E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premierë botërore në Teatrin e Operës dhe Baletit

21/04/2010 “Jeta është ëndërr”

“Jeta është ëndërr”! Dhe kjo do të rrëfehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Bëhet fjalë për operën-balet, legjendë me libret të Giacomo Carbone-s dhe David Tukiçit, e cila vjen premierë botërore më 28, 29, 30 prill dhe 2 maj.

Frymëzuar nga drama “La Vida Es Sueno” e Pedro Calderon De La Barca, “Jeta është ëndërr” (La vita e sogno) vjen në koreografinë e Agron Aliajt (Artist i Popullit), dirigjent kori është Dritan Lumshi. Me përgatitjen speciale është marrë mjeshtri Genc Tukiçi, skenografia është realizuar nga Genc Shkodrani, ndërsa regjisor i shfaqjes është Alfred Trebicka. David Tukiçi vjen edhe si dirigjent.

Libreti i shkruar nga Carbone, çmim “Flajano” në vitin 1998, dhe David Tukiçi ka në qendër fatin e djalit të mbretit të Polonisë, Sixhizmondos. Bazilio e mban të izoluar djalin e tij Sixhizmondo, pasi ditën kur lindi, yjet dhe planetët në të cilët ai besonte kishin parashikuar se do të bëhej një mbret mizor e tiran.

Calderon de la Barca një nga dramaturgët më të mëdhenj spanjollë, e ka shkruar veprën “Jeta është ëndërr” nga 1532 deri në 1536.

Kjo dramë nuk është muzikuar asnjëherë, ndërkohë që është vepra më e publikuar dhe prezantuar në Evropë, veçanërisht në vendet ku mbizotëronte regjimi socialist, duke qenë se Calderon ka zgjedhur Poloninë si vendin ku zhvillohen ngjarjet e dramës.

“Jeta është një ëndërr” ka disa këndvështrime interpretimi. Një këndvështrim është ai filozofik, për meditimin torturues që përcjell mbi vështirësitë e lirisë njerëzore.

Një tjetër është ai religjioz, pasi tërheq vëmendjen ndaj dëmeve që mund të vijnë si rrjedhojë e sjelljeve të pakontrolluara.

Këndvështrimi moral mes pasionit e arsyes duhet të triumfojë respekti për ligjet dhe përparimet morale. Ndërsa ai politik të tregon rrugën se ku mund të të çojë shpërdorimi i lirisë. Gjithashtu, nxjerr në pah dilemën mes fatit të parashkruar dhe lirisë së zgjedhjes për jetën tënde, duke sugjeruar se njeriu mund të përkushtohet për të ndryshuar rrjedhën negative të fakteve. Dhe së fundi, pjesa është një protestë kundër dhunës sociale, e cila mbyt lirinë individuale, që mund të realizohet vetëm brenda dimensioneve ëndërrimtare

Maestro Tukiçi e ka ndryshuar libretin duke i shtuar skemës së ëndrrës, balet në Aktin e II, si dhe ka nënvizuar në fundin e operës idenë që dashuria e vërtetë jeton dhe pas vdekjes.

Në role interpretojnë Stephen Mullan- Sixhizmondo, Emiljana Palushaj- Rozura, Sofika Kola, Ardita Meni, Armando Likaj- Klotaldo, Erlind Zeraliu- Mbreti Bazilio, Gilmond Myftari – Klarino, Klodiana Brahimi - Stela, Rezarta Qevani, Rudina Delia, Elson Braha – Astolfo, Luan Sula - Këshilltari i mbretit, Zëri i Brendshem i Sizhizmondos – Violonçel Solo – Kujtim Vorpsi, Zëri i Brendshëm i Rozaurës – Violinë Solo – Gëzim Bulçari, Erisa Gina, Greta Hushi, Dion Gjinika, Julind Dervishi- Kundërfigurë e Rozaurës dhe Sixhizmondos.

