E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza shqiptare shkon në Britani

Vizita

Situata politike në Shqipëri do të raportohet edhe në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe. Edhe pse publike dhe e kapshme përmes informacioneve diplomatike dhe atyre mediatike, protesta dhe greva e urisë së deputetëve socialistë do të ketë një shans për t’u artikuluar drejtpërsëdrejti në mjediset e diplomacisë angleze. Një ekip nga Shqipëria, ku përfshihen përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga dy partitë kryesore, PD-PS, do të asistojnë si vëzhgues në procesin elektoral që do të mbahet në Angli. Të shoqëruar nga numri dy i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Dan Redford, dhe ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, ekipi shqiptar do të zhvillojë takime edhe në Drejtorinë për Europën, Seksioni i Europës Juglindore, që është zyra përgjegjëse për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Sipas deputetit Damian Gjiknuri, që do të jetë prezent në këtë vizitë, takimet në fjalë krijojnë mundësi për diskutimin e situatës aktuale në Shqipëri, duke nisur nga zgjedhjet dhe reforma zgjedhore, por edhe kriza aktuale që lidhet ngushtë me një histori manipulimi elektoral nga pushteti. “Do të kemi mundësi që të diskutojmë problemet që lidhen me zgjedhjet dhe reformën zgjedhore, por edhe për krizën e tanishme, ku ne si PS kemi paraqitur kërkesat tona legjitime. Drejtoria për Europën është një mjedis i përshtatshëm për të diskutuar në planin politik dhe ne nuk do të mungojmë që të bëjmë prezente shqetësimet tona, deri më tani të shpërfillura nga pushteti”, tha Gjiknuri. Me interes është prania në këtë vizitë e përfaqësueseve shqiptarë dhe ambasadores britanike në Tiranë, që është natyrshëm një njohëse e mirë edhe e situatës politike dhe dinamikave të saj në Shqipëri. Sigurisht që takimet në Ministrinë e Jashtme britanike janë një shans për të përkthyer më mirë mesazhet politike që përndryshe ndërmjetësohen nga zyrat diplomatike në Tiranë apo edhe media. Për më shumë që kontaktet e drejtpërdrejta sigurojnë një dritare komunikimi që deri më tani është kufizuar në marrëdhënien me strukturat shumëpalëshe të Bashkimit Europian. Prania e Gjiknurit, që është njëkohësisht edhe një jurist dhe njohës i mirë i Kodit Zgjedhor, e përforcon kapacitetin informues të opozitës, ndaj së cilës nuk kanë munguar akuzat për keqpërdorim dhe anashkalim të rrugës institucionale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›