Rrufe politike mbi një tekst shkolle
Opinioni publik këto tre a katër ditët e fundit ka qenë i detyruar ta kthejë vëmendjen edhe drejt një çështjeje arsimore. Po debatohet lidhur me një tekst shkolle të thjeshtë historie, që trajton edhe periudhën në të cilën kalojmë. Sa më afër të ketë ndodhur ngjarja historike, historia është ende “e nxehtë”, aq më pak aktorët e historisë bien në një mendje lidhur me të. Nuk ka gjë më të natyrshme. Më normale. Sikundër ndodh anë e mbanë globit, nga Gaboni në Meksikë, nga Franca në Gjermani. Askush nuk merret atje me këto probleme nëpër gazeta e sidomos, aq më pak në deklarime politike publike, por te ne është ndryshe, jemi fare të veçantë. Aq më tepër kur vendi kalon një krizë të fortë politike. Partia më e madhe, kryesore në opozitë, nuk e ka njohur ende instancën e pushtetit legjislativ, Kuvendin e Shqipërisë. Është një çështje madhore.
U duk sikur debati për këtë tekst historie, njërin nga dhjetëra e dhjetëra tekstet që hyjnë e dalin në përdorim për sistemin shkollor të vendit, erdhi në një kohë fare të papërshtatshme. Kur publiku dhe politikat, mediat po se po, kishin vendosur në qendër tekstin enciklopedik maqedonas lidhur me përfytyrimin që ai ka për shqiptarët e atjeshëm, shpërtheu debati për një tekst shqiptar për shqiptarët nga autorë shqiptarë.
Është bërë një çështje që shtypi e vuri në qendër, por përsëri mund të pyetet, a është vërtet e tillë, a ja vlen?
Përgjigjen time personale do të përpiqem ta jap duke e ndarë në tri pjesë.
Teksti në vetvete.
Sigurisht që nuk kam pasur rast e kohë t’i hedh një sy këtij teksti. Janë çështje që më kanë interesuar pak. Në fakt mirë është të shikosh sesi evoluojnë tekstet mësimore shqiptare të shkollave të mesme. Si pedagog universiteti nga një herë më duket se e gjithë puna ime qëndron në zhbërjen e atyre dijeve që nxënësit e shkollave të mesme, të ardhur në universitete, i kanë mësuar keq dhe gabim në atë fazë shkollimi që kanë kaluar më parë. Duket sikur universiteti është bërë për të korrigjuar shkollimin e mesëm. Nuk e them dot sa e vërtetë është kjo, por ndaj me lexuesin vetëm një mbresë time që më mundon prej kohësh. Duket sikur humbasim kohë kot.
Sidoqoftë disa pasazhe të relatuara nga shtypi, apo edhe interpretime të dhëna në shtyp me këtë rast nga ndonjëri prej autorëve të tekstit, më krijoi përshtypjen se metodologjia historike, sidomos ajo pedagogjike, ka vend të ishte respektuar më shumë. Në një tekst historie të atij niveli shkollimi, disi standard, ka nevojë të hyjë ajo pjesë e dijes historike për periudhën bashkëkohore, e cila ka fituar tashmë një farë qytetarie dhe është pranuar tashmë nga opinioni publik.
Duhet të bazohet gjithnjë e më shumë në atë që quhet kontratë kuptimore e një brezi.
Pjesët ku ka çarje semantike dhe kuptimore duhen trajtuar me kujdes, pa u neglizhuar e fshehur, por në mënyrë alternative.
A mund të pranohet si e mirëqenë logjikisht se meqë vetë pushteti në vitit ‘97 nuk kishte përse të organizonte protesta kundër vetes (tautologji), atëherë revoltat del se i organizoi opozita!!!
Edhe mundet, por logjikisht arsyetimi nuk është bindës. Përfundimi mund të jetë i vërtetë, mund edhe të mos jetë, por në çdo rast procedimi logjik është i mangët.
Meqë nuk është natë, tani është ditë! Është një përpjekje për të provuar me anë të së kundërtës, por në këtë rast nuk mjafton asfare.
