E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, të ardhurat e buxhetit bien me kokë

Plani qe realizuar gati 100% deri në tetor, por realizimet ranë në 80%, në nëntor dhe dhjetor

Krahasuar me vitin 2007, të ardhurat tatimore për vitin 2008 janë më të larta në shumicën e zërave

Kriza ekonomike në botë ka dhënë shenjat e para në arkën e buxhetit të shtetit. Realizimet buxhetore janë një sinjal në shifra, që demostron se kriza ka nisur të ndjehet edhe në vendin tonë. Bilanci i të ardhurave për vititn 2008, tregon se ato janë realizuar më pak se plani.


Megjithëse krahasuar me vitin 2007, të ardhurat, në shumë zëra taksash dhe tatimesh, kanë qenë më të larta, ato kanë dështuar të arrijnë nivelin e parashikuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave për vitin 2008. Kështu, të ardhurat buxhetore në vitin 2008, arritën në 290 miliardë lekë, ose 8.1 miliardë lekë më pak sesa ishte parashikuar në planin vjetor, duke shënuar vetëm rreth 97.3% të planit.

Plani nuk u realizua, pavarësisht faktit se qeveria e pati ndryshuar atë jo më herët se 15 dhjetori 2008, duke përdorur një akt normativ. Plani i të ardhurave të buxhetit me buxhetin suplementar, të miratuar në qershor '08, qe 303 miliardë lekë.

Me aktin normativ u ul në 298 miliardë, por pavarësisht kësaj, as plani i ri nuk u realizua. Të ardhurat e buxhetit të shtetit përfituan gjatë vitit të kaluar nga çmimet e larta të mallrave të importit, të cilat rritën të ardhurat nga TVSH.

Në muajin nëntor, plani i të ardhurave u realizua vetëm në masën 92.5%, ku të ardhurat nga tatimet u realizuan në masën 82%. Në total, i gjithë deficiti në të ardhura gjatë vitit të kaluar, u realizua në dy muajt e fundit, gjë që tregon përkeqësim të menjëhershëm të ekonomisë.

Por, qeveria vijon të jetë optimiste. Mosrealizime ka pasur në dogana dhe tatime, me rreth 45 milionë dollarë dhe më të ardhurat e pushtetit lokal, me rreth 17 milionë dollarë. Shumë nga zërat e të ardhurave buxhetore nuk e kanë arritur nivelin e 100 përqindëshit të planifikuar në buxhetin e vitit 2008. Të ardhurat tatimore kanë rezultuar me një deficit prej rreth 70 milionë dollarësh, ose 97.5% e planit të parashikuar.


Për vitin 2008, qeveria kishte parashikuar të arkëtonin rreth 271 miliardë lekë, por volën vetëm 264 miliardë. Megjithatë, krahasuar me vitin 2007, arritën të arkëtoheshin më shumë se 400 milionë dollarë më shumë. Një nga zërat e vetëm dhe me peshën kryesore në të ardhurat tatimore që ka arritur, duke e tejkaluar lehtësisht nivelin prej 100%, ka qenë tatimi mbi vlerën e shtuar.

Të ardhurat nga TVSH-ja, sipas Ministrisë së Financave, për vitin 2008 kanë arritur në rreth 107 miliardë lekë, nga 106.9 miliardë, pra me një realizim të planit me 100.18 për qind. Të ardhurat nga TVSH-ja kanë zënë rreth 10% të PBB-së në 2008-ën, nga 9% që ishin në 2007-ën. Historikisht, në dogana janë mbledhur rreth 70 për qind e të ardhurave totale nga TVSH-ja, dhe 30% TVSH brenda vendit.

Sipas ministrit të Financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, në vitin 2008 arritën në 18.1 miliardë lekë, krahasuar me 21 miliardë lekë që ishin në vitin 2007, pra rreth 14 për qind më pak, në kushtet kur norma e tatimit u përgjysmua. Kriza ekonomike në botë është reflektuar ndjeshëm në të ardhurat nga akciza.

Rënia e çmimeve në mbarë botën, kryesisht në muajt e fundit të vitit në produktet ushqimore dhe naftë, ka ulur ndjeshëm të ardhurat nga akciza. Për vitin 2008, në arkat e shtetit janë arkëtuar rreth 30 milionë dollarë më pak se plani. Kështu, janë arkëtuar rreth 30 miliardë lekë të ardhura nga akciza, nga 32.5 miliardë që ishin parashikuar më buxhet.

Por, krahasuar me 2007-ën, të ardhurat nga akcizat u rritën me rreth 3.7 miliardë lekë, duke mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2007, prej 2.9 përqind të PBB-së.

81 milionë dollarë më pak janë të ardhurat buxhetore të vitit 2008, krahasuar me planin e parashikuar

70 milionë dollarë më pak kanë rezultuar të ardhurat tatimore në 2008-ën, krahasuar me planin

30 milionë dollarë më pak sesa ishte parashikuar në planin e 2008-ës, janë realizuar të ardhurat nga akciza

1 miliardë dollarë janë të ardhurat nga TVSH-ja për vitin 2008, ose 0.18% më shumë se në vitin 2007

Bode: Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 9.9 për qind gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, megjithëse kjo rritje vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e fundit. Si rrjedhojë, për vitin 2008, rritja ekonomike vlerësohet të jetë 7.2 për qind, krahasuar me 6 për qind në vitin 2007.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›