Merkel: “Pas Kroacisë, BE-ja të pushojë së zgjeruari”
Në një manifest me rastin e zgjedhjeve europiane më 7 qershor, Partia Konservatore e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka kërkuar që të pushojë zgjerimi i Bashkimit Europian pas hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Europian. “Edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë gjasa për anëtarësim, por kjo do të zgjasë”, - ka thënë Merkel. “Ne e dimë se stabiliteti, qoftë në Serbi, Kosovë, Mal të Zi apo në vendet tjera, mund të garantohet vetëm nëse ato kanë gjasa për të hyrë në Bashkimin Europian, por kjo do të zgjasë disa vite”, - ka theksuar Merkel. Një deklaratë e tillë e kancelares së Gjermanisë shuan shpresat e Shqipërisë për të aplikuar sa më parë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe në një përgjigje të shpejtë nga BE-ja për këtë status. Siç duket, kriza ekonomike, që ka pllakosur kontinentin plak, po ndikon dhe në politikat e tij drejt zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Merkel gjithashtu ka theksuar në deklaratën e saj se zgjerim të BE-së do të ketë, por jo për momentin. Megjithatë, ajo nuk ka përmendur afate se sa do të rrinë të kyçura dyert e BE-së për Shqipërinë dhe vendet fqinje.
18 Mars 2009