E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, vetëm në kokën e lidershipit të majtë



Sot nuk përbën ndonjë çudi fakti që lidershipit të majtë, në çdo konferencë shtypi apo takim me banorë të zonave të ndryshme të vendit, i është stopuar fjalori tek togfjalëshat standardë, të tillë si: “Jemi në krizë të thellë”, “Na grabitën votat”, “Nuk do njohim zgjedhjet” etj., etj. E vërteta, në fakt, sikurse dhe po e miratojnë edhe vetë dita-ditës shqiptarët, është se e ashtuquajtura “krizë” në Shqipëri nuk ekziston tjetër veçse në... kokën e lidershipit të majtë. Duket sheshit se synimi i vetë këtij lidershipi, pra, i Ramës e co, nuk është pranimi i realitetit faktik që po përjeton Shqipëria në këto vite të fundit, nuk është aprovimi e pranimi i hapave historikë të saj, si pranimi në NATO dhe aderimi së afërmi edhe në Bashkimin Evropian, por ngjyrosja me çdo kusht me bojë të zezë e gjithçkaje pozitive që ka arritur qeveria “Berisha”; si në mandatin 2005-2009, ashtu dhe në këtë sapo ka nisur, kur po bashkëqeveriset në koalicion me LSI-në. Nuk ka javë që nga megafoni i kreut të PS-së të mos dëgjojmë të flitet tjetër veçse për “krizë që po thellohet”, për “pasiguri totale”, për “mjerim e regres”. Asnjë fjalë për ata mijëra e mijëra turistë që kanë vërshuar në mjediset e bregdetit fantastik jugor apo edhe përgjatë vijës së Adriatikut; nga Divjaka deri në Shirokë të Shkodrës. Asnjë fjalë për turizmin malor dyfish i shtuar gjatë kësaj vere, si në Valbonë apo në pikat e tjera të Alpeve shqiptare. Në gjithë këtë akses të shtuar turistik, normalisht që kanë pasur ndikimin e vet edhe në realizimet e mëdha që janë arritur nga qeveria shqiptare e drejtuar nga të djathtët, si rruga Durrës-Kukës apo akse të tjera, gjithashtu shumë të rëndësishme në drejtimin verilindor, lindor apo investimi i kryer përgjatë Bregut jonian. Këto sa thamë, janë gjëra që shihen e preken nga qytetarët e këtij vendi. Janë vepra madhore me rëndësi historike. Sado të mundohen nihilistët e lidershipit të majtë të mohojnë këtë gjë, veprat janë aty, ato mbajnë të stampuar aty datën dhe kohën e realizimit. Shqiptarët nuk ka se si të mos i gëzohen faktit që këto punë të mëdha u kryen për interes të tyre, të jetës dhe perspektives së tyre. Kjo as që diskutohet. Oratoria mjerane e Ramës nuk denjon të pohojë qoftë arritje të vetme, vetëm e vetëm se në krye të këtij angazhimi të madh ka qenë dhe është qeveria e Berishës, ku vetë pjesëtarët e kabinetit janë të krahut të djathtë!!! Lidershipit të majtë nuk i bën përshtypje asnjë nga fitoret e bujshme që ka arritur Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit dhe kjo ndodh vetëm e vetëm për faktin se kjo gjë nuk i pëlqen sundimtarit arkaik të PS-së, Edvin Ramës. Ai ka zgjedhur të bëjë lojën e pafund të mohimit të gjithçkaje. Në këtë kontekst, ai preferon të luajë edhe me një nga aspektet më të ndjeshme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën: me krizën globale. Sipas tij, kriza e sotme dhe ajo që do të vijë, do të bëjë namin në Shqipëri. Mospërfillja nga ana e Ramës e mendimit të specialistëve më të mirë shqiptarë, të cilët sqarojnë qartë opinionin publik për efektet gjithsesi të vogla të krizës globale mbi ekonominë tonë, është kaq cinike dhe dashakeqe, sa shpeshherë ai është gati të mbajë fjalime të gjata në mënyrë që t’ua mbushë mendjen njerëzve për të kundërtën. Po a ka vërtet krizë në Shqipëri apo neve na duhet ta pranojmë këtë gjë, ashtu “aforfe”, thjesht se e thotë opozita? Përsëri këtu na vjen në ndihmë mendimi profesional i ekonomistëve tanë. Me gjithë vështirësitë e hasura, të cilat normalisht janë pjesë e rritjes dhe progresit, krahasimi i vitit që shkoi me këtë në cilin jemi, tregon qartë për rritje të cilësisë së jetesës së shqiptarëve. Që pagat janë dyfishuar, ky është një fakt konkret që s’mund të mohohet. Që pensionet janë rritur gjithashtu po në këtë masë, gjithashtu nuk mund të mohohet. Shifrat janë shifra, statistikat janë statistika. Ato janë aty, e zeza mbi teë bardhë. Shqiptarët e dinë