E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kriza reflektohet te kreditë”

 

Për të marrë një kredi pranë bankave nuk është më aq e lehtë sa më parë. Bankat kanë shtrënguar kriteret për dhënien e një kredie. Sipas ekspertëve të ekonomisë, një nga efektet më të dukshme që do të shfaqë kriza financiare globale në sistemin tonë, është pikërisht shtrëngimi i kredive.
Kriza
“Do të vëmë re në të ardhmen një tkurrje të aktivitetit kreditues, në një treg më të posaçëm, pra në tregun e kredisë konsumatore, ku edhe shkalla e vlerësimit të riskut të kredidhënies është disi më e vështirë për t’u realizuar nga sistemi bankar. Por që tkurrja e aktivitetit kreditues do të ketë reperkusionet e veta në kuptimin e ndikimeve negative që ajo do të japë në ritmet e rritjes së ekonomisë”, theksoi dje për mediat, Selami Xhepa, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e ekonomisë. Por nëse vendet e Bashkimit Evropian e kanë rritur në 50 mijë euro nivelin minimal të sigurimit të depozitave, në vendin tonë ky nivel është goxha më i ulët. Sipas këshilltarit Xhepa, marrja e masave të tilla nuk janë të nevojshme për vendin tonë. “Skemat e garantimit të depozitave të qytetarëve janë skema të kushtueshme që operohen me fonde, të cilat kontribuohen nga vetë sistemi bankar. Çdo fond i investuar nga bankat në këtë skemë natyrisht që do të thotë, që kostot e operimit të sistemit bankar do të rriteshin. Që do të thotë se kredia do të ishte e kushtueshme, që ritmi i rritjes së kredive do të ishte më i ngadaltë dhe për rrjedhojë edhe shkalla e zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri nuk do të ishte ajo që kemi deri më sot”, ka thënë ai. Ndërkohë ekspertë të ndryshëm të ekonomisë kanë rekomanduar që të ndërtohen sa më shpejt të jetë e mundur skenarë konkretë për ndikimin që ka kriza financiare në vendin tonë dhe tani është momenti i duhur, në prag të projektimit të buxhetit të vitit 2009-ës.

Çmimi i naftës, ulje simbolike

Ndërsa çmimi i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka pësuar një ulje të ndjeshme, në tregun vendas kjo rënie ka qenë simbolike. Në pikat e tregtimit të karburanteve në vend një litër eurodiesel kushton 151 lekë nga 152 lekë, që shitej pak ditë më parë. Ndërkohë që në bursat ndërkombëtare çmimi i karburanteve është ulur ndjeshëm, ku nafta kuotohet me rreth 82 dollarë për fuçi. Ulja e kërkesës për karburant dhe forcimi i dollarit ndikuan në uljen e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, por edhe pse tregu vendas është i varur nga luhatjet e bursave ndërkombëtare, çmimi i karburanteve ka rënë në nivele pothuajse të papërfillshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›