PD, kundër vendimit të Kushtetueses: Të hapen dosjet

Deputetët e PD-së propozojnë që periudha e regjimit komunist të konsiderohet si e tillë deri në zgjedhjet e 22 marsit 1992
TIRANË - Mazhoranca ndërsa deklaroi se do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzon ligjin e lustracionit, ka vendosur që t'i shkojë deri në fund qëllimit të saj për të hapur dhe publikuar dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit dhe të gjithë funksionarëve të lartë të regjimit komunist.
Pavarësisht se një qëllim i tillë bie ndesh me këtë vendim, Komisioni i ligjeve ka miratuar dje pjesën më të madhe të neneve të projektligjit "Për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri", objekt i punës së të cilit do të jetë ndërmjet të tjerave edhe identifikimi i akteve ligjore dhe nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, hapja e arkivave dhe kopjimi i materialeve të tyre, evidentimi i personave që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për vendime që kanë çuar në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë në veprime represioni në jetën shoqërore e kulturore.
Ajo që atakon direkt vendimin e gjykatave dhe që në fakt është një kopjim i një dispozite të ligjit të lustracionit është edhe germa "ë" e nenit 4 të projektligjit, ku përcaktohet se "instituti publikon dhe përhap materialet e shkruara në letër dhe në rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime për krimet e komunizmit dhe pasojat e tij".
Në fakt i gjithë drafti i paraqitur që një vit më parë në Kuvend, është i ndërtuar tërësisht mbi frymën që kishte ligji i rrëzuar i dosjeve, pasi ngritja e një instituti të tillë dhe i gjithë objekti i punës së tij thuajse ishte përcaktuar edhe në të.
Duke përfituar nga mungesa e deputetëve të opozitës, deputetët e djathtë kanë kaluar 9 nenet e para të këtij projektligji, pa bërë asnjë rregullim thelbësore nga projekti fillestar për ta sjellë atë në përputhje me logjikën e përdorur nga kushtetuesja në vendimin e saj për ligjin e dosjeve.
Madje të zgjedhurit e djathtë nuk janë mjaftuar me atë që përcaktonte ky projektligj, pasi kanë tentuar që të prekin sërish një nga temat më të diskutuara edhe gjatë miratimit të ligjit të dosjeve dhe që ka të bëjë me kufizimin kohor të sistemit komunist, i cili dhe do të merret në studim.
Kështu, me propozim të deputetit Gent Strazimiri dhe me mbështetjen e disa deputetëve të tjerë, si Paulina Hoti, Eduard Halimi apo Arenca Trashani, komisioni është përpjekur për ta sanksionuar me ligj se sistemi komunist ra në 22 mars 1992 kur fitoi zgjedhjet Partia Demokratike.
"Në qoftë se bëhet fjalë për krime dhe viktima të komunizmit në këtë kuptim data e mbylljes së periudhës mbi të cilët duhet të hetojë dhe studioje ky institut duhet të jetë dita kur juridikisht ka mbaruar së funksionuari sigurimi i shtetit si një organizatë e strukturuar kriminale", - tha Strazimiri.
Në ndihmë të tij ka ardhur deputeti Halimi, i cili ka bërë një propozim konkret duke përcaktuar pikërisht 22 marsin ditën e mbarimit të funksionimit të regjimit komunist.
"Unë do të thosha se data më e përshtatshme për të përkufizuar regjimin komunist është data kur Partia e Punës iku nga pushteti. Nuk mund të marrim si datë datën e zgjedhjeve të para pluraliste, sepse ka qenë Sigurimi i Shtetit ai që ka organizuar masakrën e 2 prillit në Shkodër.
Data që mund të themi se komunizmi është larguar përfundimisht nga qeverisja është data kur janë bërë zgjedhjet e 22 marsit 1992", - tha deputeti Eduart Halimi.
Ky diskutim nuk ka të bëjë thjesht me vendosjen e një date simbolike, por me këtë ndryshim deputetët e djathtë kërkuan që të konsiderojnë si pjesë e regjimit komunistë dhe të gjithë drejtuesit dhe administratën shtetërore që funksionojë që pas pranimit të pluralizmit politikë në vend, pra 8 dhjetori 1990 dhe deri në 22 mars 1992.
Çka do të sillte që të gjithë kryeministrat, ministrat, apo funksionarët e tjerë të lartë të qeverive të pas 8 dhjetorit 1990 përfshi qeverinë teknike, apo qeveritë e drejtuar nga Fatos Nano dhe Ylli Bufi të konsideroheshin komuniste dhe të ishin objekt i punës së këtij instituti.
E ndërsa amendimi i propozuar prej demokratëve priste vetëm finalizimin me votë, ka ndërhyrë deputeti i LSI-së Nasip Naço, i cili ka kërkuar që të respektohej data e vendosur në draft nga qeveria, pra 8 dhjetori, pasi çdo tentativë për ta zgjatur këtë kohë do të hapte një debat pa fund. "Mendoj se duhet t'i përmbahemi projektit të ardhur nga qeveria dhe të jetë nga data 29 nëntor 1944 dhe deri në 8 dhjetor 1990.
Ndërsa propozimi që erdhi për 22 marsin 1992 ka brenda dhe qeverinë e stabilitetit dhe qeveri të tjera që erdhën deri në zgjedhje dhe kështu s'do dalim dot kurrë", - tha Naço, çka detyroi shumicën që të tërhiqet nga propozimi i vet.
