Kriza, ulet vlerësimi i aftësisë paguese të Greqisë
ATHINE- Kompania e njohur ndërkombëtare e vlerësimit financiar “Fitch” ka ulur dje “notën” për aftësinë e ekonomisë së Greqisë që të mund të shlyejë borxhet voluminoze që po merr në bursat kryesore të botës. Madje, ka parashikuar edhe se vlerësimi në të ardhmen e afërt ka mundësi të ulet më tej. Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve, dje “Fitch” e uli nivelin e vlerësimit “sovereign” të fqinjit tonë jugor, duke e kaluar nga BB+ në BB-. Ky është niveli më i ulët që mund të lejojë një kreditim pa pasoja të qeverisë apo bankës qendrore. Ulja e vlerësimit, sqaron kompania “pasqyron intensifikimin e sfidave fiskale, në përgjigje të perspektivave më pak të favorshme për rritjen ekonomike dhe rritjen e kostos së shërbimit të borxhit. Ajo pasqyron gjithashtu, pasigurinë aktuale lidhur me strategjinë qeveritare të financimit, në kontekstin e një luhatjeje të shtuar të tregut të kapitaleve”. Ndërkohë, për të qetësuar investitorët, ministri grek i Financave tha dje se vendi i tij nuk ka nevojë për ndihmë për të dalë nga kriza financiare. Jorgo Papakonstantinu deklaroi se Greqia nuk ka ndërmend t’i drejtohet planit rezervë të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar Greqinë të dalë nga kriza e borxhit. Megjithatë, ai e quajti planin një mjet të rëndësishëm sigurie dhe tha se zyrtarët po përpunojnë hollësitë lidhur me funksionimin e planit të shpëtimit. Greqia është përpjekur t’u japë sigurinë investitorëve se masat e saj të fundit për shkurtime do ta lejojnë vendit të paguajë borxhin prej 70 miliardë dollarësh. Greqia duhet të ketë gati fonde prej 15 miliardë dollarësh deri në fund të muajit maj, si pasojë e shitjes masive të bonove, por nervozizmi i investitorëve ka bërë që kostoja e huave të arrijë nivele rekord.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)