Mund të thuhet me siguri që ka dokumente filmike dhe dokumentare që individë të rëndësishëm të opozitës së asaj kohe janë parë në veprime aktive, të integruar në revoltat. Padyshim që shtypi dhe politika opozitare e kohës nuk ishin vigjilentë për t’u distancuar qysh në fillim nga veprimet e dhunshme masive. Padyshim që ka deklarime politike nga përfaqësues të opozitës ku legjitimohen veprimet e dhunshme kundër institucioneve të shtetit. Këto dihen dhe janë fakte që mund të vërtetohen lehtë. Por, tjetër gjë është të thuhet se ishte e gjithë opozita që i organizoi. Për këtë do të duhet të gjenden fakte dhe prova si për shembull, vendime të partive opozitare në këtë drejtim, duhen studiuar programet e partive politike, dokumente të ndryshme që e provojnë, jo këtë apo angazhim individual apo të pjesshëm, sepse për këtë ka të dhëna, por është fjala të provohet duke analizuar strategjitë zyrtare dhe veprimet institucionale të opozitës së asaj kohe. Aq më shumë që veç opozitës kanë vepruar edhe faktorë të tjerë aktivë, dhe se vetë opozita nuk mund të barazohej me Partinë Socialiste. Këtu kërkohet një ekzaminim më i kujdesshëm.
Qeveritë e fundit socialiste, a ishin të korruptuara? Nuk mjafton ta thuash, në një tekst duhet edhe ta provosh. Është e sigurt që socialistët e asaj kohe kanë akuzuar njërin-tjetrin si të korruptuar. Këtë mund ta vërtetojë çdo njeri. Është e vërtetë që ndjesia popullore shprehej se kishte korrupsion. Po kështu edhe aktorët ndërkombëtarë të specializuar. Zyrtarë të lartë që nisën të kishin biznese pa u kuptuar qartë sesi kishin mundur t’i nisnin. Në dogana po aq probleme. Të gjitha këto vërtetohen. Por, që në një tekst historie të mbërrihet në përfundimin se qeveritë ishin të korruptuara, kjo kërkon një provë, së paku gjyqësore. Kush është qeveria? Disa ministra? Të gjithë? Nëpunësit e lartë? Ku? Përse? Nuk është kollaj që nisur nga disa të dhëna të përgjithësohen përfundimet. Ndofta ato janë të vërteta, por problemi është se duhen argumentuar dhe vërtetuar.
Rebelimi i ‘97 ishte komunist! Duhet sqaruar në çfarë kuptimi. Që kishte një strategji për rivendosjen e diktaturës komuniste? Do të ishte larg çdo hamendjeje. Hakmarrje komuniste kundër pushtetit demokrat? Nuk dihet se deri në çfarë mase. E organizuar nga ish-komunistë? Ndofta, por kjo duhet provuar. Nga metodat e thyerjes me dhunë të institucioneve të shtetit padyshim që kishte një taktikë si ajo e revolucioneve komuniste. Por duhet sqaruar, sepse përndryshe mbetet e pështjelluar.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me fakte, këto janë interpretime.
Deklaratat politike.
Nuk mund të mos pranohet se për sa iu përket parashtrimeve të mësipërme, libri mban anën e konceptimeve politikisht të djathta. Me qëllim apo pa qëllim, kjo është një çështje krejt tjetër.
Por, a mund të fyen me etiketime të ashpra dhe ofenduese në deklarime politike zyrtare ose gjysmë zyrtare autorë tekstesh shkollore? Mua më duket se kjo është e tepërt. Ka ndodhur edhe herë të tjera. Tjetër janë politikat lidhur me arsimin. Aty partitë politike mund të ndeshen politikisht dhe të debatojnë. Por, tjetër është që sulmi të shkojë kundër mësuesve, autorëve të teksteve, pedagogëve. Shkolla është një e mirë publike që ndërtohet me vështirësi të panumërta. Nuk i bën mirë askujt që autorë tekstesh, mësues, apo pedagogë të sulmohen nga tribuna politike. Aq më pak të etiketohen.
