Krizat ekonomike, rrezik për sigurinë
Ministri Nishani, kërkon bashkëpunim me vendet e tjera, për rritjen e numrit të emigrantëve legalë
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, thotë se rënia e dërgesave të emigrantëve, mund të dëmtojë mirëqenien sociale
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), paralajmëron se kriza ekonomike mund të shkaktojë probleme sociale në Shqipëri. Ambasadori i zyrës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, tha dje se kriza ekonomike, që ka përfshirë botën, po ndjehet edhe në Shqipëri.
Ambasadori Bosch, duke iu referuar të ardhurave të emigrantëve, që për vitin 2008 arritën në 700 milionë euro, tha se ato ishin një burim investimi për nxitjen e bizneseve dhe një mbështetje e rëndësishme për shumë familje të varfra, veçanërisht në zonat rurale dhe për grupe të tjera vulnerabël.
Ai tha se ngjarjet globale ekonomike po ndryshojnë me shpejtësi. "Me të vërtetë, shumë debatojnë se, për vende si Shqipëria, ndikimet e rënies botërore po nisin të ndjehen ngadalë, megjithëse në një formë të kufizuar, në rënien e nivelit të remitancave dhe me disa emigrantë që kthehen në shtëpitë e tyre",- tha Bosch.
Sipas ambasadorit të OSBE-së, këto zhvillime mund të kenë një ndikim negativ në sistemet e mirëqenies sociale në vendet e origjinës dhe se, gjatë krizave ekonomike, ka një rrezik në rritje, të disa aktiviteteve që janë nën interesin e OSBE-së, të tilla si rritja e krimit, trafikimi i mallrave të ndaluar dhe qenieve njerëzore, dhe keqësimi i sigurisë. Por, ai tha se autoritetet shqiptare do të bëjnë gjithçka, që kjo të mos ndodhë.
Deklaratat e ambasadorit të OSBE-së në Tirane, u bënë në forumin dyditor të mbajtur në Tiranë, për Ekonominë dhe Mjedisin, e organizauar nga Ministria e Brendshme dhe OSBE-ja. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, kërkoi angazhimin e të gjithë partnerëve, për t'u përballur me çdo situatë.
"Kriza financiare, me të cilën po përballemi, krijon një kontekst, në të cilin mirëqenien afatgjatë nuk mund ta konsiderojmë më si të mirëqenë. Përkundrazi, duhet të jemi të përgatitur për të qenë reagues në mënyrë të përbashkët, përkundrejt çdo sfide",- tha ministri Nishani. Duke folur për fenomenin e migrimit, ai tha se menaxhimi efektiv i tij, inkurajon migrimin legal dhe përmirëson nivelin e jetës se migrantëve. "Ai ka dhe një impakt social ekonomik, jo vetëm në vendin e origjinës, por edhe për vendin destinacion dhe atyre të tranzitit. Si rezultat, menaxhimi i migrimit mund të bëhet efektiv dhe i qëndrueshëm vetëm nëpërmjet një partneriteti midis vendeve të destinacionit, tranzitit dhe atyre të origjinës, e realizuar kjo si në nivel rajonal, ashtu dhe në nivel bilateral",- deklaroi Nishani. Ndërsa, për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme, ai kërkoi bashkëpunimin e të gjitha vendeve. Konferenca e radhës dhe kryesorja e OSBE-së për ekonominë dhe mjedisin, do të mbahet në muajin maj, në Athinë.
Robert Bosch
"Me të vërtetë, shumë debatojnë se, për vende si Shqipëria, ndikimet e rënies botërore po nisin të ndjehen ngadalë, megjithëse në një formë të kufizuar, në rënien e nivelit të remitancave dhe me disa emigrantë që kthehen në shtëpitë e tyre.
Këto zhvillime nuk mundet, veçse të kenë një ndikim negativ në sistemet e mirëqenies sociale, në vendet e origjinës. Ne dimë, gjithashtu, se gjatë krizave ekonomike, ka një rrezik në rritje, të disa aktiviteteve që janë nën interesin e OSBE-së, të tilla si rritja e krimit, trafikimi i mallrave të ndaluar dhe qenieve njerëzore dhe keqësimi i sigurisë".
Bujar Nishani
"Aktivitetet ilegale, si dhe të gjitha llojet e trafikimit, kontrabandës, etj., të realizuara nga rrjete kriminale, duhen atakuar vendosmërisht. Përmirësimi i kanaleve për migrimin legal dhe reduktimi i migrimit ilegal, do të luftonte të gjitha aktivitetet ilegale të lidhura me këtë fenomen".