Kriza politike, ambasadorët: Të gjendet zgjidhja para 6 marsit

Ambasadorët i bëjnë apel klasës politike shqiptare që të gjejnë zgjidhje. Në të kundërt rrezikohet integrimi
TIRANË - Ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë u ka sosur durimi. Pas takimeve pa rezultat të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, ambasadorët e BE-së janë mbledhur dje në zyrën e Ambasadorit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.
Pas një takimi prej 90-minutash, ata kanë dalë në përfundimin se drejtuesit e dy forcave kryesore politike në vend duhet të japin rezultate konkrete dhe se zgjidhja duhet të gjendet deri në datën 6 Mars.
Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, në cilësinë e vendit që ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, e ka thënë qartë dje se takimet duhet të sjellin rezultate, pasi në të kundërt rrezikohet integrimi i vendit. Në një deklarim për mediat, menjëherë pas takimit të zhvilluar, Ambasadori Montobio ka bërë apel për një zgjidhje të shpejtë.
"Pozicioni dhe mesazhi i 27 vendeve të BE është shumë i qartë. Perspektiva europiane e Shqipërisë varet nga këto momente historike. Nëse nuk ndërmerren veprime tani, hapat e tjera mund të rrezikohen.
Dialogu duhet të vijë nga vetë liderët e Shqipërisë. Ne mendojmë se kjo tryezë dialogu është një hap i mirë, por duhet të prodhojë rezultat dhe madje shumë shpejt. Rezultati duhet të vijë para 6 marsit që t'i lejojë opozitës të shkojë në parlament dhe ngrejë komision parlamentar, i cili do të kënaqë të dy palët dhe bazuar në transparencë dhe Kushtetutë sipas propozimit të Presidentit të Republikës", - tha Montobio.
I pyetur mbi mundësinë e gjetjes së një zgjidhje nga vetë ndërkombëtarët lidhur më situatën politike në vend, Ambasadori sqaroi se kjo nuk është detyrë e tyre. "Nuk do japim opinion për pozicionet e asnjërit nga aktorëve politik, por ne si BE themi pasojat e mundshme që vijnë prej kësaj krize", - tha Montobio në prononcimin e tij për mediat.
Takimi i ambasadorëve vjen pas një sërë takimesh që ata kanë zhvilluar jo vetëm me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, por edhe me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama. Por, përpos përpjekjeve të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhje, ende PD-ja e PS-ja qëndrojnë të pozicionuara në llogoret e tyre. Dy ditë më parë, kryeministri Berisha u shpreh se mazhoranca mbetej e hapur për dialog.
Në një deklarim për mediat, menjëherë pas takimit të zhvilluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Berisha u shpreh se mbetej i hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve që nuk kishin lidhje me kutitë e votimit. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, paralajmëroi gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të medias në qytetin e Elbasanit se protestat do të ishin afër në rast se nuk gjendej një zgjidhje për këtë çështje.
Në një intervistë për "Deutsche Welle", kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, flet për situatën politike në vend
Lohan: Kriza rrezikon hapjen e negociatave
Zoti Lohan, dje Presidenti Bamir Topi vazhdoi bisedimet me kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Rama dhe me Ju, që kryesoni delegacionin e BE-së në Tiranë, për të ecur drejt zgjidhjes së krizës politike 6-mujore në Shqipëri.
Por, në përfundim palët deklaruan përsëri të njëjtat qëndrime të kundërta lidhur me hapjen e kutive të votimit, që përbën kushtin e vetëm që opozita të kthehet në Parlament.
Cili është opinioni juaj i deritanishëm, a jeni optimist në suksesin e këtij hapi politik?
Bashkimi Europian ka mirëpritur faktin që Presidenti ka thirrur një tryezë të rrumbullakët, të nisur të shtunën e kaluar, më 13 shkurt dhe që vazhdoi dje. BE-ja i konsideron të dyja raundet e bisedimeve të deritanishme si fillim të një procesi. Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta duartrokitur apo lavdëruar ndonjë hap të veçantë në këtë proces.
Dialogu politik mes palëve nuk është si në një lojë tenisi ku çdo set komentohet nga dikush. Besoj se ky proces do të çojë në një zgjidhje të suksesshme brenda kohës së duhur.
Sa e rëndësishme është për Komisionin Europian zgjidhja e suksesshme e krizës?
Në rast se, për fat të keq ajo nuk gjendet pikërisht tani, para 4 marsit, ose 6 muajve që Kushtetuta njeh të drejtën e deputetëve opozitarë për të bërë betimin dhe për t'u futur në Parlament, a rrezikon ecurinë e procesit integrues europian?
Në fakt nga këndvështrimi i KE-së, pyetja për të cilën duhet të marrë një përgjigje është: A e plotëson Shqipëria kriterin politik për anëtarësim në BE?
Dhe është shumë e qartë që nëse Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të mos funksionojë si duhet edhe për një periudhë tjetër kohore, atëherë Shqipëria ndodhet përballë një rreziku të madh që Komisioni të mos ketë mundësi të rekomandojë hapjen e negociatave për pranimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Prandaj është e rëndësishme që për hir të interesit të integrimit europian të Shqipërisë, drejtuesit politikë të Shqipërisë të mos lenë të kalojë rastin e tryezës së rrumbullakët presidenciale për të hedhur hapa konkretë drejt gjetjes së një zgjidhjeje.
Ku e shihni mundësinë e konvergimit të qëndrimeve të kundërta të deritanishme të kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama?
Të gjithë drejtuesit politikë të Shqipërisë kanë shpallur gjithmonë integrimin europian të vendit si një nga objektivat e tyre parësore, më të rëndësishme. Dhe vërtet ky objektiv ka qenë dhe mbetet forca e madhe lëvizëse, që ka qëndruar dhe qëndron pas politikave të tyre.
Prandaj, mendoj se baza e ecjes drejt konvergimit të qëndrimeve të tyre të kundërta deri më tani është perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë. Kjo perspektivë është në mendjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe sidomos në këtë situatë të veçantë.
Marrë nga "DW"
Topi, optimist: Ngërçi politik do të kalojë shumë shpejt
TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, po angazhohet personalisht në gjetjen e pikëtakimeve të kërkesave mes mazhorancës dhe opozitës.
Zyra e shtypit e Presidentit ka sqaruar dje përmes një njoftimi për shtyp se në takimet e zhvilluara dy ditë më parë me kryeministrin Sali Berisha e kryetarin e opozitës Edi Rama, nuk ka pasur propozime konkrete, e për pasojë as kontestime, duke theksuar se dialogu do të vazhdojë.
"Kryetari i Shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë. Nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime.
Palët janë shprehur dukshëm të vendosur të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës, i cili nga ana e tij është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Ndërsa në një intervistë për RTK, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tha ndër të tjera se në Shqipëri ekziston një ngërç politik, për të cilin, kreu i shtetit u shpreh se do të kalojë shumë shpejt. "Unë mendoj që është një ngërç politik, i cili jam i bindur që do të tejkalohet shumë shpejt", - u shpreh Topi.