Komisioneri Fule: Situata politike është përkeqësuar
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, ka avancuar paralajmërimin e bërë një ditë më parë nga zyrtarët e Bashkimit Europian. Duke folur në ditën e dytë të takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë, anëtari i ekzekutivit të Bashkimit Europian ka deklaruar hapur që “situata nuk ka ndryshuar, ajo është përkeqësuar dhe nuk është arritur një zgjidhje mes partive politike, të cilat kanë përgjegjësi të ndara dhe kjo situatë nuk krijon atmosferë pozitive në kohën kur do të finalizohet opinioni për Shqipërinë”.
Ditën e djeshme, komisioneri Fule ka zhvilluar biseda telefonike si me Kryeministrin Sali Berisha, ashtu dhe me liderin e opozitës, Edi Rama, të cilëve u ka bërë të ditur se kanë përgjegjësi për zgjidhjen e krizës. Thelbin e mesazhit të ndarë në këto biseda, komisioneri i Zgjerimit e ka bërë të ditur dhe publikisht: "Partitë politike ndajnë përgjegjësinë, si ato në qeveri, ashtu dhe ato në opozitë, për gjetjen e zgjidhjes së ngërçit politik. Por, shtova gjithashtu se në kuadër të grevës së urisë, ka një përgjegjësi shtesë për zotin Edi Rama mbi mirëqenien dhe shëndetin e këtyre njerëzve", u shpreh Fule. Deklarata e zyrtarit të lartë të Brukselit ka qenë dje pjesa thelbësore e takimit dyditor për Shqipërinë, pasi gjithçka pritet të marrë formë më të plotë në takimin e 11 majit, po në Bruksel, ku mblidhet Komitetit i Stabilizim-Asocimit në nivel qeveritar, ku do të kenë përfaqësues të komisionit, presidencës spanjolle dhe një zyrtar nga superministria e BE-së për punë të jashtme që drejtohet nga baronesha Ashton. Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, sqaroi se liberalizimi i vizave dhe opinioni për statusin kandidat, ku luan rol dhe mosfunksionimi i duhur i Parlamentit, janë dy çështje të ndara. Për heqjen e vizave, kriteret janë teknike dhe nuk është shtuar asgjë e re nga ç'përmbante fillimisht udhërrëfyesi për këtë proces. “Nuk kemi shtuar asgjë dhe rregullat e lojës nuk kanë ndryshuar, janë po të njëjtat që u përcaktuan që në fillim. çështja është se mbeten pak gjëra ende. Bazuar në vlerësimin tonë, ju nuk keni zbatuar plotësisht të gjitha kriteret e kërkuara. Ne po e bëjmë të qartë këtë gjë, që përpara se të merret vendimi, të gjitha këto çështje që kanë mbetur, duhet të jenë përmbushur, por kjo nuk duhet të mahnitë askënd, sepse ishin pjesë e udhërrëfyesit qysh prej fillimit”, u shpreh Fule. Ndërkaq, përveç situatës aktuale politike, dje në takimin e Brukselit është folur edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç ishin reformat në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit. Komisioneri Fule deklaroi se “Shqipëria ka nevojë të ecë përpara në reformat strukturale dhe t’i japë fund zgjerimit të ekonomisë informale. Rritja ekonomike në dy vitet e fundit dhe parashikimi për rritjen në dy vitet e ardhshme është mbresëlënëse në krahasim me pjesën tjetër të Europës dhe vendet fqinje, ndaj duhet të njihet”. Por më pas, komisioneri Europian i Zgjerimit ka vazhduar më tej duke kujtuar implementimin e strategjisë për reformimin e gjyqësorit, në mënyrë që ky sistem të jetë i paanshëm, transparent dhe eficent. Fule ka kërkuar gjithashtu që të zbatohet në mënyrë rigoroze strategjia e luftës ndaj korrupsionit në lidhje me hetimet eficente ndaj krimit të organizuar dhe duhet të arrihen rezultate serioze.
#