E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, KQZ pranon: Numërimi i votave pati probleme

Raporti përfundimtar për zgjedhjet i KQZ-së evidenton probleme dhe parregullsi që janë kryer gjatë procesit të numërimit të votave. Problemet pranohen edhe nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani


TIRANË - Zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 Qershorit, të kontestuara nga opozita, kryesisht për procesin e numërimit të votave, janë konsideruar me probleme edhe nga raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare dhe ato të pjesshme.


Ashtu siç nxori në nxori në pah edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it, sipas të cilit 1/3 e qendrave të numërimit është numëruar keq ose shumë keq, ky raport i publikuar ditën e djeshme, evidenton probleme dhe parregullsi, që janë kryer gjatë procesit të numërimit të votave, për zgjedhjet e Qershorit.


Raporti evidenton se procesi në përgjithësi u realizua sipas procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe udhëzimeve të nxjerra nga institucioni i KQZ-së, por, saktësohet gjithashtu se gjatë procesit të numërimit janë kryer disa bllokime të pajustifikuara nga ana e komisionerëve të zonave zgjedhore, si dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave.


Sipas këtij raporti, megjithëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërhyri për të kthyer normalitetin në procesin e numërimit, ndikimi i forcave politike krijoi vonesa dhe në disa raste e bllokuan procesin e numërimit të votave. Raporti shton se në këto kushte, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu desh që në katër raste, të sillte në Tiranë bazën materiale për të vijuar normalisht procesin e numërimit.


"Procesi i numërimit të votave në pjesën më të madhe të tij shkoi në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor dhe udhëzimet e nxjerra nga KQZ-ja, por, gjithsesi, ky proces u karakterizua nga disa bllokime të pajustifikuara nga ana e komisionerëve të ZAZ-ve, por dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ushtruar të gjithë të drejtën që i jep ligji në mënyrë që këto komisione të mos ndërprisnin procesin, por ndikimet dhe ndërhyrjet e partive politike sollën vonesa ose, në disa raste, e bllokuan fare procesin e përfundimit të numërimit të votave.


Në këto kushte, KQZ-ja mori vendime për të zgjidhur situatat e krijuara dhe në katër raste vendosi të tërheqë bazën materiale (kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore), dhe t'i sjellë në KQZ", - theksohet në raportin e KQZ-së.


Problemet në procesin e numërimit të votave që i vë në dukje raporti, i ka pranuar edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Sipas Ristanit, institucioni që ai drejton ka nxjerrë në pah problemet në procesin e numërimit dhe bllokimet që janë bërë ndaj këtij procesi.


"Janë përmendur sigurisht problematikat që kemi pasur në numërim, bllokimi që është bërë, ndërhyrjet e komisionit për ti mbajtur nën kontroll dhe për t'i përfunduar me sukses numërimet", - tha dje Ristani, gjatë mbledhjes së KQZ-së.


Raporti, i cili paraqet një panoramë të zgjedhjeve të vitit të kaluar, evidenton probleme në disa nga qarqet kryesore në vendit. Sipas raportit në qarkun e Fierit, në tre Qendra Numërimi është bllokuar procesi i numërimit të votave për shkak të presioneve të ushtruar ndaj komisionerëve.


Ky raport shton se KQZ-ja ndërhyri me qëllim rifillimin e procesit të numërimit të votave, por sipas raportit, kjo gjë nuk u arrit, pasi në Vendet e Numërimit të Votave qëndronin persona të paautorizuar për të qëndruar në këto ambiente.


Në këtë mënyrë, materialet e katër Qendrave të Votimit u sollën në KQZ, në mjediset e së cilës u zhvillua edhe procesi i numërimit. Ndërsa në qarkun e Beratit, raporti thekson se është lënë jashtë procesit të numërimit 1 kuti votimi, pasi në kuti është vënë re mungesa e materialeve të ndryshme zgjedhore.


Raporti shton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përfshirë në rezultat dy qendra votimit të qarkut Fier, pasi kutitë e këtyre qendrave mungesa të materialeve si dhe në listën e zgjedhësve nuk është shënuar numri i dokumentit të identifikimit. Gjithashtu probleme në procesin e numërimit janë vërejtur edhe në Tiranë.


Sipas raportit, në disa Vende të Numërimit të Votave janë vënë re vonesa dhe bllokime të procesit të numërimit. Duke iu referuar problematikave të paraqitura më lart në procesin e numërimit, sipas raportit të institucionit të administrimit të zgjedhjeve, nevojitet që në zgjedhjet e ardhshme duhet të bëhen ndryshime në ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor, për të lehtësuar procesin e numërimit të votave.


"Mendojmë që në të ardhmen, në ndarjen e zonave të administrimit zgjedhor duhet të bëhen ndryshime, në funksion të lehtësimit të procesit të numërimit të përqendruar të votave", - citohet në raport.


Raporti paraqet edhe ankimimet e subjekteve zgjedhore të mbërritura në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa nuk jep asnjë hollësi lidhur me kërkesën për dy anëtarë të KQZ-së mbi numërimin e votave, siç parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Pas miratimit ditën e sotme në Komisionin e Zgjedhjeve, ky raport më 20 shkurt do të shkojë për votim në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›