E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: “Ministria e Ekonomisë nuk i kontrollon procedurat e dhënies së koncesioneve”



Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka akuzuar dje Ministrinë e Ekonomisë për mosushtrimin e kontrollit ndaj procedurave të dhënies së koncesioneve.
Ai shpjegon se sipas ligjit të miratuar, kompetenca e shqyrtimit të ankimeve nga Agjencia e Prokurimit Publik i ka kaluar një autoriteti pranë kryeministrit, të quajtur Agjencia e Koncesioneve, por që edhe sot e kësaj dite nuk është ngritur ende. Kështu, sqaron deputeti Gjiknuri, të interesuarit nuk kanë se ku të ankohen për shkeljet e ligjit në dhënien e koncesioneve, pasi shteti nuk ka ngritur autoritetin përkatës sipas ligjit.
“Ka mbi 5 muaj që procedurat e dhënies së koncesioneve nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli në lidhje me zbatimin e ligjit, pasi nuk ka asnjë autoritet që të shqyrtojë ankesat në lidhje me procedurat e dhënies së koncesioneve”, - u shpreh Gjiknuri, duke deklaruar se gjatë kësaj periudhe Ministria e Ekonomisë ka vazhduar dhënien e koncesioneve, pavarësisht se nuk ka asnjë organ shtetëror të ngritur për të mbikëqyrur këto procedura, duke i hapur shteg abuzimit. Këtë sjellje të qeverisë Gjiknuri e ka cilësuar një rast flagrant të nëpërkëmbjes së ligjit në një nga fushat më të spikatura të korrupsionit qeveritar, atë të dhënies së koncesioneve. Sipas tij, të gjitha procedurat shumëmilionëshe të zhvilluara nga Ministria e Ekonomisë gjatë kësaj periudhe nuk i janë nënshtruar asnjë mbikëqyrjeje, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe, si të tilla, duhet të anulohen. “Një qeveri që vazhdon të bëjë sehir kur ligji shkelet në mënyrë të hapur për shkak të mosveprimit të saj është qartësisht bashkëpunëtore në këtë aktivitet të paligjshëm që po tjetërson pasuritë publike pa asnjë mbikëqyrje ligjore”, - tha deputeti Gjiknuri, duke shtuar: “Rasti në fjalë është një rast i qartë i shpërdorimit të detyrës që meriton hetim nga Prokuroria, pasi publiku do të dijë se përse Ministria e Ekonomisë jep me koncesion pasuritë publike, ndërkohë që nuk ka asnjë organ që ta mbikëqyrë këtë proces, si dhe përse kryeministri Berisha e ka lënë në heshtje këtë proces, duke mos ngritur organin përkatës megjithëse ligji e detyron për një gjë të tillë? Mungesa e transparencës si për votën e lirë, ashtu edhe për mënyrën se si shteti tjetërson pasuritë publike, është një motiv i fortë për të protestuar më 30 prill”.

28 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›