mirë se cila qeverisje ua garantoi këtë nivel ekonomik që kanë aktualisht, ashtu sikurse janë të vetëdijshëm edhe se sa shumë punë duhet akoma për ta bërë akoma më të mirë jetën e tyre cep më cep të Shqipërisë. Natyrisht, askush nuk mund të thotë se është bërë më e mira dhe se nuk ka më nevojë për përmirësime të tjera, por ama nuk mund të themi se fermerët shqiptarë janë të varfër, ndërkohë që gjithkush prej tyre tani ka akses në marrjen e një kredie bujqësore. Nuk mund të themi se fshatarët janë në krizë, kur ata kudo që ndodhen, kanë mundësi të pakufizuara për të mbajtur e mbarështuar bagëti të imta apo të trasha. Nuk mund të thuhet që ata janë të varfër kur ata i kanë të tëra mundësitë të rrisin brenda sipërfaqeve të tokës së tyre të punueshme parcela apo plantacione me mollë, dardha, ullinj etj., etj. Askush nuk e ndalon të krijojë për veten e tij vreshtarinë moderne. Një taksë simbolike për tokën, që ekziston momentalisht, nuk bën gjë tjetër veçse e bën atë të ndërgjegjshëm për dobinë që ka toka bujqësore, e cila tashmë është e tëra në funksion të tij, në bazë të ligjit 7501. Si mund ta ndiekan krizën fermerët shqiptarë, kur ata i kanë mundësitë që të mirat e tyre materiale t’i kthejnë në monedhë, në çdo moment të vitit? Një fshatar kavajas më thoshte se çdo vit kishte mundësinë të dilte në treg e të shiste mbi 60 pula e gjela deti. Po ashtu mund të shiste 3 apo 4 viça. Me 5 lopët që ai mbarështonte në oborrin e tij kishte mundësinë të dilte gati 2 herë në javë për të shitur qumështin, djathin apo gjizën. Dhe bëhet fjalë për një familje nga më të zakonshmet. Por sot, në pjesën më të madhe të vendit, fermerët kanë mësuar si të krijojnë kopetë e tyre me dele, dhi, derra etj., etj. Nuk po ndalemi këtu me fermat e zhvilluara, të tilla si në Lushnjë, Gosë të Kavajës apo në Ndroq si firma “Dardha”. Gjithë sa thamë, nuk janë gjë tjetër veçse ca hulumtime të shpejta gazetareske. Por, po ta shohësh problemin më në thellësi, do të shohësh se fjala “krizë” është sa ireale aq dhe e pa kuptimtë. Kriza globale as ka ndonjë ndikim direkt apo indirekt, as ka lidhje fare me jetën e fermerëve shqiptarë. As me qytetarin shqiptar, qoftë me atë që jeton në metropolin më të zhvilluar të vendit, në Tiranë, qoftë me atë që jeton një qytet tjetër, ta zëmë në Kukës, Shkodër, Sarandë apo Korçë. Kjo, kuptohet, ka të bëjë me llojin e sistemit tonë financiar, i cili, gjithsesi, sipas specialistëve, është një sistem “i mbyllur”, në kuptimin që nuk ndikohet kushedi se çfarë nga lëkundjet e bursës ndërkombëtare apo të monedhave të fuqishme të botës sot, si euro apo dollari. Në këtë kuptim ne nuk kemi ç’t’i bëjmë Edvin Ramës që sa herë gdhin dita, niset të bëjë rrëfimin e radhës nëpër konferenca shtypi, ku mes të tjerave tregon ëndrrat me krizë që ka parë gjatë natës. Duket qartë se fiksimi i tij nuk lidhet aq me hallet e vërteta që kanë shqiptarët sot, por me atë vetë, me ëndrrën për pushtet, ndërkohë që shqiptarët e dhanë qartë verdiktin e tyre me votën e lirë. Zhbirimet e tipit marksist të lidershipit të majtë, për të zbuluar me çdo kusht krizën që s’ekziston në këtë vend, është një fenomen i njohur në gjithë këto vite demokracie. Sa herë që e majta humbet zgjedhjet, krerët e lidershipit rozë (jo elektorati i majtë, jo njerëzit e thjeshtë) do të vihen menjëherë në pozitë luftarake si dikur, për të mohuar me themel çdo arritje të qeverisjes që kanë zgjedhur vetë shqiptarët. Në mënyrë totale, kjo është një pandershmëri e plotë, që në fund të fundit nuk bën gjë tjetër veçse u tregon shqiptarëve se sa e paprinciptë është lufta e atyre që mbi interesat e elektoratit vënë ato personale, venë synimin për t’u majmur përmes akteve korruptive si ato tashmë të njohura, leje ndërtimi apo sheshe ndërtimi. E thënë troç, kriza e trumbetuar me të madhe gjatë gjithë kohës nga disa pseudo-kalemxhinj është vetëm në kohën e lidershipit të majtë, ndaj shqiptarët janë bërë aq të zgjuar sa të mos ua besojnë votën këtyre liderëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›