E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret shokun për radhën në bilardo, pranga 30-vjeçarit

 FUSHE-KRUJE - Zihen për radhën e bilardos, vret shokun me tre plumba. Artan Elezi, 37 vjeç, sipas policisë u vra me armë zjarri pistoletë nga Skerdilajd Shala pas mesnatës së të dielës. Ata ndodheshin në shoqërinë e njëri-tjetrit në një nga bilardot në hyrje të qytetit të Fushë-Krujës, kur ndodhi ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e Elezit. Sipas dëshmitarëve, pasi janë sharë e ofenduar, 30-vjeçari ka nxjerrë armën që e mbante me vete duke qëlluar tre herë. Elezi ka mbetur i plagosur rëndë nga plumbat që mori në pjesë të ndryshme të trupit. Dëshmitarët e nisën menjëherë atë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, por fatkeqësisht ai ndërroi jetë gjatë rrugës. Pas krismave të armës, por edhe sinjalizimit të dhënë nga personat që u ndodhën në vend, policia e Fushë-Krujës mbërriti menjëherë në vendin ku ndodhi vrasja. Ata kryen identifikimin e autorit në pak minuta dhe u vunë menjëherë në kërkim të tij. Mësohet se bluve u janë dashur rreth pesë orë kërkime intensive për të bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit. Pas bllokimit të të gjitha rrugëdaljeve nga ana e policisë, si dhe vendosjen e disa postblloqeve në disa akse ku dyshohej se 30-vjeçari mund të lëvizte, ai u kap në kushtet e flagrancës. Sipas burimeve të policisë, Shala është kapur së bashku me armën e krimit në dalje të Fushë-Krujës, rreth orës 07: 45 minuta, teksa po tentonte të kalonte në Malësinë e Krujës për t'u fshehur. "Kisha shoqëri me Artan Elezin. Konflikti me të lindi për radhën për të luajtur në bilardo. Nuk mendova më gjatë. Isha i dehur. Pas ofendimeve që më bëri Artan Elezi, unë e ndjeva veten të pafuqishëm për shkak të pijes që kisha konsumuar. Në këtë moment nxora pistoletën duke e qëlluar për ta plagosur. Më vjen keq që ka vdekur. Por ngjarja ka ndodhur nën efektin e pijes", mësohet se është shprehur autori i arrestuar i kësaj vrasjeje. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›