Rama: Procesi zgjedhor, drejt dështimit
Në takimin me delegacionin e ODIHR-it, Kryetari i opozitës jep alarmin për manipulim të zgjedhjeve
"Qeveria duhet të kuptojë se nuk po e menaxhon procesin në të mirë të zgjedhjeve, por po e shkatërron"
TIRANË- Të dhënat, që vijnë nga procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, janë shkurajuese dhe dëshpëruese. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin e zhvilluar me delegacionin e ODIHR-it, në kuadër të Misionit Parapërgatitor për Zgjedhjet Parlamentare, ka shfaqur këtë shqetësim, teksa ka theksuar se, qeveria po vazhdon të tregojë paaftësi dhe, mbi të gjitha, papërgjegjshmëri për procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
"Ajo që është më shqetësuese, është kontigjenti i qytetarëve dhe qytetareve, që nuk kanë as pasaportë, dhe që përbëjnë në pjesën dërrmuese shtresën më të varfër të popullsisë, që e ka të pamundur të përballojë koston e kartës së identitetit dhe që, ndërkohë, sot e gjithë ditën, është tërësisht jashtë procesit.
Ju jeni të vetëdijshëm, për faktin se ne, deri sot, kemi bërë ç'është e mundur për ta ndihmuar procesin, ne kemi bërë ç'është e mundur për të nxitur pjesëmarrjen në këtë proces, kemi bërë ç'është e mundur që ky proces të na nxjerrë të gjithëve faqebardhë, sepse në qoftë se ata qindra mijëra qytetarë e qytetare, që nuk kanë pasaportë, nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme, që zhvillohen në Evropë",- tha dje Rama.
Kryetari i opozitës ka sqaruar gjithashtu se, komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur për këtë çështje, nuk ka asnjë fuqi të veçantë mbi procesin, pasi është qeveria ajo që duhet ta udhëheqë dhe ta garantojë këtë proces. "Të gjithë afatet janë shkelur, të gjithë kushtet janë shkelur, i gjithë procesi zhvillohet në shkelje të vazhdueshme të të gjitha atyre pikave, që do të mund ta garantonin atë.
Sot, praktikisht, jemi në prag të një situate dramatike, e cila rrezikon të kthehet në një situatë pa rrugëdalje",- tha ai. I pyetur nëse situata pa rrugëdalje, nënkuptonte mosmarrjen pjesë të PS-së në zgjedhje, Rama u përgjigj se është shumë herët për të folur për një gjë të tillë.
"Sot, të gjitha të dhënat na tregojnë se mundësitë e qytetarëve po shkojnë duke u kufizuar dhe mundësitë për abuzime, spekulime dhe manipulime me këtë proces, po shkojnë duke u zgjeruar. Por, ne nuk do të lejojmë të ndodhë asgjë e tillë, sepse do të bëjmë të pamundurën, që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme",- tha ai.
Propozimi
Për t'i dhënë një tjetër shans procesit, Kryetari i opozitës, ka deklaruar se, sot PS-ja do të paraqesë një propozim konkret, por pa zbuluar paraprakisht se për çfarë nisme bëhej fjalë.
"Nesër (sot) ne do të bëjmë një propozim konkret dhe publik, për t'i dhënë një tjetër shans procesit, me shpresën që qeveria nuk do të fshihet kokëfortësisht pas shifrave, që tregojnë se procesi po shkon drejt dështimit dhe nuk do të qëndrojë kokëfortësisht në pozicionin që e karakterizon sa herë, që duhet të përballet me dështimin apo pragdështimin e vet, por duhet të kuptojë se në këtë mënyrë, jo vetëm nuk po e menaxhon procesin në të mirë të zgjedhjeve dhe në të mirë të publikut, por përkundrazi, po e shkatërron procesin në dëm të zgjedhjeve, në dëm të publikut dhe, padyshim, në dëmin e vet, por kjo është gjëja më pak e rëndësishme për ne",- tha ai.