Nëse nuk do të pranohej asnjë imponim apo presion institucional shtetëror mbi autorët e teksteve apo mësuesit e pedagogët, po aq është i papranueshëm, i politizuar, konsiderohet presion politik edhe kur “rrufetë” vijnë nga partitë politike të çdo krahu, si nga ato në koalicionin qeveritar, ashtu edhe nga partitë opozitare. I gjithi konsiderohet si presion i politikës mbi rrethet akademike, universitare, pedagogjike. Për të mos thënë se politika ushtron një presion të rëndë mbi të gjithë teknokracinë e brishtë të vendit, e cila është e detyruar ose të heshtë, të shohë në ndonjë vrimë punët e veta, ose të konvertohet në elitë politike të rreshtuar politikisht thuajse ushtarakisht. Zërat e pavarur kanë arsye të shqetësohen.
Dhe kur them politika, nuk përjashtoj as partitë politike opozitare që përfitojnë nga pushteti mediatik që kanë, nga lidhjet politike, nga statusi i tyre, nga imunitetet formale dhe informale që zotërojnë, për të hedhur etiketa, fyerje dhe “rrufe” mbi intelektualë të ndryshëm, pavarësisht të cilit nivel, pavarësisht të cilit orientim politik. Këtu nuk ka barazi. Sa vështirë e ka një intelektual të gjejë një tribunë për të kritikuar politikën? Barazia e fjalës së lirë këtu është shprishur përfundimisht. Të gjithë i vërsulen duke i thënë: “Po ti përse nuk merresh me punët e tua?” E askush nuk e merr në mbrojtje për të deklaruar: “Ai është qytetar, në rolin e tij, i lirë të kritikojë “shërbëtorët” e tij”.
Deputeti është shërbëtor i qytetarit, kurse qytetari nuk është shërbëtor i politikanit. Prandaj, do të lutesha për më shumë vetëpërmbajtje për të mos prishur barazinë e shanseve për t’u shprehur.
Kur politika hedh “rrufetë” mbi historianin, me ose pa nivel, nuk po futem këtu, kuptohet se ajo ka të drejtë të mos pëlqejë përfundime të caktuara të këtij të fundit. Është në të drejtën e vet legjitime. Nuk i duket e drejtë të thuhet se “rebelimi ishte komunist”, se “atë e organizoi dhe drejtoi opozita”, se “Berisha kishte si flamur luftën kundër korrupsionit në fushatën zgjedhore të vitit 2005” etj.
Pra, mendon se këto shprehje janë të pabazuara. Po ku e gjen politika legjitimitetin për të dhënë verdikte për çështje shkencore, pra se çfarë është e saktë dhe çfarë nuk është e saktë? Nuk është fjala për personat, por për statuset politike. Politika nuk ka asnjë legjitimitet për të gjykuar se cila është e vërtetë historike dhe cila është një gënjeshtër historike.
Duhet të vetëpërmbahet.
Nuk mund ta kalojë cakun e vet. Përndryshe politika do të na bëjë edhe gjeografinë, edhe ekonominë, edhe sociologjinë, edhe filozofinë.
Politikanët do të dinë gjithçka. Edhe politikanë edhe shkencëtarë. Mund të bashkohen këto dy përmasa tek i njëjti person, është një avantazh për vetë atë, por në asnjë mënyrë nuk mundet që i foluri dhe arsyetimi politik të marrin edhe pamjen dhe përmbajtjen shkencore. Ligjërimi politik nuk mund të marrê përsipër ligjërimin shkencor dhe aq më pak ta zëvendësojë. Nuk mund ta thonë politikanët në vend të teknicienëve, edhe kur këta të fundit e kanë gabim, si mbillet misri, si organizohet një spital, si ruhet një pyll, si rriten zogjtë, si bëhet arti, si organizohet sistemi bankar, si mbahet i pastër ajri i qytetit, si duhet të qarkullojnë automobilat, si rrjedh kriza financiare botërore, si suvatohen fasadat e ndërtesave urbane etj. Politika nuk mund të jetë pozitive, ajo mund të ndërhyjë në administrimin e strategjive politike të shkollës dhe kulturës, por jo të prodhojë vetë përmbajtje shkencore, duke harruar se duke bërë këtë rrezikon të imponohet në forma autoritare, agresive mbi lirinë e të shprehurit dhe lirinë akademike.
