E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, PS nis lobingun te ndërkombëtarët

Aksioni Selia rozë, në kontakt me kancelaritë ndërkombëtare

Vendimi i opozitës për rinisjen e protestave në muajin prill do të jetë një zhvillim politik që do të kombinohet me një fushatë informuese edhe në selitë e diplomacive perëndimore. Burime nga ekipi drejtues i Partisë Socialiste deklaruan dje për “Shqip” se kontaktet me përfaqësues politikë të Parlamentit Europian nuk kanë munguar që prej ditës së shtunë, pra menjëherë pas dështimit të debatit parlamentar. Në funksion të informimit, por edhe të përkrahjes së kauzës së PS, duket se selia rozë nuk do të heqë dorë nga lobimi në Bruksel. “Që ditën e shtunë e në vijim ne kemi marrë kontakte me përfaqësues të PE, përfshi edhe liberalët. Jemi shumë optimistë se në ditët në vijim do të ketë zhvillime në këtë drejtim, përfshi këtu aktivitete të ndryshme ndërkombëtare ku ne do të marrim pjesë dhe do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë”, theksuan burimet nga PS. Me më shumë rëndësi është pritshmëria që selia rozë po ushqen nga nismat lobuese në Bruksel, prej të cilave nuk përjashtohet as edhe ripërcaktimi i një qëndrimi të mirëfilltë politik për krizën në Shqipëri. “Ne jemi të bindur dhe presim edhe qëndrime politike nga institucionet e BE lidhur me situatën e krijuar”, nënvizuan burimet pranë selisë rozë. Edhe pse është ende herët për të gjykuar mbi kapacitetin e PS në përqasjen e faktorit ndërkombëtar me pozicionin e vet për krizën aktuale, është më se e sigurt se një reagim është i pashmangshëm. Kjo mund të merret me mend jo vetëm duke u nisur nga reagimet e para të përfaqësuesve të ndryshëm të selive të huaja të akredituara në Tiranë, por edhe pasi normalizimi i situatës në vend është i lidhur ngushtë me fazën ku ndodhet Shqipëria në raport me proceset integruese. Në prizmin e interesave socialiste maksimumi i arritjes do të ishte një qëndrim i ri politik, pse jo një rezolutë e re nga komuniteti europian për krizën, e cila do të kishte rolin e një norme detyruese për qeverinë shqiptare. Lidhur me këtë opsion, burimet pranë PS u shprehën optimiste, duke nënvizuar se përmbajtja e mesazheve të shkëmbyera së fundmi japin shenja se një theksim i toneve ndaj qeverisë është i afërt. Forma institucionale dhe zyrtare e këtyre nismave gjithsesi do të sanksionohet pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare që pritet të mblidhet brenda një jave dhe ku vendimet e së cilës do të shërbejnë si mandat politik për të vijuar betejën e nisur. Në këtë kuadër, Asambleja shërben edhe si një mundësi për të zyrtarizuar opsionet e mundshme të ndërmjetësimit të krizës politike, si nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga Presidenca shqiptare; një mundësi e pamohuar deri më tani. E mbështetur me vendimin për protesta si një dimension radikalizues i krizës, selia rozë shpreson kështu që të dyfishojë presionin ndaj shumicës edhe me një aksion jashtë vendit. Për të përfituar maksimumin si argumente do të shërbejnë vendimi për rifillimin e protestave, rinisja e mundshme e bojkotit parlamentar, por edhe “gabimi” i shumicës për ngritjen e një Komisioni Hetimor të njëanshëm, i cili u kritikua si “i padobishëm” nga drejtuesi i OSBE në Tiranë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›