E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtia e jashtme, reduktohen importet

Deficiti tregtar i muajit shtator ka pësuar rënie me 0.4% në krahasim me vitin e kaluar dhe 7% me muajin gusht 2008. Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave flasin për përmirësim të tregtisë së jashtme, duke përmendur rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve. Kështu, në muajin shtator të vitit 2008, u eksportuan rreth 10 miliardë lekë mallra, me rritje 36.4% në krahasim me muajin gusht të 2008-ës dhe rritje me 27% në krahasim me shtatorin 2007. Kurse importet shënuan një volum prej rreth 36 miliardë lekësh mallra, me rritje 2.5% në krahasim me muajin gusht 2008 dhe rritje 6.9% në krahasim me shtatorin e 2007-ës.

Tregtia me BE-në

Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 66.7%. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 65% dhe importi 26.9%, kurse me Greqinë, eksporti është 7.5% dhe importi 16.4%. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Austria, Greqia, Italia, Maqedonia, Spanja, etj., kurse për importin, Gjermania, Italia, Kroacia, Spanja, Turqia, etj.

Mallrat

Krahasimi me muajin gusht 2008, për disa nga grup mallrat tregon se eksporti i grupit "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u rrit 6.8 herë, "Tekstile dhe këpucë" 79%, "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" 46.5 për qind, etj. Ndërsa eksporti i grupit "Prodhime druri dhe letre" u ul 7%. Lidhur me importet, grupi "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u rrit 36.1%, "Tekstile dhe këpucë" 34%, "Lëkurë dhe artikujt prej tyre" u rrit 14.8%, etj. Ndërsa importi i grupit "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u ul 21%, etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›