E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligji për sindikatat, qeveria drejt kompensimit fizik të pronarëve



Qeveria, përmes një akti të ri ligjor, që rregullon statusin juridik të pasurisë së sindikatave, synon përmirësimin e kompensimit fizik të pronave ish-pronarëve. Në bazë të dispozitës aktuale, sindikatat kanë të drejtën për të gëzuar dhe poseduar sendin, por nuk janë pronarë të pasurive të paluajtshme, sepse u mungon njëri prej tagrave të pronësisë: "E drejta e disponimit/tjetërsimit". Kurse sipas draftit të ri, i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe nëpërmjet shfuqizimit të këtij ligji i hapet rruga përmirësimit të kompensimit fizik të pronave të ish-pronarëve. Nisur nga ecuria e akteve ligjore dhe gjyqësore në vite konkludohet se ligji i vitit 1998 "Për rregullimin e pasojave", që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit të vitit 1992 "Për pasurinë e sindikatave", është i vetmi akt ligjor në fuqi, që rregullon statusin juridik të tyre, ndaj në këto rrethana ligji i ri i propozuar synon shfuqizimin e tij, meqë ky akt është transitor, sepse edhe nga titulli kuptohet që ka dalë për rregullim pasojash dhe nuk përbën rregullim pozitiv përfundimtar, duke mos vendosur rregulla afatgjatë. Në Kuvend, tashmë ka mbërritur nisma e qeverisë "Për shfuqizimin e ligjit të vitit 1998 "Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit të vitit 1992, "Për pasurinë e sindikatave". Relacioni i këtij projektligji, që pritet të shqyrtohet të hënën në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, bën një përshkrim historik të akteve ligjore dhe gjyqësore të sindikatave të pas vitit 1992, të cilat janë konsideruar persona juridikë, që zotërojnë pasuri. Dekreti i Presidentit në vitin 1992 "Për pasurinë e sindikatave" përcakton se sindikatat kanë pasuri dhe se pasuritë, të luajtshme dhe të paluajtshme, që shërbejnë për veprimtarinë sindikaliste dhe edukimin profesional e sindikal të punonjësve, si shtëpi pushimi apo kulturore parqe sportive, salla mbledhjesh, biblioteka dhe pasuri të tjera të kësaj natyre, janë në pronësi të sindikatave. Po në këtë dekret përcaktohet se ndarja e kësaj pasurie bëhet me marrëveshje ndërmjet sindikatave. Në maj të vitit 1998 Kuvendi nuk e voton dekretin e mësipërm, ndërsa miraton ligjin "Për rregullimin e pasojave, që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit të vitit 1992 "Për pasurinë e sindikatave". Ky i fundit parashikon se aktmarrëveshjet e arritura ndërmjet sindikatave, për ndarjen e pasurisë, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë vlerë juridike, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, dhe se mosmarrëveshjet, që lidhen me këto aktmarrëveshje zgjidhen në rrugë gjyqësore. Pasuritë e paluajtshme, të përfituara në bazë të këtij ligji, nuk mund të tjetërsohen deri më 31 dhjetor 2020. Gjykata e Lartë ka nxjerrë dy vendime njësuese për këtë situatë ligjore, në vitin 2001 dhe 2004, ku arsyetohet se shteti nuk e ka humbur pronësinë mbi pronat e sindikatave dhe se aktmarrëveshjet e lidhura mes tyre për ndarjen e pasurisë janë ligjërisht të paqena. Në procesin ligjvënës njihen tri mënyra shfuqizimi të një akti, ku ndër të tjera është ajo me anë të një ligji të posaçëm, që është dhe forma e propozuar nga qeveria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›