E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza prek të ardhurat, Bode: Do të ndryshojmë buxhetin

Ministri i Financave, Ritvan Bode

Emirjon Senja

Rritja e ngadaltë e të ardhurave në buxhetin e shtetit por detyron qeverinë që të rishikojë buxhetin e shtetit në gjysmën e vitit, fakt i konfimuar dje edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode. I pyetur në lidhje me këtë, shefi i Financave deklaroi se rishikimi i buxhetit do bëhet për tiu përshtatur realitetit të ri të krijuar në financat shqiptare. Do të ketë rishikim të buxhetit në mes të vitit, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme, për të programuar më mirë objektivat tona. Të gjithë janë elementë për tu vlerësuar në përputhje me perspektivën në gjashtëmujorin e dytë të vitit, me qëllim që të programojmë objektiva më të përputhura. Lidhur me pyetjen nëse do të ketë korrigjim të rritjes ekonomike me tendencë rënie, mund të them se të gjitha janë të mundshme, pasi ekonomia shqiptare nuk zhvillohet në terren, por funksionon në kuadër të ekonomisë globale dhe rajonale, – tha ai.

Buxheti i shtetit po përballet me ngadalësim të të ardhurave krahasuar me vitet e mëparshme. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat në buxhet u rritën me 2.5 për qind gjatë janar-prillit 2012 në raport me janar-prillin 2011. Përballë këtyre treguesve, ekzekutivi është detyruar që të ndërmarrë shkurtim të shpenzimeve. Të dhënat tregojnë se ato u ulën me 1.5 % gjatë katërmujorit të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa pjesa që ka pësuar shkurtimet më të mëdha janë ato për investime në infrastrukturë. Shpenzimet kapitale u shkurtuan me 30 për qind gjatë periudhës në fjalë. Eksperienca e viteve të mëparshme ka treguar se në rastet kur buxheti është rishikuar, pjesa që preket më së shumti janë shpenzimet kapitale.

Bien normat e interesit për bonot, ulet kosto e borxhit

Ulja e normës bazë të interesit për lekun në minimumin e tij historik, 4.25 për qind,  ka filluar më në fund të pasqyrohet edhe në uljen interesave për bonot e thesarit. Banka e Shqipërisë organizoi dy ditë më parë ankandin e radhës për llogari të qeverisë, e cila siguroi një borxh prej rreth 16.7 miliardë lekë nga tregu vendas. Të dhënat e publikuara dje nga Ministria e Financave tregojnë për një rënie të lehtë të normave të interesit si për bonot me afat maturimi një vjeçar ashtu edhe për ato me afat maturimi tre mujor.

Referuar të dhënave, interesi i bonove një vjeçare zbriti në 7.34 për qind nga 7.37 për qind që ishte në ankandin e fundit, kurse interesat për bonot me afat maturimi tre mujor, zbritën nga 5.32 për qind në 5.28 për qind.

Ky është një tregues pozitiv, pasi në radhë të parë qeveria financon borxhin e brendshëm me një kosto më të ulët krahasuar me pak muaj më parë, ndërsa paraqet edhe shenja sigurie të sistemit bankar në aftësitë paguese të shtetit shqiptar.

Kalon ligji, tatim-fitimi paguhet deri në fund të tremujorit

Ndryshimet e shumë përfolura në ligjin për tatimin mbi të ardhurat u miratuan sëfundmi edhe nga qeveria dhe pritet të kalojnë së shpejti për shqyrtim në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend. Ndryshimet kaluan dje në mbledhje qeverie pas një konsultimi të gjerë të Ministrisë së Financave me biznesin. Referuar projektligji të propozuar nga ministria, bizneset do të duhet të paguajnë tatimin mbi fitimin të paktën deri në fund të tre mujorit dhe jo të parapaguajë në 15 ditëshin e parë të tremujorit. Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këstet tremujore të tatimit mbi fitimin, brenda datës 30 mars për muajt janar, shkurt dhe mars, brenda datës 30 qershor për muajt prill, maj dhe qershor, brenda datës 30 shtator për muajt korrik, gusht dhe shtator, dhe brenda datës 30 dhjetor për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor. Këstet mund të paguhen edhe në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji, – përcaktohet tashmë në ligj.

Mënyra se si është formuluar kjo pikë i paraqet lehtësi biznesit, ndryshe nga sa ishte propozuar fillimisht nga Ministria e Financave. Diskutimi me grupet e interesit bëri ministrinë që të merrte parasysh kërkesat e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›