Romë, firmoset paketa kundër krimit në rajon
TIRANE - Prokurorët e Përgjithshëm të shtatë vendeve të Ballkanit firmosën dje në Romë të Italisë, memorandumin për Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Prokuroria e Përgjithshme tha dje se në këtë ceremoni ishte e pranishme drejtuesja e këtij institucioni Ina Rama. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, ndodhet në Romë ku po zhvillohet takimi në kuadër të projektit PROSECO, i financuar nga Këshilli i Evropës dhe BE. Sipas burimeve nga Prokuroria, nënshkrimi i marrëveshjes mes Prokurorëve të Përgjithshëm të Evropës Juglindore ka për qëllim rritjen e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar në rajon. Krahas përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, në këtë takim morën pjesë Prokurorët e Përgjithshëm të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës e Maqedonisë. Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë Ina Rama ka firmosur këtë memorandum ku së bashku me vendet pjesëmarrëse, ky nënshkrim pritet të shmangë vështirësitë procedurale që ekzistonin më parë, në hetimet mes palëve. Sipas Prokurorisë, objekti i memorandumit është bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të Krimeve të Rënda. Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, Holta Zhiti, tha se qëllimi që kërkon të arrijë ky nënshkrim memorandumi mes këtyre vendeve të Ballkanit, është lehtësimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të drejtpërdrejtë mes prokurorive dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta. Sipas burimeve zyrtare, nga drejtuesit e institucioneve, nënshkruese të memorandumit, është shprehur dje vullneti i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit. Kryeprokurorët përcaktuan edhe pikat e kontaktit mbi të cilat do vazhdojnë punën konkretisht. t.s