E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te perndjekurit: Memorial ne shesh, te ish-busti i Enverit

TIRANE- Ish-të përndjekurit politikë bëhen pjesë e debatit për sheshin "Skënderbej". Në vendin ku dikur ngrihej busti i Enver Hoxhës, ata i kërkojnë Bashkisë të ndryshojë projektin dhe të vendosin aty një obelisk për viktimat e komunizmit.

Besim Ndregjoni, përfaqësues i Instituti të ish-të Përndjekurve Politikë i kërkon qeverisë të hapë fondin e veçantë për ndërtimin e këtij obelisku, ndërsa ka shprehur bindjen se kreu i Bashkisë Rama do ta marrë parasysh kërkesën e tyre për ngritjen e memorialit që nderon viktimat e diktaturës komuniste.

Pak kohë më parë parlamenti miratoi ligjin 'Për simbolet e viktimave të regjimit komunist', ku një prej simboleve përcaktohet ngritja e obeliskut në një nga sheshet qendrore të Tiranës.

Dje pasdite në një konferencë për shtyp kryeministri Berisha ftoi kundërshtarin e tij politik të pezullojë punimet dhe t’i nënshtrohet diskutimeve të gjera e transparente të qarqeve akademike e mediatike të vendit.

Po dje drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Gjergj Bojaxhi, (pak orë pas marrjes së detyrës) i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të marrë lejet përkatëse për vijimin e punimeve në sheshin "Skënderbej" në qendër të Tiranës. Ai ka theksuar se nëse Bashkia e Tiranës nuk zbaton ligjin, INUK do të bëjë shkresë për të anuluar punimet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›