E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Fajon: Fundi i vitit, data më realiste

Raportuesja për vizat, sllovenia Fajon: Duhen rezultate konkrete

Diskutimi për liberalizimin e vizave mori shumë pak kohë në ditën e dytë të takimit BE–Shqipëri që u mbajt në Parlamentin Europian. Si demokratët dhe socialistët bënë thirrje për shpejtim të procesit, ndërsa raportuesja për vizat, Tanja Fajon, përsëriti kërkesën që Tirana të sjellë rezultate konkrete sa më shpejt. “Në bllokun 2 dhe 3 veçanërisht, që u përkasin shqetësimeve si korrupsioni e krimi i organizuar, po lexoj raportin e FRIDE dhe duket se Shqipëria ka performancën më të keqe në rajon, ndaj vlerësoj se do përbëjë vëzhgimin e komisionit në javët që vijnë, e Shqipëria duhet të tregojë më tepër rezultate. Një tjetër çështje shqetësuese është situata e të riatdhesuarve. Shifrat janë shqetësuese, mes 60-65 mijë të riatdhesuar, e komisioni po i adresohet kësaj çështje për të parë funksionimin e strategjisë së duhur për integrimin e tyre”, u shpreh raportuesja Fajon. Shqetësuese, vijoi ajo, ishte edhe situata në janar-shkurt, kur shtetas maqedonas e serbë, shumica me kombësi shqiptare, kërkuan azil në Belgjikë e vende të tjera të BE-së. “Ndaj duhet shpjeguar mirë në vend se liberalizimi i vizave nuk jep të drejtën e punës, qëndrimit apo azilit në vendet e Shengenit. Ky fenomen pati impakt negativ, sidomos te Belgjika, që merr Presidencën e radhës të BE-së. Unë shpresoj që vizat do të hiqen në fillim të vjeshtës, megjithëse data më realiste në fakt do të ishte në fund të këtij viti. Por edhe një herë, është në duart e qeverisë shqiptare të tregojë rezultate", u shpreh Fajon. 
Deputeti socialist, Ditmir Bushati, u shpreh se çështja e vizave është me tepër rëndësi për shqiptarët, duke kujtuar se një e treta e shtetasve jetojnë jashtë vendit. “Jam plotësisht dakord me kolegët e mazhorancës kur thonë se kanë përmbushur kriteret në një kohë rekord, por nuk bie dakord me përfaqësuesit e qeverisë, kur thonë se ne jemi të parët në rajon, sepse kjo krijon përshtypjen e gabuar në opinionin publik se ka diçka që nuk shkon me besueshmërinë dhe ndershmërinë në këtë proces nga ana e institucioneve europiane për vlerësimin ndaj Shqipërisë. Siç e ka thënë dhe ministri suedez Karl Bild ‘kjo punë duhej të ishte bërë dje, sot është shumë vonë, e nëse nuk e bëni nesër, t’ju vijë turp’”, theksoi Bushati. Ndërsa demokrati Aldo Bumçi, ndër të tjera tha: “çfarë mesazhi është ky, që problemet e shqiptarëve etnik të Maqedonisë e Serbisë janë problem i Shqipërisë? Ky është mesazh shumë i gabuar. Së dyti, të lënit mënjanë në rajon i Shqipërisë dhe Bosnjës jep mesazhin negativ të ndarjes fetare dhe nuk ndihmon aspak”. 
Eurodeputetja Doris Pack theksoi se kur Tanja Fajon, kolege e saj, përmendi historinë e azilkërkuesve që erdhën në Belgjikë e vende të tjera, kishte si qëllim të theksonte që kjo gjë nuk duhej të ndodhte edhe me Shqipërinë, pasi ky do të ishte problem.

“Kjo nuk ka të bëjë me fenë dhe aspak me shqiptarët. Ju lutem na besoni”, u shpreh Pack. Pas eksperiencës me debatin mbi krizën politike, drejtuesi i seancës, Eduard Kukan, nuk e pranoi listën e diskutuesve shtesë për këtë pikë të axhendës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›