Nuk ka kuptim të thuhet se aksh politikan është i zoti dhe është në gjendje të korrigjojë edhe aksh agronom. Në rrafshin personal sigurisht që mund të ndodhë edhe kështu. Por, fjala është gjetiu. Asnjë pretekst apo realitet nuk mund ta bëjë politikën të zëvendësojë shkencën, pedagogjinë, shëndetësinë.
Më mirë një e vërtetë historike disi e gjymtuar, por që mund të korrigjohet nga vetë lëvruesit e dijeve të fushës, sesa një e vërtetë e postuluar, e urdhëruar, e vendosur arbitrarisht nga një tribunë politike. Me historianët debatojnë historianët, intelektualët, publiku, por jo nga pozita partish politike.
Urdhri i politikës e godet përfundimisht shkencën dhe arsimin. Ky është roli i politikanit në një demokraci që ka filluar të ketë dëshirë për t’u pjekur: vetëpërmbajtja edhe kur e di se ndofta ka të drejtë, edhe kur ka bindjen se ka të drejtë. Bindja e brendshme nuk mjafton as për politikanit dhe as për historianin. Mjeshtëria e politikanit është gjetja e mekanizmave për ta përçuar vullnetin politik dhe të vërtetën.
Politika e shumta ka vend të shqyrtojë, kritikojë dhe rregullojë mekanizmat administrative dhe institucionale sesi përzgjidhen autorët e teksteve. Larg së qeni ëngjëllore ajo që ndodh. Le të mos na gënjejë mendja se kemi procedura perfekte. E kotë çdo mbrojtje e politizuar. Si funksionojnë juritë, si përzgjidhen shtëpitë botuese, e kështu me radhë. Por, jo të tregojë se cila është e vërteta historike. Do të gabohej rëndë. Nëse autorët e teksteve do të ishin të njëanshëm, në mënyrë të fshehur, politika është e shpallur si e njëanshme në mënyrë të hapur.
Vlera e çështjes.
Një furtunë në një gotë me ujë. E thashë, janë gjëra që vlojnë gjithandej në botë. Tekstet e historisë bashkëkohore janë të mbushura me interpretime dhe përfundime që janë larg së ndari në mënyrë unanime gjeneratat e sotme. Debati bëhet, por brenda fushës, jashtë diktatit dhe sulmeve të ardhura nga politika mbi koka të thinjura, supe të brishtë, mësuesish, pedagogësh a autorësh tekstesh me prirje të djathta a të majta.
“Historiani të japë vetëm faktet”, – thuhet. Detyrë e pamundur. Fakti mund të administrohet vetëm brenda një tërësie fjalish logjik të cilat sigurisht që shkruhen mbi apriori ideologjike që nga njëherë bartësi nuk e di se i bart dhe është rob i tyre. Ku ka tekst historie, gjeografia, sociologjie, filozofie, ekonomie, që të jetë objektiv. As një fotografi nuk është tërësisht objektive. Por, ky regjistrim faktesh nuk do të ishte histori. Historia do të bëhej kështu një letër magazine ku do të regjistroheshin mallrat që hynin e dilnin. Historia është kuptimi i fakteve dhe ngjarjeve, pra e kërkon interpretimin dhe përfundimin.
“Prisni – thonë të maturit – që faktet të provohen pastaj shkruajini”. Po kështu askush nuk do të merrte penën për të shkruar histori. Ka ngjarje që kanë ndodhur para pesëqind vjetësh dhe akoma të vërtetat historike nuk janë stabilizuar. Ndofta nuk do të stabilizohen kurrë. Historia përmirësohet duke u shkruar.
Çfarë kërkohet? Që historiani, pedagogu, autori i tekstit të jetë një robot i paanshëm? E pamundur. Është i paanshëm sepse nuk e di që është i anshëm. Ku ka teori historie, gjeografie, ekonomie, estetike, arti, psikologjie, filozofie, sociologjie etj., që të mos ketë një rrënjë në një debat ideologjik të kohës, pra të mos shprehë njëanshmëri? Vetëm ata që nuk e dinë këtë rrënjë të thellë të shkencës në ideologjinë e kohës së vet, kujtojnë naivisht se shkenca që bëjnë, trajtimi i bazuar te një ose një tjetër autor, nuk mbart njëanshmëri. Është objektiv!
