E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode, kundër FMN-së për rritjen ekonomike



Përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, ndajnë këndvështrime të kundërta, kur bëhet fjalë që të parashikohet rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2009. Ndërsa përfaqësuesi i FMN-së, Bell, parashikon dhe është deklaruar se vendi ynë rrezikon të ketë një rritje ekonomike shumë të ulët këtë vit, që mund të shkojë deri dhe në 3 për qind, ministri i Financave siguron se efektet e krizës do të jenë minimale, për pasojë dhe rritja ekonomike do të jetë më e lartë seç deklaron FMN.

Gjatë analizës vjetore të punës për vitin 2008, ministri Bode tha dje se rritja ekonomike ishte 7.2 %. “Të mos bëjmë Kasandrën për ekonominë shqiptare. Rënia e mundshme e eksporteve po kompensohet me eksportet e energjisë. Kërkesën do e mbajmë të lartë përmes vëllimit të madh të investimeve publike dhe rritjes së pagave”, - u shpreh dje ministri Bode. Këtë deklaratë ministri Bode e bëri dje gjatë një konference për shtyp, ku bëri publikë treguesit ekonomikë për vitin 2008 dhe muajin janar 2009, të cilin e vlerësoi pozitiv. Ministri garantoi se efektet e krizës do të jenë minimale, pasi qeveria do të marrë masat e saj për t’i paraprirë krizës, duke bërë që efekti të jetë i vogël si në ekonomi, ashtu edhe tek qytetarët. Ai përmendi se në maj do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve, në kuadër të masave të qeverisë ndaj uljes së efekteve ndaj krizës. Por nga ana tjetër, ai siguroi se investimet do të vazhdojnë dhe nuk parashikohet të ketë ulje të shpenzimeve, ndonëse qeveria nën presionin e FMN-së, u zotua që ta ulte deficitin buxhetor në 4 për qind, si një mesazh sigurie për investitorët e huaj. “Nuk është koha për të kursyer, por për të shpenzuar në mënyrë efektive. Investimet publike nuk do të preken”, - u shpreh Bode. Ministri i Financave, Bode, u shpreh optimist për ecurinë e deritanishme të ekonomisë shqiptare, ndërsa siguroi se janë marrë masat që efektet e krizës globale të jenë minimale në vendin tonë. I pyetur për dobësimin e monedhës vendase, lekut, ai tha se kursi i këmbimit do të stabilizohet. "Qeveria tashmë nuk do të marrë kredi në bankat vendase, në mënyrë që të mos dëmtohet tregu i brendshëm financiar. Ato do të vazhdojnë të jenë një institucion kreditimi ndaj ekonomisë", - tha ministri i Financave. Sipas ministrit Bode, marrja e kredisë në bankat ndërkombëtare nga pikëpamja e menaxhimit makro, jo vetëm nuk do të shkaktojë probleme, por në këtë rast qeveria do të jetë një nxitëse e mëtejshme e ekonomisë. Duke iu referuar muajit janar, që sipas ministrit Bode, rezultoi pozitiv për sa u përket treguesve ekonomikë, ai e cilësoi ekonominë shqiptare "si në ditët e saj më të mira". "Ritmi i investimeve publike do të jetë një tjetër faktor që do të ndikojë në stabilitetin e situatës ekonomike në vend", - tha z. Bode. Lidhur me ecurinë e kursit të këmbimit në vend, kreu i financave publike garantoi se ai do të stabilizohet, pasi rënia e lekut nuk ka ardhur nga rënia e ekonomisë, por nga disbalancimi i kërkesë-ofertës për monedhën euro në tregun shqiptar.

Financat: Situata makroekonomike në vend gjatë vitit 2008 ishte e favorshme

Të favorshme e ka cilësuar ministri i Financave, Ridvan Bode, situatën makroekonomike të vendit tonë gjatë vitit 2008, pavarësisht problemeve financiare në tregun ndërkombëtar.

Ai bëri dje publikë treguesit makroekonomikë të arritur në vitin 2008 dhe tha se rritja ekonomike në këtë vit arriti deri në 7.2 për qind. "Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 9.9 për qind gjatë 9-mujorit të parë të vitit, megjithëse kjo rritje vlerësohet të jetë ngadalësuar në 3-mujorin e fundit. Si rrjedhojë për vitin 2008 rritja ekonomike vlerësohet të jetë 7.2 për qind, krahasuar me 6 për qind në vitin 2007". Ministri vlerësoi zhvillimet pozitive të shënuara edhe në eksporte, ku rritja e tyre ishte më e lartë se rritja e importeve. "Pavarësisht këtij fakti, deficiti i llogarisë korrente është thelluar disi, krahasuar me 2007, si pasojë e rritjes së investimeve të huaja direkte, rritjes së importit të mallrave kapitale dhe atyre të përdorura në procesin e prodhimit", - tha Bode. Kreu i Financave Publike theksoi se në total, bilanci i pagesave mbetet pozitiv dhe stoku i rezervave valutore të vendit ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 1.6 miliard euro në vitin 2008, i mjaftueshëm për të financuar rreth 4 muaj importe mallrash e shërbimesh. Për sa u përket investimeve publike, sipas tij, ato u rritën kryesisht për infrastrukturën rrugore. "Rritja e investimeve publike u bë e mundur për shkak të rritjes së të ardhurave tatimore, rezultante e luftës ndaj evazionit fiskal dhe huamarrjes së huaj", - theksoi Bode, ndërsa shtoi se "huamarrja e brendshme në përqindje të PBB-së vitin e kaluar, ishte e njëjtë me atë të vitit 2007". Lidhur me të ardhurat buxhetore në vitin 2008, z. Bode vlerësoi faktin se ato arritën në 290 miliardë lekë, ose 26.71 % e PBB-së, krahasuar me 25.77 % në vitin 2007. Ministri i Financave u ndal edhe tek shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, për të cilat siç informoi, u realizuan në 350 miliardë lekë, nga 358 miliardë të parashikuara, ose rreth 97.7 për qind e planifikimit. "Këto shpenzime përfaqësojnë 32.5 % të PBB-së, nga rreth 33.3 % të parashikuara", - tha Bode. Kreu i Financave Publike tha se investimet publike për vitin 2008 u realizuan në masën 92.4 miliardë lekë, nga 95.2 miliardë lekë të programuara, me një realizim 97.0 %. Ai u shpreh se investimet publike nga financimi i brendshëm u realizuan në vlerën 49.9 miliardë lekë, nga 53.1 miliardë lekë të programuara, ndërsa investimet nga burime të huaja u realizuan 42.3 miliardë lekë, nga 41.9 miliardë lekë të programuara. Ministri Bode vlerësoi se politika e ndjekur në fushën e borxhit gjatë vitit 2008, synoi sigurimin e financimit të projekteve prioritare në veçanti, si dhe financimin e deficitit buxhetor. "Në fund të vitit 2008, stoku i borxhit arriti në 54.78% të GDP-së, i ndarë përkatësisht në 17.92% e GDP-së stoku i borxhit të jashtëm dhe 36.86% e GDP-së, stoku i borxhit të brendshëm".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›