Grupi i PS, bojkot i kushtëzuar ndaj Kuvendit
Kryetari socialist Edi Rama do të mbledhë sot grupin e deputetëve, për të votuar qëndrimin që ata do të mbajnë me Kuvendin që në seancën e sotme. Burime pranë selisë rozë pohuan dje se deputetët socialistë do të bojkotojnë Parlamentin në mënyrë më të moderuar, pas qëndrimit të maxhorancës në seancën e fundit ndaj propozimeve të saj për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Pritet që në seancën e sotme, një nga deputetët, ndoshta kryetari i grupit parlamentar Ruçi të deklarojë vendimin e grupit parlamentar socialist dhe ta kushtëzojë atë me rikthimin në Kuvend të çështjes së hetimit të zgjedhjeve. Por pritet që në vendimin e grupit të deputetëve të ketë dhe një përcaktim ndaj gatishmërisë së PS për të mos bllokuar funksionimin e institucioneve të pavarura, siç janë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, për të cilat Parlamenti me shumicë të cilësuar do të miratojë 8 anëtarë të rinj. Gjithashtu pritet që PS të zhbllokojë zonën e saj dhe për ligjin mbi gjykatën administrative, për të cilën në mënyrë të përsëritur komuniteti i biznesit ka apeluar miratimin e këtij ligji. Por qëndrimi i bojkotit të socialistëve ndaj Parlamentit bie ndesh dhe me deklaratën më të fundit të Ambasadorit spanjoll në Tiranë, Montobbio i cili i ka kërkuar klasës politike gjetjen e zgjidhjes së ngërçit politik në Parlament e duke i kujtuar lidershipit politik shqiptar penalitetet që Shqipëria mund të pësojë nëse kjo situatë vazhdon.