E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, rrit kreditë me probleme

 

Fabiola Çela

Të marrësh një kredi nuk është më aq e lehtë. Si pasojë e krizës ndërkombë-tare, bankat janë detyruar që të shtrëngojnë kushtet për dhënien e një kredie. Sipas raportit vjetor të mbikëqyrjes, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, për sa i përket depozitave vëllimi i tyre do të rritet vetëm nëse publikut i rikthehet besimi te bankat. “Për vitin 2009, vlerësojmë se vëllimi i aktivitetit bankar do të jetë më i kufizuar. Rritja e nivelit të depozitave do të varet ndjeshëm nga shkalla e kthimit të besimit të publikut në shëndetin e sistemit bankar, ndërkohë që rritja e nivelit të kompensimit të depozitave do të shërbejë si një faktor nxitës për të stabilizuar financimin nga publiku. Aktivet e sistemit si skenar bazë, ka shumë të ngjarë të orientohen nga aktive me më pak rrezik, ndërkohë që parashihen rregulla më konservatore nga bankat në drejtim të kredidhënies, duke ndikuar potencialisht në mënyrë negative rritjen e ekonomisë. Cilësia e portofolit të kredive, në këto kushte pritet të përkeqësohet dhe për rrjedhojë, treguesit e rentabilitetit parashihen në nivele të ngjashme me fundin e vitit 2008. Së fundi, vlerësojmë se ecuria e kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhave të huaja, veçanërisht ndaj euros, kohët e fundit përbën një sinjal shqetësues të përkeqësimit të kushteve të kredimarrësve, të cilët kanë tashmë një kredi në valutë. Për rrjedhojë, një përkeqësim i konsiderueshëm i kapacitetit të tyre për të shlyer detyrimet e lidhura me kreditë e marra, përbën një pritshmëri jo larg realitetit”, thuhet në raport.
Raporti
Gjatë vitit të kaluar shumë banka u prekën nga kriza ndërkombëtare. Nga kjo krizë nuk mund të shpëtonin as bankat që operojnë në vend, megjithëse efektet e krizës në sistemin bankar në vend ishte shumë herë më i ulët se ai në vendet e tjera. “Sistemi bankar në fund të vitit 2008, vijon të përfaqësohet me një aktivitet të përqendruar në mbledhjen e depozitave nga publiku dhe dhënien e kredive, kryesisht për individë dhe biznese. Burimet e sistemit dhe aktivet e tij u rritën, por me një normë dukshëm më të ulët se vitet e kaluara. Zhvillimet tregojnë për një rritje të ekspozimit të sistemit bankar ndaj rrezikut të kredisë, si shprehje e rritjes së peshës së portofolit të kredive ndaj totalit të aktiveve, por jo vetëm. Kreditë me probleme kanë pësuar një rritje të shpejtë dhe cilësia e portofolit të kredive u përkeqësua ndjeshëm”, thuhet në raport.

Sistemit bankar në fund të vitit 2008, krahasuar me fundin e vitit 2007

    Aktivet u rritën me rreth 12 për qind ndaj 19 për qind, portofoli i kredive u rrit me 35.7 për qind ndaj 47.7 për qind, ndërsa depozitat u rritën në nivelin e ulët prej 2.4 për qind;

    Treguesi “kredi me probleme bruto/portofoli i kredive bruto” u përkeqësua në nivelin 6.64 për qind nga 3.37 për qind;

    Treguesi i kredive me probleme të zhveshura nga efekti i kredive të reja në harkun kohor të një viti u përkeqësua ndjeshëm, nga niveli 5 për qind në nivelin 9 për qind;

    Portofoli i kredive në lekë vijon të jetë më problematik në drejtim të cilësisë së tij, duke prezantuar tregues të cilësisë së portofolit të kredisë në nivelin 7.5 për qind kundrejt 6.3 për qind;

    Aftësia e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet e mundshme nga kreditë, e vlerësuar nga një rritje e madhe e raportit “kredi me probleme neto/kapital rregullator“, u përkeqësua nga 11.1 për qind në 25.7 për qind;

    Mjaftueshmëria e kapitalit paraqitet e qëndrueshme mbi nivelin 17 për qind dhe larg nivelit minimal të kërkuar;

    Raporti i aktiveve mbi kapitalin aksioner të sistemit ose ndryshe, leva financiare e sistemit është zvogëluar gradualisht gjatë vitit 2008. Rënia e levës nga 13.1 në 11.7 për qind përgjatë një viti, do të thotë se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve;

    Norma e përgjithshme e mbulimit të sistemit prej 144 për qind, në fund të dhjetorit, është ndjeshëm më e lartë se norma kufi prej jo më pak se 100 për qind;

    Rritje e aktivitetit në monedhë të huaj, si shprehje e rritjes më të madhe të burimeve në valutë dhe portofolit të kredive;

    Nivele pothuaj të njëjta të treguesve të përqendrimit të aktiveve, depozitave dhe kredive të vlerësuara nëpërmjet treguesit Herfindahl;

    Përkeqësim i eficiencës së sektorit bankar, krahasimisht me sektorë të tjerë të ekonomisë si shprehje e rënies së peshës së rezultatit neto ndaj PBB-së, nga 1.1 për qind në 0.7 për qind.

    Rezultati neto përllogaritet 26.5 për qind më i vogël se një vit më parë, ndërsa treguesi i RoAA përllogaritet në nivelin 0.91 për qind dhe shumë më i vogël sesa fundi i vitit 2007 prej 1.48 për qind;

    NIM shfaqet i qëndrueshëm, rreth nivelit 4.13 për qind ndaj 4.09 për qind;

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›