Kush autor është i sigurt se nuk është nxituar në përfundimet e veta?
Kush nuk mbart subjektivitetin e tij?
Evropa dhe përvojat më të mira perëndimore sot po i nxisin ato praktika që quhen “multiperspektiva historike”, domethënë për ta rindërtuar historinë në mënyra të diversifikuar, kundër mendimit unik. Teksti alternativ shkollor prandaj është. Sjell pikëpamje të ndryshme. Këtu ende vazhdon kulti i historiografisë unike, që i “takon popullit”, që i “takon kombit”. Fjalë të mëdha pa pikë kuptimi. Teksti i historisë i takon autorëve të tij, nuk është e vërteta historike përfundimtare dhe unikale. Ende kërkohet një akademi shkencash totalitare sikurse ka qenë që të vulosë tekstin e historisë kombëtare dhe ta mbyllë të vërtetën gjuhësore, folklorike, historike në një arkivol, ta bëjë mumje, dhe ta hapë sa herë fqinjët na sulmojnë. Sikurse bëri me fjalorin enciklopedik. Enciklopedia e kombit! A thua se të vërtetat enciklopedike janë vërtet ato.
Tekstet alternative janë shprehja e pluralizmit në shkollën demokratike.
Bëjeni një tekst të ftohtë akull si kadavër. Zhvisheni lakuriq nga çdo rrobë interpretimi. Qethini çdo përfundim të nxituar, hiqini frymën duke ja zënë hundët me jastëk dhe ushtrojini presion që autori të mos shprehë atje asnjë botëkuptim të tijin, lëreni nëpër xhepa kapitujsh vetëm ca fakte materiale si guralecë a zall lumi të mbetur në breg dhe do të keni vetëm fakte, magazinim faktesh. Teksti bëhet i ftohtë dhe pa kuptim.
Më mirë një gjimnazist që debaton kur has pikëpamje kundërshtare, sesa një shkollar që përsërit në korr të vërtetën e një tekst neutral të imponuar nga Ministria e Arsimit dhe komisionet e saj në role cenzorësh diktatorialë!
Çfarë bën mësuesi me tekstet që i bien në dorë. Tërë ditën i interpreton sipas dëshirës dhe bindjeve të veta. Nuk i shpëton shkolla kësaj. Prandaj ajo është plurale, prandaj ajo lëviz.
Unë nuk pajtohem me disa nuanca metodologjike të atij teksti. Por, kjo më shqetëson shumë pak ose aspak. Mësuesi i majtë do të thotë në klasë se rebelimi nuk ishte komunist. Nuk ka njeri që e ndalon. Nxënësi nga familje e djathtë do t’i kundërvihet. Aty do të ndërhyjë edhe inspektori. Por drejtori i shkollës ka një qëndrim më neutral, kurse në takim me prindër nëna e një shkollari do t’i thotë mësuesit se vëllanë e saj polic e vranë në krye të detyrës. Po lekët që humbëm në piramida? – pyet veten shkollarja atje në bankën e fundit të klasës. Kjo është shkolla, një forum, jo vendi i të vërtetave të ngrira të thëna nga autorë kadavrikë, robotikë, pa shije, nuhatje dhe bindje ideologjike. Kështu bëhet historia, nëpërmjet debatit midis versioneve të majta, të djathta, të qendrës. Të gjithë janë të mirëpritur. Në Evropë ka universitete të djathta dhe të majta. Brenda logjikës së Kartës së Bolonjës.
Çfarë kuptimi ka atëherë ta anatemosh autorin e një libri historie, që me statusin e tij të lirë ka interpretime subjektive mbi historinë e kohës së tij. Mua më shqetëson më shumë fakti kur politika nga podiumet na tregon se çfarë duhet të bëjmë në auditorët tona, si ta trajtojmë Skënderbeun, si të flasim për Kantin, në çfarë kuadri ta vendosim Zogun, si ta trajtojmë Luftën Antifashiste?
Një tekst me nuanca njëanshmërie nuk është asgjë përpara presionit politik mbi autorët e tij.
Politikanë, ju lutem vetëpërmbahuni!