Vendi i 21-të i BE njeh Kosovën, Malta ‘Po’ pavarësisë
Malta ka njohur dje zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, duke u bërë kështu shteti i 21-të i Bashkimit Evropian që ka njohur pavarësinë. Ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, Tonio Borg ka deklaruar se, Kosova njihet si shtet nga vendi i tij pasi nuk ka pasur alternativë tjetër, bazuar në rrjedhën e ngjarjeve që kanë ndodhur në 10 vitet e fundit. Ministri i Jashtëm maltez ka dërguar një letër për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, për t’i njoftuar ata me vendimin që ka marrë ky shtet. Ndërkohë, po zgjerohet edhe harta e vendeve që po njohin pasaportat e Kosovës. Dje listës së vendeve iu shtua edhe Austria. Ambasada e Austrisë në Prishtinë ka përgëzuar Ministrinë e Brendshme të Kosovës për prodhimin e pasaportave, duke njoftuar se që nga dita e djeshme e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës si dokument të vlefshëm dhe legjitim. Kjo ambasadë ka autorizuar edhe autoritetet e brendshme për vendosjen e vizave në Pasaportën e Republikës së Kosovës, sipas Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e Ministrisë së Punëve të Brendshme.