Shtyhet shqyrtimi i dekreteve të Topit
Komisioni i Ligjeve shtyn shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Topi për shqyrtimin e tri dekreteve, për në Gjykatën e Lartë. Në axhendë ishte parashikuar seanca e parë dëgjimore me kandidaturën e Medi Bicit ditën e hënë, por kjo seancë është shtyrë për një ditë tjetër. Arsyeja mbetet shtyrja e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të cilat janë programuar të votohen në seancën e ditës së enjte. Ndryshimet në rregullore përcaktojnë një kohë prej 8 javësh për Komisionin e Ligjeve, ndërsa aktualisht deputetët kanë vetëm 3 javë për shqyrtimin e këtyre dekreteve, afat i cili ka përfunduar pasi dekretet kanë mbërritur në datën 25 maj në Kuvend. Komisioni i Ligjeve kishte programuar që ditën e hënë të zhvillonte seancën dëgjimore me kandidatin Medi Bici, ditën e martë me kandidatin Vexhi Muçmata ndërsa të mërkurën me Sokol çomo. Deputetët kanë paraqitur pyetje me shkrim për kandidatët ndërsa Komisioni i Ligjeve ka kërkuar informacion zyrtar nga disa institucione për këto kandidatura. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali ka bërë me dije se u është dërguar kërkesë disa institucioneve si KLD-së, Prokurorisë, etj, për këto kandidatura. Ende nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohen këto seanca dëgjimore me kandidaturat, por mendohet se ato do të zhvillohen pas miratimit të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit. Ndryshime, që kontestohen nga opozita, parashikojnë që dekretet të miratohen me votë të hapur në Kuvend.