes së Energjisë së Tiranës, kishte depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal, duke pretenduar se kishte shpërdoruar detyrën në disa raste. Pasi u krye dokumentimi ligjor i konsumimit të veprës penale, gjykata vendosi masën e sigurisë së arrestit në shtëpi për 37-vjeçarin Qirici. Burime nga policia thanë se është provuar që Qirici gjatë kohës kur ka qenë i punësuar si faturist i energjisë elektrike pranë OSSH-së, Dega Tiranë, ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 26 milionë lekë të vjetra. Sipas specialistëve të OSSH-së, por edhe të Krimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, ky dëm ka ardhur si rezultat i dublimit të faturave të energjisë, në të cilat ai shënonte shuma të ndryshme parash. Ndryshe në faturën reale që depozitohej për llogari të Operatorit të Shpërndarjes dhe ndryshe te fatura që i jepej klientit, duke i marrë në këtë rast paratë në dorë e më pas duke bërë ndarjen e tyre. Edhe pse Lirjan Qirici, gjatë deklarimeve që ka dhënë para oficerëve të policisë, nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke pretenduar se në asnjë rast nuk ka dubluar fatura, hetimet kanë zbuluar dhjetëra raste të tilla, që tashmë janë të dokumentuara dhe disa të tjera që vazhdojnë të hetohen. Deri në përfundim të hetimeve, 37-vjeçarit i duhet të qëndrojë në "arrest shtëpie".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›