E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, “beteja” transferohet në Bruksel

TIRANE- Kriza politike në vend, si pasojë e së cilës erdhi dhe protesta e madhe e opozitës si dhe vendimi për të hyrë në grevë urie do të diskutohen në Bruksel, duke e transferuar në Parlamentin Europian këtë krizë.
Deputeti i PS, Namik Dokle në një komunikim për News24 deklaroi se kjo situatë e rëndë e krijuar në vend do të pasqyrohet tërësisht në Komitetin Ndërparlamentar të Stabilizimi Asociimit.
“Takimi i grupit të deputetëve në Bruksel është pikërisht për të diskutuar krizën që sot ekziston në Shqipëri, kriza politike, kriza institucionale dhe kriza ekonomike. Do të njoftojmë dhe bashkëbiseduesit e tjerë në Bruksel që ne vijmë nga greva dhe sapo të kthehemi prap në Tirane do hyjmë në grevë” u shpreh Dokle.
Dy deputetë socialistë, konkretisht Arben Malaj dhe Taulant Balla kanë ndërprerë grevën duke u nisur drejt Brukselit.

Kështu mazhoranca dhe opozita do të përballen në betejën politike në ndërtesën “Alitero Spinelli” në Bruksel, ku më 3 dhe 4 maj do të zhvillohet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Të dyja palët kanë përgatitur lëvizjet që do të marrin në takimin e pasdites së 3 majit dhe në paraditen e 4 majit, kur do të bëhen edhe pyetjet nga eurodeputetët. Mësohet se përfaqësuesit e mazhorancës kanë përgatitur një material të gjatë mbi historikun dhe procesverbalet parlamentare mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana tjetër edhe opozita ka ndërmarrë përgatitjet e “betejës” së Brukselit ku palët do të duhet të bëjnë përpjekjet finale për të bindur eurodeputetët se kush ka të drejtë, pasi një ditë më pas më 5 maj, nis seanca plenare e Parlamentit Europian ku do të miratohet rezoluta për Shqipërinë, e cila do të vërë piketat dhe kërkojë zgjidhje konkrete mbi krizën, natyrisht duke iu dhënë detyra përkatëse si mazhorancës ashtu dhe opozitës.

Mazhoranca përfaqësohet në Komitetin Parlamentar të Asocim-Stabilizimit nga deputetët: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, ndërsa zëvendësues Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho, ndërsa socialistët do të përfaqësohen nga: Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja. Zëvendësues janë Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare. Kryetari i këtij komiteti do t’i takojë mazhorancës dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë deputeti Fatos Beja, ndërkohë që nënkryetari do të jetë i opozitës që mund të jetë deputetja Valentina Leskaj.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›