Leku në pikiatë. Bode: Situatë e përkohshme
Leku po vazhdon zhvlerësimin ndaj monedhave të huaja dhe, kryesisht ndaj euros, dollarit dhe paundit britanik.
Ditën e djeshme, euroja ka fituar terren me 0.46 pikë, duke u tregtuar për 128 lekë, një rekord i paarritur prej shumë kohësh.
Sipas kursit zyrtar të Bankës Qendrore,vetëm brenda tri ditëve, monedha shqiptare është zhlerësuar me 1 lekë në krahasim me euron, 0.5 lekë me paundin dhe 0.5 lekë ndaj frangës zvicerane. Ndërkohë, dollari ka fituar terren sërish dje, me 0.21 pikë, duke u tregtuar me rreth 99 lekë.
Paundi britanik është një monedhë tjetër, e cila po rekuperon zhvlerësimet e fundit të vitit të kaluar, duke iu afruar nivelit të 150 lekëve. Kjo monedhë, në ditët e fundit të vitit 2008, arriti të tregtohej deri në 128 lekë. Zhvillimet më të fundit në tregun valutor, konsiderohen joproblematike për ministrin e Financave Ridvan Bode. Sipas tij, kjo është një dukuri e përkohshme, e cila do të stabilizohet në një kohë sa më të shkurtër, nëpërmjet ndërhyrjes së qeverisë.
"Edhe kursi i këmbimit do të stabilizohet. Dobësimi i lekut vjen nga diferenca midis kërkesës dhe ofertës për euro në tregun shqiptar", - tha Bode.
Pavarësisht deklaratës për ndërhyrjen e qeverisë në këtë treg, me zhvillimet e fundit, qeveria, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, pritet të hartojnë një dispozitë ligjore në lidhje me depozitat bankare, për të përballuar presionet e ndryshme ndaj ekonomisë vendase. Legjislacioni i ri në lidhje me sigurinë e depozitave është deklaruar më parë edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili tha se do të adoptohet një ligj i standardeve të Bashkimit Evropian.