DebatiPaulina Hoti:
"Periudha e komunizmit është konsideruar 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990. Ka ndonjë arsye që është limituar me 8 dhjetorin?"
Hasan Metuku (Drejtor Juridik në Këshillin e Ministrave):
"Periudha është konsideruar që nga 29 nëntori 1944 kur regjimi komunist është vendosur dhe deri në 8 dhjetor të 1990 si data simbol e lejimit të pluralizmit politikë në Shqipëri".
Dashnor Sula:
"Pse është konsideruar 8 dhjetori, mos vallë deri këtu ka mbaruar së funksionuari sigurimi i shtetit dhe gjithë makina shtetërore e atij sistemi?"
Metuku:
"Propozimi i Këshillit të Ministrave ka qenë për një afat kohor. Ndoshta çmontimi i tyre nuk është bërë i plotë dhe sot ndoshta ka ende përfaqësues të Sigurimit të Shtetit në institucione të ndryshme dhe për këtë qëllim u miratua ligji i lustracionit. Çka do të thotë se kjo datë konsiderohet e rëndësishme se është momenti i lejimit të pluralizmit dhe çmontimit juridik të asaj periudhe".
Gent Strazimiri:
"Unë do të doja në tryezë një propozim. Në nenin 2 në katër pika përcaktohen koordinatat e ligjit. Tek periudha e komunizmit është përcaktuar më shumë për arsye simbolike data 29 nëntor 1944 si fillimi dhe data 8 dhjetor 1990 si mbarimi.
Por, të gjithë jemi të vetëdijshëm se data 8 dhjetor është vetëm fillimi i rënies së sistemit komunist, ku data e rrëzimit të bustit të diktatorit 20 shkurti është një moment tjetër kulmor. Zgjedhjet e para të lira dhe demokratike mund të jenë një moment tjetër fitoreje të forcave demokratike.
Data të tjera ne mund të gjejmë. Duke qenë se me këtë ligj flasim për krimet dhe viktimat unë mendoj se organet e Sigurimit të Shtetit kanë funksionuar si një organizatë kriminale me statut, madje dhe jashtë atij statuti.
Dhe në qoftë se bëhet fjalë për krime dhe viktima të komunizmit në këtë kuptim data e mbylljes së periudhës mbi të cilët duhet të hetojë dhe studioje ky institut duhet të jetë dita kur juridikisht ka mbaruar së funksionuari sigurimi i shtetit si një organizatë e strukturuar kriminale.
Për hir të së vërtetës duhet të lëshojmë diçka nga simboli i 8 dhjetori, prandaj dita e pushimit të funksionuarit të sigurimit të shtetit duhet të ishte në memorie të shqiptarëve".
Ilir Rusmali:
"Dhe cila ditë do të ishte kjo?"
Gent Strazimiri:
"Duhet të jetë dita kur parlamenti shqiptar ka vendosur mbi pushimin së ekzistuari të sigurimit të shtetit. Dhe instituti deri në atë ditë duhet të jetë e nevojshme të ketë hapësirën për të studiuar veprimtarinë kriminale të atij regjimi".
Paulina Hoti:
"Mbështes Strazimirin për sa propozoi"
Ilir Rusmali:
"Ka një diskutim që është pak i vështirë, nëse është ky një kufizim që ne i vendosim studimit të periudhës së komunizmit. Periudha e komunizmit ka lënë pasoja që njerëzit i vuajnë edhe sot e kësaj dite.
A ka të drejtë ky institut që ti studiojë këto pasoja dhe a do ishte normale që ne ta kufizonim këtë studim në këtë datë që ju thoni. Vendosja e terminologjisë sistem komunist nuk e përjashton mundësinë që të studiojë edhe pasojat më vonë.
Ne ndoshta kemi nevojë vetëm për një kufizim e periudhës së komunizmit. Ky përkufizim kë do të kishte si datë më të përshtatshme, zgjedhjet e para pluraliste, data kur Partia e Punës la pushtetin?"
Metuku:
"Qeveria ka zgjedhur si ditë simbolike 8 dhjetorin dhe unë e thashë dhe më parë. Në lidhje me shtrirjen e strukturave apo organeve të ndryshme që për shkak të mungesës së ligjeve kanë shtrirë veprimtarinë edhe më vonë, kjo është në gjykimin tuaj për ta vendosur"
Nasip Naço:
"Mendoj se duhet t'i përmbahemi projektit të ardhur nga qeveria dhe të jetë nga data 29 nëntor 1944 dhe deri në 8 dhjetor 1990. Ndërsa propozimi që erdhi për 22 marsin 1992 ka brenda dhe qeverinë e stabilitetit dhe qeveri të tjera që erdhën deri në zgjedhje dhe kështu s'do dalim dot kurrë.
Me aq informacion sa kam unë shërbimi i sigurimit të shtetit ka mbaruar së funksionuari më datën 2 korrik 1990 me futjen e njerëzve në ambasada. Ditën tjetër sigurimi i shtetit është shpërndarë. Po deshët shihni dhe arkivat. Prandaj unë i përmbahem dhe do votoj këtë datë që ka dhe projekti i qeverisë"
Rusmali:
"Jam tërësisht dakord me zotin Naço që germa ku përcaktohet datat duhet të rinte si e tillë"