E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë stopon punën e Parlamentit

Zhvillimi i takimit të Komitetit të Stabilizim-Asocimit shtyn punimet e zakonshme të legjislativit Që nga e premtja, nuk është mbledhur asnjë komision

Greva e urisë së deputetëve të opozitës, si dhe zhvillimi i takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ka stopuar prej dy ditëve punën e Kuvendit të Shqipërisë. Ditën e hënë dhe dje, të martën, legjislativi shqiptar nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje komisioni, apo edhe strukturë tjetër. Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk është njoftuar për asnjë aktivitet tjetër përveç aktiviteteve nga greva e urisë dhe për grevën e deputetëve të opozitës. Kështu, të hënën është publikuar aktiviteti i Kryeparlamentares Topalli në Spitalin Ushtarak, ku ka vizituar deputeten greviste, Klodiana Spahiu, ndërsa dje ishin publikuar deklaratat e kreut të grupit parlamentar të PD-së për grevën, por edhe të deputetes së PD-së, Rajmonda Bulku, që sulmonte Ramën, po për grevën. Ndërkaq, këto ditë do të duhej të mblidhej edhe Konferenca e Kryetarëve, për të përcaktuar kalendarin e punimeve të seancës së ditës së enjte. Kjo, pasi nuk është miratuar deri tani as programi dymujor i punimeve dhe as kalendari trejavor. Në faqen e internetit të Parlamentit është i shfaqur programi i punimeve nga data 1 mars deri më 26 prill, i cili është ezauruar edhe në materialet që kanë kaluar në komisione dhe në seanca plenare. Ndërkaq, në sitin www.parlament.al është i botuar kalendari i punimeve të Kuvendit nga data 22 mars deri më 8 prill. Pra nuk është publikuar as kalendari i periudhës 8 deri më 29 prill. Në institucionet ndërkombëtare, kohët e fundit po lëshohen mesazhe të qarta për mosfunksionimin normal të Parlamentit, pasi jo vetëm nuk por miratohen ligjet e reformës në drejtësi, por nuk funksionon normalisht dhe puna e tij si vigjilues i punës së qeverisë. Këto mesazhe janë dhënë si nga Parlamenti Europian, ashtu dhe nga komisioneri Fule, por edhe presidenca spanjolle në Tiranë nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, Manuel Montobio.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierre Mirel, deklaroi para dy ditësh në Bruksel: “Sigurisht që Parlamenti shqiptar nuk po funksionon prej tetë muajsh dhe kjo do të reflektohet siç duhet në opinionin tonë”. Ndërkaq, këtë e kanë përforcuar edhe eurodeputetët, pjesë e delegacionit për Shqipërinë në PE. Një javë më parë, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, deklaroi se “ne jemi të mendimit që funksionimi i demokracisë është pikë kyçe për vendin. Parlamenti i vendit nuk ka funksionuar në mënyrë të plotë. Kur them kështu, nuk duhet të flasim vetëm për miratimin e ligjeve, pasi përveç miratimit të ligjeve, Parlamenti duhet të jetë edhe vendi që i bën kontrollin e përditshëm qeverisë dhe përcjellë shqetësimin e qytetarëve”. Ndërkaq, një pasojë e stopimit të punës së Kuvendit ka qenë edhe pjesëmarrja në Bruksel në Komitetin e Stabilizim-Asocimit e 15 deputetëve. Nga këta, 8 të Partisë Demokratike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›