E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhja e plazhit, akuzë juristes

 

Trazhgim Sokolaj

Juristja e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave merret e pandehur për skandalin e tjetërsimit të pronësisë së "Plazhit të Gjeneralit" në komunën Synej të Kavajës. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, sipas të cilave Alma Sh., me detyre juriste pranë AKKKP-së, është marrë e pandehur për shpërdorim detyre lidhur me kalimin e praktikës së kthimit të pronës, për personat që me dokumente false aplikuan në emër të familjes Shijaku. Organi i akuzës tha se implikimi i juristes është mësuar nga shqyrtimi i dokumenteve të sekuestruara në Agjencinë e Pronave si dhe nga pyetja e dëshmitarëve dhe nga informacionet e tjera të grumbulluara në rrugë operative. Pas provave të mbledhura dhe konfirmimit për implikimin e saj, organi i akuzës ka vendosur të marrë të pandehur juristen, duke e akuzuar se ka marrë pjesë në procedurën abuzive të kthimit të pronës me sipërfaqe 48 hektarë në bregdetin e komunës Synej në Kavajë. Organi i akuzës tha se nuk ka marrë masë sigurie ndaj juristes, pasi ajo nuk rrezikon t;i shmanget hetimit. Nga të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se është duke u verifikuar edhe pozicioni i dy zyrtarëve të tjerë të lartë në Agjencinë e Pronave.
Zyrtarët
s`pranojnë akuzat 
Tunxh Vatnikaj, ish-kryetar i Agjencisë së Pronave si dhe të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje, kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria. Burimet zyrtare thanë se asnjëri nga të pandehurit nuk ka pranuar veprat penale "shpërdorim detyre", "mashtrim me pasoja të rënda" dhe "falsifikim dokumentesh zyrtare", për të cilat akuzohen të implikuarit. Ish-kreu i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, mësohet se gjatë deklarimeve të dhëna në Prokurori ka pranuar se ai vetë e kishte anuluar vendimin për "kthim prone" te personat fantazmë, që me dokumente false kishin aplikuar në emër të familjes Shijaku. Megjithatë mësohet se Vatnikaj e ka anuluar urdhrin që ai vetë kishte dhënë më parë, pikërisht pasi kishte mësuar se vendimi në fjalë për kthimin e pronës ishte bërë objekt hetimi. Madje me një nxitim të dukshëm në shkresën që përmban vetëm tri rreshta, thuhet se vendimi i mëparshëm është anuluar pa dhënë më tej asnjë argumentim. Gjatë dëshmisë në Prokurori, Vatnikaj ka pranuar se ka anuluar vendimin që vetë kishte formësuar më parë "për të hequr çdo dyshim".  

Gjykata konfirmon arrestin për 4 zyrtarët
TIRANE - Gjykata e kryeqytetit vendosi dje masën e sigurisë "arrest shtëpie" për tre zyrtarët e pronave të përfshirë në aferën korruptive të falsifikimit të një sipërfaqeje prej rreth 45 hektarësh në zonën e "Plazhit të Gjeneralit". Gjykatësi Altin Abdiu u komunikoi këtë masë ish-kreut të Hipotekës së Kavajës; ish-punonjësve të AKKP-së, Ali Aliaj dhe Petrit Kullollit si dhe avokatit Gjergji Hyso. Për biznesmenin e ndërtimeve gjykata e hoqi masën në këmbim të garancisë pasurore 100 milionë lekë të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›