E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, qeveria i vë "gjobë" lojërave të fatit

Kompanitë detyrohen që të derdhin 0.5% të xhiros vjetore në buxhetin e shtetit brenda datës 15 dhjetor, urdhri u publikua më 17 dhjetor

TIRANË- Boshatisja e Thesarit të Shtetit dhe pamundësia për të dhënë pagat e muajit dhjetor ka detyruar qeverinë të ndërmarrë masa ekstreme dhe t'i kërkojë bizneseve para.

Një urdhër i lëshuar nga ministri Ritvan Bode i kërkon të gjitha kompanive të lojërave të fatit të derdhin në llogarinë e qeverisë 0.5% të xhiros vjetore. Paratë duhet të jenë në bankë brenda datës 15 dhjetor.

E veçanta është se urdhri mban datën 26 nëntor por është bërë publik vetëm dje, në fletoren e fundit zyrtare. I gjithë ky "sulm" i qeverisë vjen në një kohë kur kryeministri Berisha ka pranuar krizën duke thënë se pagat mund t'i japë vetëm në muajin janar 2010.

"Shoqëritë e miratuara dhe të licencuara në fushën e lojërave të fatit derdhin në llogarinë bankare të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në një nga bankat e nivelit të dytë 0.5 për qind të xhiros vjetore, si më poshtë: Për vitin 2009, brenda datës 15.12.2009 duhet të derdhen shumat e mëposhtme: 2 000 000 lekë shoqëritë e licencuara për kazino dhe lotari kombëtare.

1 500 000 lekë shoqëritë që organizojnë kazino elektronike. 1 000 000 lekë shoqëritë që organizojnë baste sportive dhe baste për gara në pistë. 300 000 lekë në vit për shoqëritë që organizojnë bingo tradicionale e televizive",- thuhet në urdhrin e Ministrisë së Financave. Sipas tij, kompanitë duhet të paguajnë tani gjysmën e parave dhe pjesën tjetër ta derdhin brenda muajit mars të vitit të ardhshëm.

"Brenda datës 31.3.2010, pjesën tjetër të detyrimit të vitit 2009 e mbetur pa u paguar, e cila plotëson vlerën 0.5 për qind të xhiros vjetore",- thuhet në urdhër.
Ky nxitim i qeverisë për të marrë sa më shpejt para dallohet qartë në pjesën e dytë të udhëzimit ku shpjegohen procedurat që do ndiqen në vitin 2010 por edhe në vitet e tjera.

Tashmë pagesat nga ana e kompanive do të kryhen në katër këste. "Për vitin 2010 e në vazhdim, pagesat do të bëhen me katër këste, si më poshtë vijon: Kësti i parë, brenda datës 10 prill.

Kësti i dytë, brenda datës 10 korrik. Kësti i tretë brenda datës 10 tetor. Kësti i katërt, brenda datës 10 janar (i vitit pasardhës)",- thuhet në urdhër. Ajo që bie në sy është që kompanitë duhet të paguajnë këstin e parë të 2010 vetëm dhjetë ditë larg këstit të fundit të 2009.

Xhiroja vjetore e kompanive do të llogaritet nga një janari deri më 31 dhjetor të vitit në vazhdim. Nëse veprimtaria në fushën e lojërave të fatit krijohet ose pushon brenda kësaj periudhe, detyrimi i shoqërive llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e ushtrimit të kësaj veprimtarie. Duke nisur nga viti tjetër të gjitha pagesat do të kryhen të shoqëruara edhe me bilancin dhe pasqyrat financiare të kompanisë.

Për sa i takon gjobat, ato derdhen në Ministrinë e Financave dhe 80% kalojnë menjëherë në buxhetin e shtetit. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të duhet të derdhë në buxhetin e shtetit edhe të gjitha fondet që ka marrë gjatë këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›