Muça e Sejdini, dy trajnerët që debutojnë në Superiore
Shkëlqim Muça, trajneri i ri i Dinamos, është para një testi besimi në sfidën e tij të parë para tifozëve të kampionëve në fuqi, jo vetëm për të dëshmuar aftësitë e tij si një trajner me mentalitet kampioni (ka fituar tri tituj me Tiranën), por dhe për ta ndalur “galopimin” madhështor të Apolonisë, që zbret nga ana e saj në kryeqytet pas katër fitoreve rresht. 17-herë kampionët e Shqipërisë vijnë në përballjen me Apoloninë pas dy humbjeve rresht në derbit e kryeqytetit, ku ajo me Partizanin i kushtoi edhe vetëlargimin e detyruar Zlatko Daliçit, trajnerit të fundit kroat që kishte mundur të mbijetonte në kampionatit shqiptar. Dinamo-Apolonia është një sfidë shumë tërheqëse në letër, pasi përballen përveç shkollës shqiptare të futbollit, dhe dy nga më të mëdhatë e Ballkanit. Dinamo ka nuanca kroate, ndërsa Apolonia ka një ngjyrim serb, pasi përveç trajnerit Esad Karishik të fierakët luajnë edhe gjashtë futbollistë serb, të cilët janë dhe çelësi i suksesit të këtij ekipi. Ndërkaq, Elbasani përgatitet për ndeshjen e fundjavës, ndaj Vllaznisë kryesuese. Kreu i pankinës elbasanase, është shprehur se gjatë kësaj jave është përpjekur të ambientohet me ekipin që do të drejtojë deri në përfundim të kampionatit. Megjithëse ai beson se një gjë të tillë e ka arritur. Sipas “Xhaxhit”, në pjesën më të madhe të karrierës atij i ka ecur mbarë dhe gjithmonë nga premierat “Faruk Sejdini” ka dalë i fituar. Të njëjtën gjë kërkon të arrijë edhe këtë javë kundër Vllaznisë, e cila udhëheq me meritë kampionatin. “Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në përballjen e fundjavës me djemtë e Canajt. Vllaznia është një skuadër që jo rastësisht kryeson kampionatin, ndaj na duhet përqendrim maksimal në këtë sfidë, pasi nuk ka asnjë rrugë tjetër veç marrjes së tri pikëve”, thekson tekniku i ekipit të Elbasanit, Faruk Sejdini.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 20-të
15 shkurt 2009
Teuta-Lushnja
Gjyqtar: L. Jemini
Elbasani-Vllaznia
Gjyqtar: A. Taullau
Besa-Tirana
Gjyqtar: S. Çekaj
Shkumbini-Partizani
Gjyqtar: T. Latifi
Dinamo-Apolonia
Gjyqtar: A. Janku
Bylis-Flamurtari
Gjyqtar: E. Peza
(Ndeshjet fillojnë
në orën 14:30)