CEZ Personat që do të largohen nga OSSH
Autori i Lajmit: Anilejda ShëmbitrakuOperatori i Sistemit të Shpërndarjes ka deklaruar zyrtarisht se ka startuar reformën në administratën e tij. Kjo reformë do të shkaktojë një numër të konsiderueshëm të papunësh. Reforma rrezikonte të prekte rreth 850 punonjës, por me ndërhyrjen e sindikatave ky numër është reduktuar në 600 punonjës, të cilët konsiderohen të paprofilizuar, abuzues me detyrën dhe jo të domosdoshëm për sistemin e ri mbi të cilin do të ngrihet OSSH- ja e re nën drejtimin e firmës çeke CEZ, e cila ka privatizuar 75% të saj. Sipas kryetarit të Konfederatës Sindikaliste Kolë Nikollaj, me planin e ri të investimeve, futja e teknologjisë së re dhe informatizimi i të dhënave, reduktimi i numrit të punonjësve ishte bërë i pashmangshëm. “Kompania ceke CEZ është anëtare e shoqatës së punëdhënësve EURO-ELEKTRIK, me të cilën sindikata evropiane EMCEF, anëtare e së cilës është KSSH, ka nënshkruar një kontratë kolektive internacionale. Për rrjedhojë, ne jemi e vetmja sindikatë në Shqipëri që jo vetëm kemi një kontratë kolektive me OSSH (CEZ), por dhe një kontraktim ndërkombëtar internacional”,- ka deklaruar kryetari i KSSH-së, Kolë Nikollaj. Ndërkohë që tashmë janë përcaktuar kategoritë e punonjësve që do të shkarkohen nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Sipas burimeve nga sindikata, ata janë faturistët, të cilët janë kapur me vjedhje dhe që përbëjnë një numër prej rreth 150 punonjësish, një pjesë e madhe e shoferëve si dhe ekonomistët, të cilët nuk janë të diplomuar në fushën që mbulojnë. Sipas kryetarit të KSSH-së, jo të gjithë këta punëtorë të shkarkuar do të zëvendësohen nga teknologjia e avancuar që do të sjellë CEZ në Shqipëri. Me largimin e këtyre punonjësve do të hapen vende të tjera pune, por që për të cilët do të selektohen profesionistë dhe njerëz të kualifikuar në fushat e duhura. Sipas burimeve për gazetën “Ballkan”, CEZ pak nga pak po vë në jetë zbatimin e pikave të marrëveshjes që ka bërë me qeverinë shqiptare dhe me Ministrinë e Ekonomisë në momentin e shitjes së saj. Ndërkohë që vendi vazhdon të jetë në krizë ekonomike, shtimi i numrit të të papunëve do të ndihet më shumë në këtë ekonomi të brishtë. Sipas burimeve nga OSSH, këto shkurtime janë vetëm të parat në këtë lloj, sepse CEZ do të vazhdojë të bëjë shkurtime në qendër dhe në drejtoritë rajonale në rrethe. Numri i përgjithshëm mendohet të arrijë rreth 1800 punonjës të shkurtuar.
Pajtim Bello
“Punonjësit po i heq nga puna qeveria dhe Ministria e Ekonomisë”
“Duhet të keni parasysh se shkurtimet e punonjësve të OSSH-së nuk po bëhen nga CEZ, por po bëhen nga Qeveria shqiptare dhe nga Ministria e Ekonomisë”,- kështu ka deklaruar në prononcimin e dhënë për gazetën “Ballkan”, ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello. Sipas zotit Bello, tashmë pikat e errëta të marrëveshjes për shitjen e OSSH-së nuk janë më sekrete, sepse ka filluar zbatimi i tyre në praktikë. Është vënë garancia e Qeverisë shqiptare prej 80 milionë dollarësh për të siguruar biznesin e blerësit të OSSH. “Institucionet shtetërore po tallen me konsumatorët dhe me punonjësit e OSSH-së, duke folur për mbrojtjen e tyre, për subvencion të energjisë për shtresat në nevojë, duke dhënë shifra fiktive etj. Blerësi i energjisë elektrike është i mbrojtur me ligjin që ka miratuar marrëveshjen për shitjen e OSSH-së. Rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitet 2010 - 2015 është paravendosur dhe çdo procedurë është false dhe pa vlerë ose më mirë ka vlerë propagandistike për të thënë se qeveria do t`i “mbrojë” konsumatorët, kur në fakt po i penalizon ata”,- ka theksuar Bello.
Reforma
CEZ pastron OSSH-në nga militantët dhe të paaftët
Sipas kryetarit të KSSH-së, reforma që po ndërmerr CEZ do të ketë prioritet të saj profesionalizmin dhe rendimentin në punë duke hequr një herë e përgjithmonë nga kurrizi i punëtorëve tmerrin e presionit psikologjik e politik, duke sjellë militantë e njerëz të paaftë në drejtim e menaxhim, si dhe njerëz të korruptuar, të cilët kanë përfituar në mënyrë të pandershme me administrimin e pronës publike dhe ekzekutivi i merr në mbrojtje duke i qarkulluar apo u gjetur të tjera vende të majme pa dhënë asnjë llogari për katrahurën dhe qorrsokakun, ku e çuan sistemin energjetik në këto vite. Reforma e burimeve njerëzore, sipas Konfederatës po bëhet me asistencën e një firme auditimi ndërkombëtare në bashkëpunim me sindikatën dhe me kritere të qarta profesionale duke respektuar vjetërsinë në punë, arsimin dhe formimin profesional të secilit punonjës, kredibilitetin e tij, besnikërinë e tij në punë dhe rendimentin në realizimin e detyrave të ngarkuara.
Skema
Procedura e uljes së humbjeve në rrjet
ERE parashikon zvogëlimin e humbjeve totale në shpërndarje, sipas një skenari të tillë: 4% reduktim për vitin 2010, 4% për 2011 dhe 9% nga 2012 deri në 2015. Duke iu referuar shpenzimeve të OSSH-se për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve të miratuar nga ERE, çdo realizim më i lartë i kostove për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve do të jetë në përgjegjësi të OSSH-së, ndërsa çdo realizim më i ulët i tyre do të jetë në përfitim të OSSH-së. Deklarata rregullatore përcakton edhe trendin e uljes së humbjeve të energjisë që për vitin 2008 ishin 32% të totalit. Deri në fund të vitit 2014, ERE i ka vendosur kusht OSSH-së që të arrijë në një nivel humbjesh prej 15%. ERE pret përmirësim të shpejtë në nivelin e humbjeve joteknike dhe një përmirësim më të ngadaltë, por të vazhdueshëm në reduktimin e humbjeve teknike.
Kriteret
1- Arsimi përkatës
2- Vjetërsia në punë
3- Formimi profesional
4- Ndershmëria dhe përkushtimi
5- Kredibiliteti
6- Realizimi i detyrave të kërkuara
Shkurtohen
1- Personat pa arsimin përkatës
2- Një numër i shoferëve
3- Një numër i faturistëve
4- Personat që kanë vjedhur
5- Personat që nuk kanë rendiment në detyrë
6- Personat që kanë denoncime nga klientët
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010