Banorët e Vajkalit bllokojnë rrugën për në minierën e Bulqizës
Në ditën e dytë të protestave për kromin, banorët e fshatit Vajkal kanë përshkallëzuar qëndrimin e tyre, duke bllokuar rrugën për në zonën “D” të minierës. Dhjetëra banorë, që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme kanë bllokuar rrugën që të çon në pjesën jugore të minierës, thënë ndryshe zona “D”, ku dhe pretendohet prej tyre se minerali i kromit shfrytëzohet padrejtësisht. Pikërisht në këtë zonë zhvillojnë aktivitetin e tyre minerar jo pak, por 32 subjekte të licencuara. Ka qenë ora 07:00 e mëngjesit të djeshëm kur banorët kanë bllokuar me gurë e mjete të tjera inerte rrugën për në këtë zonë në një segment të caktuar të saj. Kjo ka bërë që mbi 300 minatorë të pengohen për të vajtur në frontet e punës, pasi mjetet e tyre të transportit nuk kanë mundur të lëvizin për shkak të bllokimit të rrugës. Banorët protestues edhe në ditën e djeshme kanë ripërsëritur kërkesat e tyre për qeverinë. “Të largohen subjektet e palicencuara; T’u hiqet licenca atyre pronarëve që nuk janë banorë të Bulqizës; Të rishqyrtohen licencat e të gjitha subjekteve private, ndryshe protestat tona nuk do të ndalen”, thanë protestuesit. Ndërkohë një përfaqësi e protestuesve prej tre personash, është pritur dje në një takim nga prefekti i Qarkut të Dibrës, Xhafer Seiti. Burime nga prefektura thanë për “Shqip”, se përfaqësia e banorëve protestues i parashtroi prefektit shqetësimin e krijuar sipas tyre për parregullsitë që kanë ndodhur e po ndodhin aktualisht në shfrytëzimin e mineralit të kromit. Si rezultat i këtyre parregullsive, i thanë prefektit përfaqësuesit e banorëve protestues, situatat kanë rrjedhur negativisht në këtë zonë dhe po avancojnë drejt konfrontimit midis grupeve me interesa të ndryshme. Nisur nga fakti se edhe në ditën e dytë të protestës kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët të qeverisë, protestuesit kanë kërcënuar jo vetëm me vazhdimin e këtyre protestave, por edhe me përshkallëzimin e tyre për bllokimin e rrugës nacionale Bulqizë-Tiranë.
#