CEZ kërcënon: Ky është sulm ndaj investimeve të huaja
Kompania çeke kërcënon se do të kërkojë lëvrimin e kredisë 60 mln euro, madje se do ta hedhë shtetin shqiptar në gjyq për shkak të rritjes së pakënaqshme të çmimit të energjisë
TIRANË- Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike në masën e kërkuar nga operatorët e tjerë si OSSH, OST dhe KESH ka krijuar pakënaqësi të mëdha tek këta të fundit.
Përfaqësusit e dy kompanive ende shtetërore KESH dhe OST shprehin qëndrimet e tyre kundër vendimit të ERE-s menjëherë pas bërjes publike të tij, ndërsa sipas qëndrimit më të fundit zyrtar të OSSH-së, mospranimi i shtrenjtimit të energjisë në masën e kërkuar është një sulm ndaj invetitorëve të huaj.
Drejtuesit e OSSH-së reaguan dje ndaj vendimit të ERE duke kërcënuar se do t'i drejtohen institucioneve të drejtësisë brenda dhe jashtë vendit për të kundërshtuar atë. Sipas kompanisë çeke, ERE ka bërë diferencime në masën e rritjes për secilin operator duke favorizuar dukshëm KESH-in dhe OST-në.
"Ne e kuptojmë që të gjitha palët në sektorin e energjisë në Shqiperi kanë nevojë për fonde për punet e tyre, mirëmbajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-s për rritjen dramatike në favor të KESH-it (26%) dhe OST-së (20%) dhe rritjen shumë të vogël për OSSH-ne (7.1%) ne e gjejmë të pabalancuar. E shohim këtë si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend, gjë që është krejtësisht e papranueshme", - theksojnë ata.
Duke iu referuar kontratës së firmosur gjatë procesit të privatizimit me shtetin shqiptar quajtur ndryshe "Deklarate Rregullatore" CEZ kërcënon se do të përdorë kredinë garanci të dhënë nga Banka Botërore prej 60 milionë euro e cila do të shlyhet nga shteti shqiptar. Në kushtet e një sektori në humbje gjatë procesit të privatizimit të OSSH-së çekët kërkuan garanci nga shteti shqiptar që të respektonte pikat e kontratës.
Në këtë mënyrë u miratua një kredi prej 60 milionë euro nga Banka Botërore me kushtin që të lëvrohej në favor të kompanisë CEZ nëse shteti shqiptar nuk respektonte ndonjë pikë të kontratës. Me vendimin e ERE-s për çmimin e energjisë elektrike, OSSH pretendon se qeveria nuk ka respektuar marrëveshjen duke kërkuar lëvrimin e kësaj kredie në arkën e tyre, detyrimet e së cilës shlyhen nga shteti shqiptar.
Krahas kësaj, CEZ thekson se do të rifillojë edhe një herë procedurat e auditit për matjen e humbjeve, faktor ky që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e energjisë.
Pas mosmiratimit të kërkesës së saj për rritjen në masën 44.2 për qind të energjisë elektrike, OSSH e sheh me dyshim ecurinë e treguesve të saj financiarë në muajt në vazhdim. Duke paralajmëruar rritjen e nivelit të borxhit ndaj partnerëve të huaj, kompania thekson se një situatë e tillë do ta çonte atë drejt falimentimit.
"OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve. Kjo, në mënyrë të pashmangshme do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së", - citon kompania.
Në shtator të këtij viti, OSSH aplikoi pranë ERE-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në masën 44.2 për qind. Gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese, Enti Rregullator doli në përfundmin se kjo masë rritje ishte e pabazuar dhe se treguesit e OSSH-së për nivelin e humbjeve ishte i pasaktë.
Në këtë mënyrë ERE miratoi shtrenjtimin e energjisë me 13 për qind duke theksuar se kjo shifër është nxjerrë duke u bazuar tek kostoja, por që në të njëjtën kohë do të përmirësonte ndjeshëm treguesit financiarë të OSSH-së.
Nepravishta: CEZ të respektojë kontratën
Sipas kreut të ERE-s, kërkesat e OSSH-së për energjinë ishin të pabazuara mbi të dhëna të besueshme
TIRANË- Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, shpjegoi dje arsyet që e çuan grupin e punës të mos marrë parasysh të plotë kërkesën e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas tij, argumentet e OSSH për të justifikuar një rritje deri në masën 44.2 për qind ishin të pabazuara në fakte reale.
Dy janë shkaqet që sipas Nepravishtës kanë bërë që ky Operator të kërkojë një rritje të tillë të energjisë. I pari ka të bëjë me nivelin e lartë të humbjeve ndërsa shkaku i dytë është amortizimi i aseteve të OSSH-së. Ndër të tjera, ai i kërkoi kompanisë CEZ që të respektonte pikat e kontratës ashtu siç po vepron edhe ERE.
Për sa i përket humbjeve, Nepravishta shpjegoi se për këtë çështje është zhvilluar një debat i gjerë midis kompanisë dhe ERE-s. Për shkak humbjet lidhen direkt me çmimin e energjisë, OSSH pretendon se ato janë në nivelin e 35.7 për qindve, ose plot 3 për qind më shumë se niveli zyrtar i miratuar nga ERE. Pavarësisht auditit të kryer nga OSSH, ERE nuk e mori në konsideratë këtë të dhënë me arsyetimin se studimi ishte kryer mbi të dhëna jo të sakta.
Madje për sa i përket kësaj, Nepravishta shpjegon se edhe vetë përfaqësuesit e kompanisë "Artur D Little" që kreu auditin kishin pranuar dështimin në këtë rast. "Në një takim që patëm me përfaqësuesit e kompanisë CEZ dhe asaj të auditit këta të fundit pranuan se kishin dështuar në studimin për nivelin e humbjeve të OSSH duke pranuar në fund nivelin prej 32.7 për qind që ishte servirur nga ne",- tha - ai.
Për sa i përket amortizimit të aseteve të kompanisë, Nepravishta shpjegoi se në këtë rast kompania CEZ ka vepruar mbi një standard të dyfishtë. "Vlera e aseteve përpara privatizimit është vlerësuar me 26 miliardë lekë. Kur u bë rivlerësimi i aseteve, vlera e tyre doli që ishte 16 miliradë. Kjo është edhe vlera për të cilat CEZ pagoi paratë për blerjen e OSSH-së.
Por aktualisht me aplikimin e vet CEZ kërkon që të njihet norma e amortizimit për vlerën e asteve përpara privatizimit (26 miliardë) dhe jo për vlerën 16 miliardë", - shpjegoi ai.