Kompozitori Tukiçi

Maestro David Tukiçi lindur në Shkodër, është diplomuar për Piano pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe ka ndjekur 5 vjet studimet e larta në drejtimin e maestro Çesk Zadejës dhe ka qenë nxënës i Dimitri Shostakoviç. Gjithashtu, është diplomuar për kompozicion në vitin 1980 pranë Akademisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Nga viti 1980 deri në vitin 1982 ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit të rrethit të Krujës. Më tej nga viti 1982 deri në 1992 është ngarkuar të kryejë detyrën si redaktor dhe Ton Maestër për muzikën simfonike në Radio Televizionin Shqiptar e në të njëjtën kohë dhe detyrën si Docent i Harmonisë pranë Akademisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Në vitin 1992 u largua për në Itali me motivacion për të kryer veprimtari kulturore atje. Në vitin 1998 Presidenti i Republikës italiane i ka dhënë dokumentin e qytetarisë italiane me motivacionin: “Sepse është një nga kompozitorët më me vlera në fushën e muzikës simfonike në nivel ndërkombëtar, duke besuar se veprat e tij do të kontribuojnë në mënyrë determinuese në përhapjen e vlerave muzikore në vend”.

Pasi ka përmbyllur studimet e larta për kompozicion pranë akademisë prestigjioze “Ecole Normale” (Shkolla Normale) “Alfred Cortot” në Paris nën drejtimin e Maestro Michael Merle, nxënës i Olivier Messian, si dhe studimet për Drejtues Orkestre nën drejtimin e Profesor Maestro Domenique Ruiz, ka marrë më tej diplomën për dirigjent të orkestrës dhe në qershor të vitit 2003 ka ndjekur kursin e lartë për Dirigjent Orkestre me mësues prof. Maestro Domenique Rouitz, pranë të njëjtës akademi.

Maestro David Tukiçi ka kompozuar një numër të madh veprash simfonike, instrumentale dhe vokale.

Në Shqipëri ka regjistruar në Radio-Televizionin Shqiptar disa vepra si: Uvertura Solemne për Orkestër Simfonike, dy koncerte për piano dhe Orkestër Simfonike, një koncert për violinë dhe orkestër simfonike, Rapsodi për violinë dhe Orkestër Simfonike, Koncert për Fagot e Orkestër Simfonike, Suite Albanese në pesë kohë për Orkestër Simfonike, Poemë për Piano për Orkestër Simfonike, disa opera vokale, suita për kore, romanca etj. Në Itali maestro Tukiçi ka kompozuar: “Horcynus Orca”, dopio koncert për flaut, violinçel e orkestër harqesh, shfaqje e prezantuar për herë të parë në botë në Teatrin Sirakuza të Reggio Calabrias në shtator të vitit 2001 nga ansambli i famshëm “Interpretuesit venezianë”, të cilët e kanë tashmë këtë vepër pjesë të repertorit të tyre artistik.

“La gonna di Borana”, variacion për Oktet fryme, bazuar mbi temën “Kur më vjen burri nga fshati”, e vënë në skenë për herë të parë në Londër në vitin 1977 në drejtimin e Maestro Eno Koço dhe më vonë u rivu në vitin 1998 nga të parët e frymës së Akademisë Santa Cecilia, Romë. “Misericordia Vulgi”, orator për kor akapela, pa shoqërim, shfaqur për herë të parë në botë në vitin 2000 në Katedralen “Santa Croce” në Firence.

“Sorgi Signore”, frymëzim për solist bariton, kor e orkestër simfonike, ekzekutuar nga Orkestra e Fiezoles nën drejtimin e Maestro Tukiçit në Katedralen “Santa Croce”, në Firence në vitin 2002.

“Ave Maria”, meditim për solist bariton, kor dhe orkestër simfonike. Pas katër vitesh qëndrimi në Paris, Maestro Tukiçi rikthehet në Kalabri, ku i frymëzuar nga drama “La vida es sueno” e Pedro Calderon de la Barca, do të kompozojë operën lirike –balet “Jeta është ëndërr”, legjendë në tre akte.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›