E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, qeveria heq dorë nga eurobonot

Kriza financiare që ka prekur sistemin bankar në Evropë detyron qeverinë të heqë dorë nga plani i marrjes së 300 milionë eurove, me anë të bonove të thesarit. Ndryshimi i planit bëri të mundur edhe uljen e deficitit buxhetor, që për 2009-ën parashikohet me 4.2%, rreth 1% më pak se 2008. Megjithatë, avantazhet që sjell aplikimi i formës me ankand për eurobonot, për sa i takon interesave, mund ta rikthejë Ministrinë e Financave në planin e mëparshëm, gjithnjë nëse situata me tregjet do të stabilizohet. Tërheqja e qeverisë nga plani "Eurobon" u bë e ditur dje nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai, në prezantimin e projektbuxhetit 2009, në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, u shpreh ndër të tjera se për vitin 2009, është parashikuar zvogëlim i deficiti buxhetor, duke ulur borxhin publik të Shqipërisë në raport me PBB-në. Ministri tha gjithashtu se do të ketë ulje të të ardhurave, për shkak të vitit elektoral, përfshi këtu dhe shpenzimet kapitale, por nuk do të heqë dorë nga plani për të rritur pagat dhe pensionet, fondi për të cilat arrin në rreth 80 milionë dollarë.

Tërheqja

Ministri i Financave mendonte që në vitin 2009, Shqipëria të kishte arritur pjekurinë e mjaftueshme në tregun financiar, por edhe në kapacitetet fiskale për të dalë me eurobond, për të nxjerrë vendin në tregun e bonove evropiane të thesarit. "Zhvillimet në tregun financiar, kohët e fundit, kanë dëshmuar një mungesë stabiliteti dhe një tronditje, çka është shoqëruar jo vetëm me pakësimin e fondeve publike, por edhe me një rritje të normës së interesit. Ne mendojmë që në këtë situatë, nuk është momenti i përshtatshëm për të dalë në treg dhe për të blerë bono 15-20 vjeçare, pasi do të paguanim një kosto të lartë", tha Bode. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka zgjedhur rrugën e financimeve afatshkurtra dhe në momentin kur tregu financiar do të jetë i stabilizuar, Shqipëria do të dalë në treg me rreth 300 milionë euro, për të nxjerrë një bono në tregun evropian, por në kushtet e një tregu stabël me interesa të përshtatshme dhe jo në kushtet që jemi aktualisht. "Kemi programuar dhe kemi thënë që do të jetë financim i brendshëm, financimi i investimeve, por kjo do të jetë fleksibël. Pra ne do të marrim fondet që na ofrohen me koston më të ulët në euro, pasi nevojat për investime publike në një sërë projektesh i kemi në euro", tha kreu i Financave.

Plani për krizën

Në projektbuxhetin e vitit 2009, Ministria e Financave ka programuar rreth 16 miliardë lekë (rreth 150 milionë euro) për kontingjenca, të cilat do të jenë në dispozicion të çdo lloj luhatjeje që mund të ketë ekonomia ose tregu në tërësi, duke e lidhur edhe me faktin e periudhës elektorale. Ajo ka sjellë reduktim të të ardhurave në lidhje me ritmin rritës, i cili nga 15-20 për qind, në 2009-ën shkon në 10 për qind, ndërsa investimet publike pësojnë ulje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›