E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama uron Kosovën: 17 Shkurti si 28 Nëntori

Në emër edhe të opozitës shqiptare, lideri socialist u shprehë se 17 shkurti i vitit 2008, do të kujtohet njësoj si 28 nëntori i vitit 1912.

“Ashtu si 28 nëntori 1912, 17 shkurti i vitit 2008, dita kur u firmos dokumenti historik i lindjes së shtetit më të ri në botë, është një datë e destinuar të ngulitet thellë në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve. Ndaj dhe dëshiroj t’u shpreh urimet e mia më të sinqerta të gjithë vëllezërve e motrave tona në Kosovë, për këtë festë të kurorëzimit të përpjekjes së tyre shekullore, që i bën mbarë shqiptarët të ndjehen sot krenarë e optimistë për të ardhmen e kombit të tyre”, tha Rama midis të tjerash.

Kreu socialist tha se në dy vite, Kosova ka dhënë shembullin më të mirë për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, duke hedhur poshtë pretendimet se pavarësia e saj do të sjellë destabilitet. “Sot Kosova e pavarur ka bërë në vetëm dy vjet hapa të mëdhenj në procesin e demokratizimit dhe modernizimit. E shkatërruar nga lufta dhe shtypja e viteve ‘90, ajo sot ka arritur të vendoset mbi themelet e një shteti demokratik me një axhendë të qartë evropiane; një shtet i ngritur mbi parimet e bashkëjetesës multietnike; një shtet, që duke zgjedhur të falë padrejtësitë e historisë, ka dëshmuar një seriozitet të pamohueshëm në përpjekjet për integrimin e minoriteteve, ashtu sikundër po garanton me seriozitet standarde demokratike për këdo që në Kosovë zgjedh e zgjidhet”, tha më tej Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›