Hysi: “Ristani shkeli ligjin, do të përballet me pasojat e tij”
Partia Socialiste ka akuzuar dje kryetarin e Komisionit Qendror Zgjedhor, Arben Ristani, për shkelje të ligjit, duke marrë vendimin për djegien e fletëve të votimit. Nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi, selia rozë bëri të ditur se kryetari i KQZ-së do të përballet me pasojat e rënda ligjore. Sipas Hysit, nëpërmjet vendimit për të djegur fletët e votimit, kryeministri Sali Berisha dhe ushtari i tij Arben Ristani, nuk bënë gjë tjetër veçse po zhdukin gjurmët e krimit elektoral që gatuan më 28 qershor 2009. Hysi gjithashtu bëri të ditur se vendimi për djegien e fletëve të votimit dhe ai për arkivimin e listave të zgjedhësve janë provat më të qarta që vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit nga kryeministri Berisha.
Qëndrimi
“Është bërë tashmë e qartë për të gjithë që Sali Berisha dhe Arben Ristani, ushtari i Saliut në krye të Komisionit Qendror Zgjedhor, po bëjnë çmos për të groposur dhe djegur faktet e krimit elektoral që ata gatuan së bashku më 28 qershor. Por është bërë tanimë e qartë për të madh e të vogël se Sali Berisha i vodhi zgjedhjet dhe se shqiptarët sundohen nga kryeministri i votave të vjedhura. Pasi kishte deklaruar për muaj e muaj me radhë se nuk do t’i digjte fletët e votimit, dje Saliu filloi t’i djegë fletët si një kusar duke u fshehur rrëzave. Pasi deklaroi se ishte gati të pranonte hetimin e materialeve zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor, në një shkelje flagrante të ligjit, ushtari i Saliut, Arben Ristani dhe anëtarët e maxhorancës në KQZ, ndërmorën një tjetër tentativë kriminale për të varrosur listat në Arkiv për 25 vjet, me pretekstin se na qenkan dokumente sekrete”, - është shprehur deputetja e selizë rozë, Vasilika Hysi.
Akuza
Sipas saj, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, nuk ka zbatuar ligjin, por urdhrat e kryetarit të tij, Berisha. Në këto kushte, kryetari i KQZ-së, sipas socialistëve, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit. “Dëshirojmë ta paralajmërojmë ushtarin e mirë Ristani se kompetencat e tij nuk përcaktohen nga urdhrat e Sali Berishës, por nga ligjet e këtij vendi dhe nga Kodi Elektoral. Çdo abuzim politik me këto kompetenca i vë përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror Zgjedhor në një fushë të minuar juridike, që mund të ketë pasoja të rënda ligjore për ata vetë në momentin kur këtij pushteti të vjedhur, që sot e bën atë të paprekshëm, t’i vijë fundi. Çdo përpjekje e Saliut dhe ushtarit të tij në krye të KQZ-së për të zbatuar forcërisht e në shkelje të plotë të ligjit vendimin për të burgosur për plot 25 vjet listat e zgjedhësve, jo vetëm do të përbënte provën më të fortë se zgjedhjet e 28 qershorit u vodhën nga pushteti i Saliut, por do t’i jepte demokracisë shqiptare një goditje shumë të rëndë. Jo vetëm kaq, por ky veprim do të shënonte një përshkallëzim të mprehtë të krizës, përgjegjësia për të cilin do të binte sa mbi Saliun, sa mbi Ristanin”, - është shprehur Hysi. Reagimi i deputetes socialiste vjen vetëm një ditë pas mbledhjes së KQZ-së, në të cilën u vendos që lista e zgjedhësve të arkivohet për 25 vjet pa të drejtë hetimi.
PS-ja vazhdon akuzat ndaj Rulit për abuzime në koncesionet e hidrocentraleve
Partia Socialiste e akuzon sërish ministrin Genc Ruli për abuzim me koncesionet e hidrocentraleve gjatë kohës që ai drejtonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës.
Deputetja socialiste, Ermonela Felaj, deklaroi gjatë një konference për shtyp, se Ruli ka prishur në favor të interesave personale tenderët për dhënien e koncesioneve. “U bënë disa ditë që i kemi drejtuar një seri pyetjesh ministrit Genc Ruli në lidhje me koncesionin e hidrocentraleve në pellgun Bënçë-Progonat, por Genc Ruli ka refuzuar t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve fare të thjeshta në lidhje me këtë koncesion. Kush e ka marrë të drejtën e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve? Cilat janë arsyet që ju i keni prishur disa herë në mënyrë të paligjshme garat për dhënien e koncesionit? Përse Agjencia e Prokurimit Publik dhe Avokati i Prokurimeve i kanë gjykuar procedurat e ndjekura në kundërshtim me ligjin? Dhe përse Genc Ruli ka refuzuar të zbatojë vendimet e detyrueshme të dy institucioneve të lartpërmendura?”- është shprehur Felaj. Ajo ka ngritur një sërë pyetjesh të reja për ministrin Ruli para se të bëjë publike, sipas saj, dokumentet që vërtetojnë abuzimet e ministrit. “Zoti Ruli, cila është arsyeja që pas vendimeve të Agjencisë të Prokurimit Publik dhe Avokatit të Prokurimeve dhe pa pritur rezultatet e hetimit të plotë nga ana e këtyre institucioneve mbi procedurat e ndjekura në koncesionin e hidrocentraleve nga Enti Prokurues nën varësinë tuaj, ju keni vendosur ndarjen dhe copëtimin e pellgut ujor të shpallur më parë në tender? Zoti ministër, cila është arsyeja që ju i keni kërkuar qeverisë të miratojë nisjen e një praktike të re në dhënien e koncesionit duke ia mbivendosur atë praktikes së mëparshme? Zoti ministër, cila është arsyeja që ju keni propozuar akordimin e një bonusi pikësh për një kompani të caktuar, e cila për më tepër nuk ka marrë fare pjesë në garën fillestare për marrjen e koncesionit? E kuptojmë pozitën e vështirë në të cilën ndodheni zoti Ruli, pasi zbardhja e plotë e kësaj çështjeje me shumë gjasa do t’ju çojë përpara drejtësisë për korrupsion e shpërdorim detyre. Sidoqoftë, dëshirojmë t’ju themi Ruli se skandali i radhës ku jeni përfshirë drejtpërdrejt nuk është nga ato që mund të zhduken me një ‘bëje Zot ëndërr’”,- është shprehur deputetja socialiste.
10 Janar 2011